Ashtu si SPAK një ditë më parë, edhe Gjykata Kushtetuese në komisionin e ligjeve ku u diskutua buxheti për vitin 2023 ngriti shqetësimin e ndërprerjes gjatë vitit të fondeve të dhëna për këtë institucion nga shteti.
“Pjesa e fondeve të hequra në mes të vitit dëmton funksionalitetin e institucionit. Duhet të na lajmëroni përpara nëse ka ndonjë fatkeqësi natyrore, jo u bë fakt i kryer dhe mbaroi”, tha Eugen Papandile, sekretar i përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese.
Përgjigjen për këtë ia dha Ministria e Financave.
“Ne shprehim bindjen tonë që reduktojmë ato shpenzime të cilat janë të papërdorura, megjithatë jam plotësisht dakord që paraprakisht duhet marrë miratimi zyrtar i institucioneve”, u shpreh Vilma Çausholli, përfaqësuese e Ministrisë së Financave.
Gjykata Kushtetuese kërkoi para për mbrojtjen kibernetike, sistemin antizjarr dhe një shtesë për të paguar qiranë për parkimin e makinave të institucionit.
“Si pasojë e amortizimit të godinës, është pjesa e sistemi antizjarr që e kemi kërkuar prej kohësh, po jo kur të na bjerë zjarri të na thoni pse ra”, tha Papandile.
Opozita në komision deklaroi se nuk është morale që Gjykata Kushtetuese të jetë në krah me qeverinë dhe të kërkojë mëshirë në aspektin financiar.
“Jemi në një situatë kur vjen Gjykata Kushtetuese, organi pothuajse më i lartë i kësaj republike dhe lyp para, dhe ç’bëjmë ne të tjerët, futemi në një teatër absurd dhe japim lëmoshë. Institucionet e pavarura kurrsesi, për shkak të misionit që kanë, nuk duhet të shkojnë të lypin lekë”, theksoi Enkelejd Alibeaj, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
LEXONI GJITHASHTU:
- Buxheti ‘lëmoshë’ për pensionistët, indeksimi shton vetëm 141 lekë në muaj
- Ku do shpenzohen 5.9 mld eurot, rritet buxheti për ministritë, ulet fondi për pagat