Gjermania përpiqet të ndalë mbylljen e fabrikave të Volkswagen, në rrezik deri në 100 mijë vende pune

29 Qershor 2026 | 19:56

Qeveria gjermane synon të pengojë mbylljen e fabrikave të Volkswagen në vend, ndërsa ka bërë të qartë se vendimi përfundimtar i takon vetë kompanisë dhe duhet të merret mbi baza tregtare.

Një zëdhënës i qeverisë deklaroi të hënën se objektivi është krijimi i kushteve që fabrikat të mbeten konkurruese dhe fitimprurëse, duke shmangur kështu mbylljen e tyre.

“Duhet të krijohen stimuj që këto objekte të vazhdojnë të jenë fitimprurëse. Megjithatë, vendime të tilla janë përgjegjësi e kompanive dhe duhet të bazohen në konsiderata tregtare”, tha ai.

Sipas mediave gjermane, Volkswagen po shqyrton mbylljen e katër fabrikave në Gjermani dhe zgjerimin e planit të ristrukturimit me deri në 100 mijë shkurtime vendesh pune, si pasojë e konkurrencës në rritje nga prodhuesit kinezë, tarifave amerikane dhe rënies së kërkesës në tregun evropian.

Nëse konfirmohen, këto masa do të përbënin një nga ristrukturimet më të mëdha në historinë e kompanisë dhe do të kishin ndikim të konsiderueshëm në ekonominë gjermane, ndërsa qeveria federale përpiqet të nxisë rritjen ekonomike.

Një nga çështjet më të debatueshme lidhet me fabrikën e Volkswagen në Osnabrück, ku raportimet sugjerojnë se prodhimi do të ndërpritet në vitin 2027 dhe objekti mund t’i transferohet kompanisë izraelite të mbrojtjes Rafael për prodhimin e komponentëve të sistemit raketor Iron Dome.

Sipas raportimeve, ky projekt është kundërshtuar nga Autoriteti i Investimeve i Katarit (QIA), aksioneri i tretë më i madh i Volkswagen, për shkak të tensioneve politike mes Katarit dhe Izraelit. Ndërkohë, qeveria federale dhe autoritetet e Saksonisë së Poshtme mbështesin transformimin e fabrikës, edhe pse ai ka hasur në kundërshtime nga banorët vendas.

Planet e ristrukturimit pritet të diskutohen në mbledhjen e bordit mbikëqyrës më 9 korrik, ku do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e punëtorëve.

Raportimet për shkurtimin e rreth 100 mijë vendeve të punës nga rreth 657 mijë punonjës që kompania ka në mbarë botën kanë shkaktuar reagime të forta nga sindikata IG Metall dhe këshilli i punëtorëve të Volkswagen.

Në një deklaratë të përbashkët, ata i cilësuan planet e raportuara si “kërcënime të papërgjegjshme”, duke paralajmëruar se do të përdorin çdo mjet ligjor dhe sindikal për të mbrojtur vendet e punës dhe objektet prodhuese.

Përfaqësuesit e punëtorëve i kanë kërkuar drejtuesve të kompanisë të fokusohen te zhvillimi i modeleve konkurruese, teknologjitë e reja dhe garantimi i vendeve të punës, në vend të, siç u shprehën ata, “aktivizmit të verbër”.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Syzet e Macron bëhen kryefjalë në takimin me Sulltanin e Omanit (VIDEO)

Presidenti francez Emmanuel Macron priti këtë të hënë në Pallatin Elysee Sulltanin e Omanit, Haitham bin Tariq Al Said, në vizitën e parë zyrtare të...
18:41 | 29/06/2026

Polonia dëbon 11 persona, të dyshuar për rekrutimin e ukrainasve për të demonstruar kundër qeverisë së Kievit

Shërbimet polake të sigurisë kanë deportuar nëntë ukrainas dhe dy bjellorusë me dyshimin se kanë përdorur para ruse për të rekrutuar refugjatë ukrainas për të...
18:28 | 29/06/2026

Martohet “Vajza më e bukur në botë”, kurorëzon në Paris dashurinë me biznesmenin (FOTO)

Thylane Blondeau, francezja 25-vjeçare, e cila dikur përshkruhej si “vajza më e bukur në botë”, u martua me të fejuarin e saj në Paris. Për...
18:20 | 29/06/2026