Ikona Majlinda Kelmendi, kampionia e xhudos që po frymëzon të rinjtë e Kosovës

7 Korrik 2021 | 21:11

Në qytetin e Pejës, në Kosovë, të rinj dhe të rritur stërviten në palestra, në përpjekje për të ndjekur gjurmët e heroinës vendase, fitueses së medaljes së arit në xhudo, Majlinda Kelmendi.

Atletja 30-vjeçare është bërë një frymëzim për shumë qytetarë që kur filloi të sillte në vend trofe ndërkombëtare. Ajo fitoi medaljen e artë në kategorinë e peshave 52 kilogramë në Lojërat Olimpike të Rios, në 2016-n.

Vitin e kaluar, një statujë u ngrit në nder të saj nga autoritetet bashkiake dhe një qendër e re për stërvitje në disiplinën e xhudos po ndërtohet në një kodër nga e cila duket qyteti.

Driton Kuka, trajner i Kelmendit, thotë se arritjet e saj bënë që e gjithë bota të njohë vendin me rreth 1.8 milionë banorë.

“Sportistja e ekipit tonë bëri që e gjithë bota të kthejë sytë nga Kosova dhe bëri gjithashtu të mundur të shkonim në Lojërat Olimpike, të cilat e dimë të gjithë që përfunduan me një triumf”, thotë Driton Kuka, trajner i Majlinda Kelmendit.

Kelmendi ka pasur shumë oferta për të garuar për vende të tjera para se Kosova të lejohej të merrte pjesë në lojëra. Por ajo thotë se mbështetja e ofruar nga qytetarët e Kosovës ka më shumë vlera se milionat që mund të fitonte me ndonjë shtet tjetër.

“Ne e dinim që në Kosovë nuk do të siguronim dot kurrë milionat që na u ofruan nga vendet e tjera. Por unë dhe trajneri im nuk pendohemi për këtë vendim. Ndjenjat që kam përjetuar nga qytetarët e Kosovës janë diçka që paratë nuk mund t’i blejnë”, shprehet Majlinda Kelmendi, kampione olimpike në xhudo.

Gara olimpike në xhudo do të nisë më 24 korrik në Tokio, ku Kelmendi do të synojë të mbrojë titullin e saj dhe të bëhet kampione sërish.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Maran e nis me humbje, Izraeli mposht Shqipërinë në miqësoren me tensione

Trajneri Rolando Maran ka debutuar me humbje në stolin e kombëtares shqiptare, duke u mposhtur 0-1 në miqësoren përballë Izraelit. Ndonëse ishte një ndeshje miqësore,...
22:17 | 03/06/2026

Sherr në fushë pas golit të Izraelit, Glouk provokon! Tifozët thërrasin “Palestinë”

Shqipëria është mposhtur 0-1 nga Izraeli në ndeshjen miqësore të zhvilluar në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Goli i vetëm i takimit u shënua në...
21:50 | 03/06/2026

Botërori 2026, miliona turistë dhe miliarda fitime

Botërori FIFA 2026 pritet të jetë një nga ngjarjet që do t’i japë shtysën më të madhe turizmit në Amerikën e Veriut. Sipas Këshillit Botëror...
20:32 | 03/06/2026