“Kemi katër raste riinfektimi me Covid-19”, mjekja Silva Bino jep afatin: Kur pritet të vijë vaksina

17 Dhjetor 2020 | 20:45

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP-së, Silva Bino, ka treguar detaje rreth takimit të zhvilluar me ekspertët turq për menaxhimin e pandemisë së Covid-19. Ajo tha në Euronews Albania se pjesë e diskutimit me ekspertët nga Turqia ka qenë shkëmbimi i eksperiencave mbi metodat e trajtimit të pacientëve të infektuar.

Mjekja shtoi se protokollet që përdoren në Shqipëri për trajtimin e pacientëve të infektuar është e njëjtë me ato që aplikon Turqia.

“Ne kemi pasur takime me ekspertët turq. Ata kanë shkuar në spitalin “Nënë Tereza” dhe kanë biseduar me ekspertët e trajtimit të sëmundjeve infektive. Kemi diskutuar me masat, protokollet dhe ka qenë një ekspertizë shumë e vyer. Ne kemi pasur ngjashmëri në shumë elementë në trajtimin pandemisë dhe trajtimit të të sëmurëve, midis metodave që ndiqen në Turqia dhe ato që ndiqen në Shqipëri. Mënyra e trajtimit dhe protokollit që është në Turqi është i njëjtë me protokollin që ndiqet në Shqipëri. Kjo ka qenë diçka që e kemi ditur më përpara. Ata do të shërbejmë si mentorë dhe do të shkëmbejnë eksperiencat”, tha ajo.

Gazetarja Ilva Tare pyeti znj. Bino nëse ka pasur raste riinfektimi me Covid-19, dhe për këtë mjekja dha këtë përgjigje:

“Kemi katër raste riinfektimi me Covid, ku dy prej tyre janë personel shëndetësor dhe këto kanë qenë raste, të cilat ne i kemi vërtetuar, dhe kanë qenë raste përtej tre muajve, sepse tre muaj pasi kalon covid-in ti mund të kesh pozitivitet, por personi nuk është infektues se janë mbeturinat të virusit. Pra, kjo nuk është se personi është infektues, dhe nuk paraqet rrezik për tjetrin. Në një rast ka qenë më agresiv. Ka pasur rastet që riinfektimi ka qenë një formë të lehtë, por ka pasur raste më të rënda.”

Mjekja listoi grupet e shoqërisë, të cilat do të jenë të parat në radhë për të marrë vaksinën. Sipas saj, grupi i parë, i cili do të përfitojë është stafi mjekësor, dhe ato persona, që kanë kontakte apo që iu shërbejnë të sëmurëve.

“Sigurimi i vaksinës për vendet e vogla është një sfidë, dhe për këtë arsye ato marrin pjesë nëpër disa konsorciume. Natyrisht grupet e para të cilat do të vaksinohen janë grupet ku impakti dhe risku është më i madh. Grupi i parë janë punonjësit shëndetësorë, mjekët, infermierët, sanitarët, pra njerëzit që punojnë direkt me të sëmurët në spitalet. Pastaj kemi persona të cilat jetojnë në qendrat rezidenciale, si azile, qendrat për të moshuar, dhe persona që kanë probleme të tjera të shëndeti mendor, të cilët kanë risk të lartë të preken. Pastaj do jenë persona mbi 65 vjeç. Ajo qe kemi vënë re nga të dhënat tona, është se incidenca më e lartë e vdekjeve është mbi 75 vjeç, dhe mbi 65 vjeç. Vdekjet janë një impakt shumë i madh në shëndetin e njerëzve, dhe këta do të jenë persona, që do të vaksinohen”, u shpreh Bino.

Në fund ajo tha se deri tani vaksinat janë provuar se janë të sigurta, por pyetjes se kur ajo mund të vijë në Shqipëri, znj. Bino nuk iu përgjigj me saktësi duke lënë të kuptohet se afati i ardhjes së saj është tremujori i parë i vitit 2021.

“Vaksinat në përgjithësi janë vaksina të sigurta, pavarësisht se kanë marrë atë që quhet “aprovimi i emergjencës”. Ato janë testuar në njerëz, kemi të dhënat të sakta në lidhje me to dhe efektet anësore nuk kanë qenë madhore, por kanë qenë të rralla. Do duhet të vijë brenda tre muajve të parë të vitit”, shtoi ajo.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Linda Rama rrëfen hapat e karrierës së saj përballë gazetares Ilva Tare

Në një intervistë ekskluzive për gazetaren, Ilva Tare, aktivistja dhe gruaja e angazhuar, Linda Rama rrëfeu mbi karrierën e saj sfiduese, mënyrën si e ka...
22:36 | 18/06/2021

Kultura dhe dialogu politik në Shqipëri, sipas optikës së Linda Ramës

Aktivistja Linda Rama në një rrëfim ekskluziv për “Ilva Now” në Euronews Albania analizoi etapat në të cilat ka kaluar dialogu politik në Shqipëri, që...
22:13 | 18/06/2021

“Jemi akoma me plagë të hapur”, Linda Rama përlotet ndërsa rrëfen për humbjen e Aneta Ramës

E ftuar në emisionin “Ilva Now”, aktivistja e shoqërisë civile dhe intelektualja e angazhuar, znj. Linda Rama foli ndër të tjera edhe për marrëdhënien e...
22:02 | 18/06/2021