English

Gjurmët që la në TikTok “gruaja” e ushtarit amerikan të arrestuar në Rusi

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Disa pamje se si dukej jeta e një ushtari amerikan, të arrestuar në Rusi nën akuzat për vjedhje, u shfaqën në shumë video në aplikacionin TikTok nga një grua ruse, e cila e identifikoi ushtarakun amerikan si “burrë” të vetin.

- Advertisement -

Një zëdhënëse e një gjykate në qytetin rus, Vladivostok, tha më 7 maj se rreshteri amerikan, Gordon Black, u arrestua pesë ditë më parë nën akuzat për “vjedhje, e cila i shkaktoi dëme të mëdha një qytetareje”, shkruan REL.

Më vonë, arrestimi i Blackut u konfirmua edhe nga ushtria amerikane.

Associated Press, ndërkohë, i citoi disa zyrtarë të paidentifikuar amerikanë duke thënë se Black akuzohet se e kishte plaçkitur të dashurën e vet të kamotshme, me të cilën kishte qenë në lidhje gjatë shërbimit në ushtrinë amerikane në Korenë e Jugut.

Radio Evropa e Lirë e gjeti një llogari në TikTok të partneres romantike të Blackut, Aleksandra Vashchuk nga Vladivostoku, e cila postoi video të shumta gjatë kohës së çiftit në Korenë e Jugut, përfshirë së paku një video ku Black shihet në uniformën e ushtrisë amerikane.

Në mesin e qindra videove të postuara në TikTok, 31-vjeçarja i referohet Blackut si “burri im” në disa prej tyre.

Shumica e videove të çiftit së bashku në vitet 2022 dhe 2023, duket se janë xhiruar në Korenë e Jugut, ku Vashchuk thotë në TikTok se kishte jetuar për më shumë se pesë vjet.

Black ishte vendosur në Korenë e Jugut dhe pritej të kthehej në Teksas, por zgjodhi të udhëtonte në Rusi, sipas zyrtarëve amerikanë.

Arrestimi i tij është më i fundit në një sërë arrestimesh të qytetarëve amerikanë në Rusi, të cilat cilësohen si tentim i Kremlinit për të grumbulluar shtetas amerikanë për t’i përdorur më vonë për shkëmbim me të burgosur rusë në Perëndim.

Në mesin e të arrestuarve janë edhe gazetarja e REL-it, Alsu Kurmasheva, si dhe gazetari i The Wall Street Journal, Evan Gershkovich, të cilët Rusia i arrestoi për akuza, të cilat ata dhe punëdhënësit e tyre i hedhin poshtë si të nxitura politikisht.

REL-i nuk ka mundur të konfirmojë nëse Vashchuk është gruaja të cilën Black akuzohet se e ka plaçkitur. Thirrjet e REL-it në një numër telefonik të lidhur me Vashchuk nuk morën përgjigje më 7 maj.

Në njërën prej videove të publikuara në llogarinë e Vashchukut në TikTok, të cilën ajo e mbylli për publik më 7 maj, Black shihet në uniformën e ushtrisë amerikane dhe emri i tij shihet qartazi në të.

Në një video, Vashchuk i kërkon Blackut t’i komentojë marrëdhëniet SHBA-Rusi për ndjekësit e saj. Ai u bën jehonë disa fjalive të përdorura shpesh nga Kremlini për ta arsyetuar pushtimin e Ukrainës nga Moska më 2022, duke e quajtur NATO-n “goxha agresive”.

“Unë e kuptoj qëndrimin e Rusisë, natyrisht. Ata duan ta mbrojnë vendin e vet”, thotë Black në një video, para se Vashchuk të ndërhyjë dhe të thotë se ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është “më i mirë” se presidenti i tanishëm amerikan, Joe Biden.

Në një video më gazmore, Vashchuk dhe Black shihen duke u argëtuar së bashku në kafene dhe duke biseduar për filmat rusë “Brother” dhe “Brother 2”. Black thotë se e kishte zënë gjumi duke e shikuar filmin e parë, në të cilin rolin kryesor e luan ylli i ndjerë i filmit rus, Sergei Bodrov.

Blacku i thotë dhjetëra fjali ruse në disa video, përfshirë shprehjen ruse “shporru”, pasi nxitet nga Vashchuku.

Në një video, Vashchuku xhiron pranë kampit Humphreys, të njësitit të ushtrisë amerikane, rreth 60 kilometra në jug të Seulit.

CBS News e citoi nënën e Blackut, Melody Jones, duke thënë se djali i saj kishte udhëtuar në Rusi për ta vizituar të dashurën e vet.

“Ju lutem, mos e torturoni [apo] lëndoni atë”, tha Jones kur u pyet nëse kishte ndonjë mesazh për Rusinë.

Zyrtarë të paidentifikuar amerikanë janë cituar nga Associated Press duke thënë se Black dhe e dashura e tij ruse duket se kanë pasur një mosmarrëveshje vitin e kaluar, pas së cilës ajo u rikthye në Rusi nga Koreja e Jugut.

Associated Press i citoi zyrtarët, gjithashtu, duke thënë se Black nuk e kishte njoftuar njësitin e tij se ai po udhëtonte në Rusi, derisa ishte në pushim në SHBA dhe se ai nuk kishte marrë autorizim për të udhëtuar në Rusi.

Një fotografi e Blackut dhe Vashchukut që qarkulloi në mediat shtetërore ruse është një selfie që ushtari amerikan e kishte bërë me të si çift ulur në një restorant.

Në pranverën e vitit 2023, Vashchuk e postoi fotografinë e njëjtë në llogarinë e vet në Facebook, të cilën ajo e mbylli për publikun më 7 maj, por kishte edituar duke e larguar Blackun nga fotografia.

 

LEXONI GJITHASHTU:

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Altin Dumani paraqiti raportin e Prokurorisë së Posaçme, si e vlerësoni punën e SPAK për vitin 2023?
×