Kush do e mbajë fëmijën/ 2200 konflikte për kujdestarinë në Shqipëri menaxhohen nga vetëm 78 përmbarues
Ylli Hoxha ka luftuar gjatë për të qenë pranë me vajzën e vetme, sot 10 vjeç. Pas divorcit, ish-bashkëshortja u largua nga shtëpia e përbashkët në Fushë-Krujë pa lënë gjurmë dhe duke marrë vajzën me vete.
“Kisha dy vite pa parë vajzën, nuk e dija ku jetonte”, thotë Ylli.
Ai kërkoi ndihmë nga shteti në Krujë dhe Fushë-Krujë. Por pa rezultat. Vetëm pas ndërhyrjes së Përmbarimit të Tiranës, vajza u gjet dhe nëna u bind që të lejonte takimet me babanë.
Por Ylli Hoxha nuk është prindi i vetëm që lufton për fëmijën pas divorcit. Janë mbi 2200 të tillë. Shumicën e rasteve megjithatë, viktimat janë nënat.
“Në një rast në Vlorë është marrë masa e arrestit me burg për gjyshen dhe të atit të fëmijës, të cilët e morën fëmijën dhe jo vetëm nuk ja jepnin të ëmës, por humbën çdo gjurmë në qytetin e Vlorës dhe vajtën e strehuan në Berat”, thotë Piro Lutaj, drejtor i Përmbarimit.
Z. Lutaj tregon se ka raste kur fëmijët janë dërguar dhe jashtë Shqipërisë, konkretisht një rast në Elbasan dhe një në Mat.
1 në 4 rastet për kujdestarinë e fëmijëve në Përmbarim kalojnë në konflikte fizike, duke detyruar dhe ndërhyrjen e policisë.
Për rastet ku prindërit nuk e zgjidhin me konsensus, takimet me fëmijët nën 18 vjeç zhvillohen kryesisht në zyrat e Përmbarimit. Janë 22 të tilla në gjithë Shqipërinë.
“Sillen para fëmijëve sikur të jenë dy bisha, edhe në zyrat e Përmbarimit”, thotë Piro Lutaj.
Sipas ligjit, Përmbarimi shtetëror është i vetmi që mund të ndjekë çështjet e takimit me fëmijët apo dhe pensionet ushqimore pas divorcit. Ato zënë 1/5 e 52 mijë rasteve që ky institucion trajton. Prindi që nuk ka kujdestarinë, duhet të paguajë pension ushqimor për fëmijën deri në moshën 25 vjeç.
“Unë e kam 5000 lekë të reja në muaj, por jap aq sa kam mundësi”, tregon Ylli Hoxha.
Por vështirësi në pagimin e këtij detyrimi shfaqin dhe prindërit e pasur.
“Pala që duhet të paguajë detyrimin heq të gjitha llogaritë e veta, edhe rrogën nuk e kalon në emër të vet”, thotë kreu i Përmbarimit.
Janë vetëm 78 përmbarues që i ndjekin këto çështje në të gjithë Shqipërinë. Për t’iu përshtatur nevojave të kohës dhe konkurrencës së privatit, ligji për përmbarimin shtetëror pritet të ndryshohet së shpejti , për herë të parë që nga viti 2001.
Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta