Kuvendi i Kosovës shtyn për të dielën seancën e zgjedhjes së Presidentit

3 Prill 2021 | 21:45

Pas katër orësh punime, Kuvendi i Kosovës u detyrua të shtyjë seancën e jashtëzakonshme të zgjedhjes së Presidentit.

Me 82 deputetë të pranishëm në sallë, të mjaftueshëm për të zhvilluar seancën, Kuvendi sidoqoftë dështoi të prodhojë një procedurë të vlefshme pasi në dy votime të raundit të parë nuk nxori numrin e mjaftueshëm të votave për të vijuar më tej.

23:15 – Shtyhet seanca për të dielën

Pas një pushimi prej rreth një ore, Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca njoftoi se seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit do të vijojë ditën e nesërme në orën 17:00.

21:50 – Kush nuk mori pjesë në votime

Në seancë nuk marrin pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Listës Serbe. Punimet Kuvendi i nisi me 82 deputetë, por që të paktën tre prej tyre nuk u përfshinë gjatë votimeve.

Një pjesë e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) si Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe Driton Selmanaj nuk kanë marrë pjesë fare në votim, ndërkohë që ka votuar Albena Reshitaj e AAK-së, si deputetja e vetme nga kjo parti që shkeli vendimin për bojkotim të seancës.

21:30 – Dështon përsëritja e votimit të raundit të parë, nuk arrihet sërish kuorumi

Pas rivotimit për raundin e parë për zgjedhjen e Presidentit sërish Kuvendi nuk arriti kuorimin prej së paku 80 fletëvotimesh nga deputetët e pranishëm në sallë. Pas numërimit rezultoi se kishin votuar 79 deputetë – një më shumë se në votimin e parë, por sidoqoftë e pamjaftueshme.

Pas disa momentesh konsultimi, Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca shtyu seancën për një pushim prej 30 minutash.

21:00 – Dështon votimi i parë, nuk arrihet kuorumi

Dështon procesi i parë i votimit, pas pjesëmarrjes vetëm të 78 deputetëve. Në pajtim me rregulloren e procedurës vijohet me përsëritjen e votimit.

20:40 – Kuvendi nis sesionin e parë të votimit

Pas diskutimeve në Kuvend të kryesuesve të grupeve parlamentare të pranishme në sallë, u kalua në sesionin e parë të votimeve për President.

20:30 – Enver Hoxhaj: Kurti nuk po e zgjedh, por po e emëron Osmanin Presidente

Kryetari në detyrë i PDK, Enver Hoxhaj, e cilësoi autokratike mënyrën se si Kryeministri Albin Kurti po mundohet ta zgjedhë Presidentin e Kosovës.

I pranishëm në sallë vetëm për të mbajtur fjalë përpara procedurës, Hoxhaj tha se “Vjosa Osmani po emërohet, nuk po zgjidhet”. Sipas tij këmbëngulja e Kryeministrit Albin Kurti për të vendosur në krye të shtetit Osmanin, pa pasur konsultime dhe dakordësi me partitë e tjera “bëhet për të pasur kontroll tërësor në të gjitha strukturat e shtetit”.

Hoxhaj tha se “PDK më shumë preferon zgjedhjet e përgjithshme se sa bërjen pjesë në një dramë të tillë”. Ai shtoi se Osmani nuk duhet të bëhet Presidente pasi “është politikisht e kapur nga Vetëvendosje” dhe “nuk qëndron dot mbi palët”.

20:25 – Komisioni verifikues konfirmon kandidaturat e Vjosa Osmanit dhe Nasuf Bejtjës.

Komisioni verifikues i kandidaturave për President konfirmoi kandidaturat e Osmanit dhe Bejtjës për President duke i hapur rrugë mundësisë për votimin.

20:15 – Ben Andoni thotë se Vjosa Osmani do të zgjidhet Presidente

Njohësi i mirë i zhvillimeve politike në Kosovë, analisti Ben Andoni, duke folur për Euronews Albania, tha me besim se “Osmani do të votohet si Presidente”.

Andoni e bazoi pritshmërinë e tij te “arsyeja e logjikshme se barra e Kosovës për një palë zgjedhje të tjera në kohë pandemie do të ishte e tmerrshme dhe me kosto të madhe”.

19:59 – Kuorumi shtohet me dy deputetë të tjerë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës njofton shtimin edhe me dy deputetë të tjerë në sallë. Enver Hoxhaj dhe Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës iu shtuan të fundit sallës.

Pas votimit me 66 vota “pro” të Komisionit shqyrtues të figurave të kandidatëve për President, Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejtja, Kuvendi merr 15 minuta pushim.

19:50 – Glauk Konjufca nis seancën me 82 deputetë

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca njoftoi nisjen e seancës duke bërë me dije se ajo është sipas ligjit e mundshme pasi në sallë “janë prezent 82 deputetë”. Seanca për zgjedhjen e Presidentit qe njoftuar të zhvillohej në orën 18:00 mirëpo u shty më pas në orën 19:00.

19:30 – Procedura për Presidentin e Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka 120 deputetë. Zgjedhja e Presidentit bëhet me të paktën dy raunde zgjedhjesh prej së cilave nevojiten dy të tretat e votave – 80 vota.

Kushtetuta parashikon se nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën e cilësuar në dy votimet e para, organizohet një votim i tretë nga i cili mjafton një shumicë e thjeshtë për të nxjerrë një President – 61 vota.

Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk merr shumicën Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Situata me Presidentin është përshkallëzuar pas 5 nëntorit 2020 kur Hashim Thaçi dha dorëheqjen nga posti pas konfirmimit të akuzave për krime lufte nga Gjykata e Hagës.

Prej asaj kohe posti është ushtruar nga kryetarja e Kuvendit të legjislaturës së shkuar, Vjosa Osmani. Kjo e fundit, në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit, iu bashkua në koalicion Vetëvendosjes me premtimin se do të mbështetej për të marrë mandat të plotë në krye të shtetit.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit Vetëvendosje doli forcë e parë dhe mori 67 vota në parlament për të qeverisur vendin.

Përveç Vjosa Osmanit, Nasuf Bejta nga Vetëvendosje është gjithashtu kandidatët për President.

Bejta ka qënë i renditur i 64 në listën e deputetëve të Vetëvendosjes në zgjedhjet e fundit parlamentare. Ai mori mbi 5 mijë vota, ndërsa më herët ka qenë anëtar i LDK-së.

19:00 – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bojkoton seancën për Presidentin

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj njoftoi përmes një postimi në Facbeook se “deputetët e Aleancës nuk do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit për Presidentin”, pasi ajo është kundër opsionit që “pushteti të përqendrohet në dorën e një personi apo partie politike”.

18:30 – Enver Hoxhaj: Gati për pjesën e dytë të dramës?

Kreytari në detyrë i PDK, Enver Hoxhaj komentoi me ironi për gazetarët mbledhjen e sotme të Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit. Në hyrje të selisë, ai iu drejtua gazetarëve: “A jeni gati për pjesën e dytë të dramës?”.

Komenti i tij vjen pasi të premten Lëvizja Vetëvendosje propozoi – dhe më pas u tërhoq – ndryshime të ligjit të zgjedhjeve, duke kërkuar që emigrantët të votojnë në konsullata dhe ambasada.

Propozimi në fjalë u konsiderua si shantazh nga shumica e partive opozitare, ndërsa LDK tha se do ta kushtëzonte prezencën në seancën për Presidentin me tërheqjen e Vetëvendosjes.

18:00 – SHBA dhe Franca thirrje që deputetët të marrin pjesë në seancën për Presidentin

Ambasada e SHBA-së dhe ajo e Francës në Kosovë, u bëri thirrje përfaqësive politike që të marrin pjesë në seancën për zgjedhjen e Presidentit pasi “Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe të qëndrueshme në mënyrë që reformat për të cilat vendi ka nevojë të zbatohen shpejt”.

“Ne mbështesim votimin e presidentit. U bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Kuvendit të përmbushin përgjegjësitë e tyre ndaj popullit të Kosovës, duke marrë pjesë në votim për të siguruar kuorumin,” – shkroi në Twitter ambasadori Philip Kosnett.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të mërkurë është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë....
16:28 | 03/06/2026

Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Zyra e Kurtit ka zbuluar detaje...
15:30 | 03/06/2026

Haxhiu gjatë takimit me Costan: Rruga drejt BE-së, interes strategjik i Kosovës

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se rruga e vendit drejt Bashkimit Evropian është interes strategjik shtetëror. Këto deklarata ajo i...
13:38 | 03/06/2026