Iranianët marrin urdhër të largohen nga SHBA-ja menjëherë pas ndeshjes me Zelandën e Re

16 Qershor 2026 | 11:01

Trajneri i Iranit tha se u është urdhëruar të largohen nga SHBA-ja dhe të kthehen në kampin stërvitor në Meksikë vetëm disa orë pasi hapën turneun duke luajtur 2:2 me Zelandën e Re, në orët e para të së martës sipas kohës në Kosovë.

Trajneri Amir Ghalenoei nuk tha se kush i urdhëroi iranianët të largoheshin më herët se sa ishte planifikuar. Ekipi priste të kalonte natën në Kaliforni për të kryer procesin normal të rikuperimit pas ndeshjes së parë. Por pas ndeshjes me Zelandën e Re, iranianëve u është thënë se duhet të hipnin menjëherë në aeroplan për udhëtimin drejt Tijuanas së Meksikës.

“Ata as nuk na dhanë kohë për rikuperim”, tha Ghalenoei.

“Pas ndeshjes na thanë: ‘Duhet të largoheni menjëherë’. Është shumë e rëndësishme për ne që të kemi kohë për rikuperim, por na u kërkua të hipim në aeroplan dhe të kthehemi në bazën tonë. Ne jemi vërtetë të shqetësuar për këtë”.

Irani i luan në SHBA ndeshjet e fazës grupore. Por mes tensioneve politike, është vendosur që iranianët të qëndrojnë në Meksikë e jo në SHBA gjatë Kupës së Botës. Për kohë të gjatë kishte dilema nëse Irani edhe do të jetë pjesë e Botërorit.

Kapiteni Mehdi Taremi ka thënë se ekipi i është nënshtruar udhëtimit dhe kontrolleve të sigurisë prej pesë orëve gjatë asaj që normalisht është një udhëtim i shkurtër nga Tijuana për në zonën e Los Angelesit.

“Nuk e dimë pse po na kthejnë. Mendoj se kjo është e çuditshme. Duket sikur të tjerët po bëjnë planin për ne. Vendimet për ne merren diku tjetër. Ne duhej të vinim dy netë para ndeshjes dhe duhej të qëndronim sonte për t’u rikuperuar dhe të kthehemi nesër në drekë. Nuk kemi asnjë ide pse po ndodhë kjo. Mendoj se jemi ekipi më i shtypur në Botëror”, ka vazhduar selektori iranian.

Taremi dhe Ghalenoei kanë kritikuar edhe mungesën e shumë anëtarëve të rëndësishëm të stafit të ekipit, të cilëve iu mohuan vizat nga SHBA-ja. Këtu përfshihen presidenti i federatës, personeli mbështetës për trajnerë si dhe zyrtarët e medias.

“Ne duhet të largohemi menjëherë nga Los Angelesi dhe kjo nuk është mirë për ne”, ka thënë Taremi rreth një orë pas ndeshjes. “Mendoj se FIFA duhet të na ndihmojë më shumë se kaq. Çdo gjë është si katastrofë për ne”.

Te Irani janë ankuar se nuk kanë pasur përgatitje të duhura për Botëror.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Nuk mjafton lufta në Iran: “Super El Niño” mund të shkaktojë rritje të çmimeve të ushqimeve deri në vitin 2028

Një fenomen i fuqishëm El Niño mund të shkaktojë një valë të re të rritjes së çmimeve të ushqimeve në nivel global, me pasojat që...
21:34 | 12/07/2026

Nga Trump, tek Meloni: Në Iran publikohet “lista e hakmarrjes”

Një gazetë iraniane ka publikuar një grafik të krijuar me inteligjencë artificiale, ku shfaqen presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu me uniforma...
20:46 | 12/07/2026

Ukraina “tmerron” Rusinë, goditen rëndë 14 anije të Putinit në detin Azov

Ukraina po “tmerron” Rusinë. Forcat e Sistemeve Pa Pilot të Kievit goditën 14 anije të tjera ruse në Detin e Azov gjatë natës së 12...
19:51 | 12/07/2026