Katari paralajmëron Iranin: Ngushtica e Hormuzi s’duhet përdorur si armë

12 Maj 2026 | 15:55

Kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, paralajmëroi të martën Iranin kundër përdorimit të Ngushticës së Hormuzit si mjet presioni ndaj vendeve të Gjirit.

Gjatë një konference për shtyp në Doha me ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan, Al Thani deklaroi se “Irani nuk duhet ta përdorë këtë ngushticë si armë për të ushtruar presion ose për të shantazhuar vendet e Gjirit”.

Ai theksoi se Ngushtica e Hormuzit është një korridor ndërkombëtar ujor me rëndësi strategjike globale dhe duhet të mbetet gjithmonë e mbrojtur dhe e hapur për lundrim.

“Kjo gjendje aktuale e ngushticës dhe ajo që po ndodh atje nuk duhet të përsëritet kurrë”, u shpreh Al Thani.

Nga ana tjetër, Fidan mbështeti deklaratat e homologut të tij nga Katari, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së lirive të lundrimit në një prej rrugëve më të rëndësishme për furnizimin global me naftë dhe gaz.

“Parandalimi i përdorimit të Ngushticës së Hormuzit si armë është jashtëzakonisht i rëndësishëm jo vetëm për sigurinë dhe stabilitetin rajonal, por edhe për ekonominë globale”, tha ai.

Katari dhe Turqia shprehën gjithashtu mbështetje për përpjekjet diplomatike të Pakistanit për ndërmjetësimin e një armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa tensionet në rajon vazhdojnë të mbeten të larta.

“Katari dhe Turqia mbështesin përpjekjet e ndërmarra nga Pakistani për të arritur një marrëveshje armëpushimi, për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt të jetë e mundur, për të rihapur Ngushticën e Hormuzit dhe për të rikthyer lirinë e lundrimit në normalitet”, deklaroi Al Thani.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump

Bllokada detare e ushtrisë amerikane ndaj anijeve që shkojnë dhe vijnë nga portet iraniane rifilloi në afatin e fundit në orën 4 pasdite sipas kohës...
22:21 | 14/07/2026

Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi tha të martën se Teherani “nuk ka detyrime” ndaj marrëveshjes 14-pikëshe me SHBA-në që u arrit muajin e kaluar. “Thelbi...
22:18 | 14/07/2026

Numri i të vdekurve nga tërmetet në Venezuelë rritet në 4,734

Numri i të vdekurve nga tërmetet e njëpasnjëshme të muajit të kaluar në Venezuelë u rrit në 4,734, tha të martën Presidenti i Asamblesë Kombëtare...
21:44 | 14/07/2026