Shumica e punonjësve të restoranteve që ofrojnë ushqime të çastit në Kaliforni do të paguhen të paktën 20 dollarë në orë, duke filluar nga data 1 prill, kur futet në fuqi ligji i ri i cili ka për qëllim të rrisë sigurinë financiare të një vendi pune që historikisht ka pagë të ulët. Kjo rrezikon të rrisë çmimet në një shtet tashmë të njohur për koston e tij të lartë të jetesës.
Legjislatura demokrate e Kalifornisë e miratoi ligjin vitin e kaluar, me qëllimin për të nënvizuar faktin se shumica e mbi 500,000 njerëzve që punojnë në restorantet e ushqimit të çastit janë persona që mbajnë familjet e tyre.
Kjo përfshin emigrantë si Ingrid Vilorio, e cila filloi të punonte në një nga restorantet e kompanisë ‘McDonald’s’ pasi kishte arritur në Shtetet e Bashkuara në vitin 2019. Tani, ajo punon rreth tetë orë në javë në një tjetër kompani që ofron ushqime të çastit “Jack in the Box” ndërsa bën edhe punë të tjera.
“Rritja e rrogës në 20 dollarë është e mrekullueshme. Uroj që kjo të kishte ndodhur më herët”, tha zonja Vilorio përmes një përkthyesi. “Sepse nuk do të kisha kërkuar kaq shumë punë të tjera në vende të ndryshme.”
Ligji u mbështet nga shoqata tregtare që përfaqëson pronarët e restoranteve që ofrojnë ushqim të shpejtë. Por që kur projektligji u miratua, shumë pronarë të restoranteve të tilla janë ankuar për ndikimin që ligji ka mbi ta, veçanërisht tani që ekonomia e Kalifornisë nuk shënon rritje.
Alex Johnson ka në pronësi 10 restorante në San Françisko nga kompanitë “Auntie Anne’s Pretzels” and “Cinnabon”. Ai thotë se shitjet janë ngadalësuar në vitin 2024, duke e shtyrë atë të pushojë nga puna stafin e zyrës dhe të mbështetet tek prindërit e tij për të ndihmuar me përllogaritjen e pagave.
Rritja e pagave të punonjësve të tij do t’i kushtojë zotit Johnson rreth 470,000 dollarë në vit. Atij do t’i duhet të rrisë çmimet me rreth 5% deri në 15% në restorantet e tij dhe nuk po punëson më. Ai nuk ka në plan të shtojë rrjetin e bizneseve në Kaliforni.
“Përpiqem t’i trajtoj punonjësit ashtu siç duhet . I paguaj aq sa mundem. Por ky ligj me të vërtetë po godet ashpër fitimet tona”, tha zoti Johnson.
“Më duhet të shqyrtoj shitjen apo madje mbylljen e biznesit tim”, tha ai. “Shkalla e fitimit është tkurrur duke patur parasysh rritjen e shpenzimeve të tjera”.
Gjatë dekadës së fundit, Kalifornia e ka dyfishuar në 16 dollarë në orë pagën minimale për shumicën e punonjësve. Një shqetësim i madh gjatë asaj periudhe ishte nëse rritja do të çonte në humbjen e vendeve të punës si rezultat i shtimit të shpenzimeve për punëdhënësit.
LEXONI GJITHASHTU:
- Irani për sulmin ndaj konsullatës në Siri: Përgjigja do të jetë e ashpër
- Kolonjë/ Zjarr i përmasave të mëdha në pyllin e fshatit Boshanj