Gjermania vendos sot për zgjatjen e programit vjetor të punësimit me vendet e Ballkanit

9 Tetor 2020 | 13:40

Një ditë më parë, ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian diskutuan për planin e ri të sapo paraqitur nga Komisioni Evropian për Emigracionin dhe Azilin në BE. Diskutimet për këtë plan për të cilin ka qëndrime të kundërta nga vende të ndryshme anëtare, pritet të vijojnë deri në fund të këtij viti dhe në takime të tjera.

Ndërkohë, vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipëria, përfshihen në të si bashkëpunëtorë kur vjen puna për kontrollin e flukseve të emigracionit nga vende të tjera, por dhe për pjesën e kërkesave të pabazuara për azil nga banorë nga vetë vendi dhe nga të tjera vende të rajonit.

I pyetur nga Korrespondenti i Euronews Albania në Bruksel, Ernest Bunguri për nivelin e kërkuar të përfshirjes dhe bashkëpunimit të vendeve të Ballkanit për këtë plan, ministri i brendshëm gjerman Horst Seehofer, nuk e kuptoi pyetjen, por dha informacione të vlefshme vetëm për programin kombëtar gjerman të punësimit të qytetarëve nga vendet e Ballkanit dhe shtyrjen e mundshme të këtij programi që ekziston prej vitit 2015, me një kuotë prej 25 mijë të punësuarish në vit nga vendet e rajonit.

 “Kemi një rol ekzistues me Ballkanin Perëndimor që i ka rezistuar provës së kohës. Në nëntor 2015 patëm rënë dakort në Gjermani për parakushtet për të hyrë në vend, nëpërmjet kuotave të punësimit dhe nëpërmjet një kontrate pune që duhej t’i dorëzohej Ambasadës Gjermane. Dhe Presidenti i Agjencisë së Punësimit në Gjermani më ka përsëritur herë pas here se ky sistem po mirëfunksionon, dhe se abuzimet janë të neglizhueshme. Të premten në Këshillin Federal gjerman ne do të shikojmë për zgjatjen e kësaj marrëveshjeje e cila përfundon në fund të këtij viti’, tha ai.

Ndërkohë, Komisionerja Evropiane Ylva Johanson deklaroi se së shpejti do të paraqitet raporti i Komisionit që do të vlerësojë nëse duhet të ketë pasoja pozitive ose negative për regjimin pa viza për vendet e rajonit, në bazë të vlerësimit nga Komisioni sidomos të numrit të riatdhesimeve në vendet e origjinës.

 “Kur flasim për regjimin pa viza, ne për momentin po bëjmë vlerësimet e veçanta për secilin vend duke u bazuar në mënyrën e vlerësimit të Komisionit, se në çfarë niveli është bashkëpunimi në lidhje me marrëveshjet e riatdhesimit me secilin vend. Dhe do ta paraqesim këtë raport së shpejti, raport ky që mund të përbëjë bazën për marrjen e vendimeve mbi pasojat negative apo pozitive për regjimin pa viza me vendet e ndryshme”, tha ajo.

Komisioni Evropian raporton rregullisht mbi nivelin e respektimit të marrëveshjeve të riatdhesimit me vendet që gëzojnë lirinë e lëvizjes pa viza në zonën Shengen, si dhe për numrin e aplikimeve të kërkesave të pabaza për azil për secilin vend. Për Shqipërinë, në bazë të kritereve të Komisionit, këto shifra nuk janë shqetësuese sipas vlerësimit të bërë dhe në raportin e sapo-publikuar vjetor për vendin.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026