English

Lajmet më të lexuara në Euronews.al për vitin 2020

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Rindërtimi nga tërmeti, COVID-19 në vend dhe më gjerë, tensionet në marrëdhëniet rajonale mes Kosovës dhe Serbisë, integrimi europian i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe së fundmi zgjedhjet në SHBA, ishin temat kryesore më të lexuara online në Euronews.al.

- Advertisement -

1. Konferenca e donatorëve dhe rindërtimi nga tërmeti

Solidariteti ndërkombëtar me Shqipërinë pas tronditjes nga tërmeti i nëntorit përmes konferencës së donatorëve, si dhe sfidat e rindërtimit gradual për të kapërcyer pasojat shkatërrimtare të lëkundjeve, angazhuan vëmendjen e audiencës së Euronews.al.

2.  COVID-19 në Shqipëri, masat e qeverisë dhe lëvizja e qytetarëve

Çfarë është coronavirusi, si të mbrohemi prej tij, informacionet për oraret e lëvizjeve, udhëtimet brenda dhe jashtë vendit, si dhe masat e qeverisë për pandeminë, për të gjitha këto pyetje, qytetarët morën përgjigje të shtjelluara dhe në kohë reale në platformat dixhitale të Euronews Albania.

3. Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian

Përmes raportimeve nga Brukseli, bazuar në burime të besuara dhe raporte ekskluzive, shqiptarët patën mundësi të ndjekin hap pas hap fatin e negociatave për integrimin në Bashkimin Europian. Kushtet e nevojshme për konferencën e parë ndërqeveritare, vendet skeptike dhe perspektiva e ndarjes rajonale, qenë gjithashtu në qendër të vëmendjes së publikut.

4. Greva e naftëtarëve të Ballshit për pagat e prapambetura

Historitë e harresës dhe mjerimit të naftëtarëve të papaguar të Ballshit, përmes raportimeve të drejtpërdrejta dhe të vazhdueshme nga terreni të gazetarëve të Euronews Albania, ishte gjithashtu një temë e rëndësishme e vitit 2020.

5. Çështja e detit me Greqinë, zgjidhet nga Gjykata Ndërkombëtare

Debati shumëvjeçar i detit me Greqinë dhe akuzat politike të brendshme për “shitjen” e territorit detar, qenë një temë mjaft e ngarkuar me zhvillime dhe reagime të shumta, të cilat kulmuan me vizitën e ministrit të jashtëm grek Nikos Dendias në Tiranë. Gjykata Ndërkombëtare e Hagës pritet t’i japë zgjidhje përfundimtare mosmarrëveshjeve të ngrira për detin Tiranë-Athinë.

6. Vrasja nga policia e Klodian Rashës, protestat dhe largimi i ministrit Sandër Lleshaj

Vrasja nga policia e një 25-vjeçari në periferi të Tiranës gjatë kufizimeve të lëvizjeve prej pandemisë trazoi ndjeshëm opinionin publik. Shtatë ditë protesta që pasuan këtë ngjarje u përcollën me hapësirë të veçantë nga Euronews Albania. Lajmet dhe komentet rreth zhvillimeve të këtyre protestave, të rejave nga hetimet për vrasjen dhe sidomos dorëheqjes së ministrit Sandër Lleshaj ishin ndër më të klikuarat gjatë muajit dhjetor.

7. Aktakuzat ndaj ish-udhëheqjes së UÇK dhe dialogu me Serbinë

Zhvillime të rëndësishme në Kosovë si publikimi i aktakuzës nga Dhomat e Specializuara të Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe çështja e dialogut me Serbinë patën vëmendje të veçantë. Vëmendje pati edhe për dialogun Kosovë-Serbi ku pas rikthimit në bisedime nga qeveria e Avdullah Hotit, në shtator u nënshkrua një marrëveshje mes të dyja palëve nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

8. Shqiptari nga Maqedonia e Veriut, atentat në Vjenë

I dyshuari kryesor për sulmin terrorist në Austri, ku mbetën të vrarë 4 persona, ishte një 20-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, i cili tërhoqi vëmendjen e mediave europiane. Euronews Albania udhëtoi në fshatin e tij të origjinës në Tetovë, ku banorët komentuan për njohjen e tyre me familjen dhe autorin e dyshuar.

9. Dritan Abazoviç dhe zgjedhjet në Mal të Zi

Në Mal të Zi nisma politike e shqiptarit Dritan Abazoviç rezultoi vendimtare për të rrëzuar pas tridhjetë vitesh nga pushteti partinë e Milo Gjukanoviç. Intervista e tij ekskluzive për Euronews Albania dhe lajmet e tjera për koalicionin qeverisës morën vëmendje maksimale.

10. – Zgjedhjet në SHBA, Trump kundër Biden për Shtëpinë e Bardhë

Zhvillimet në kohë reale, kushtuar presidencialeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishin ndër më të lexuarat në Euronews.al. Në një transmetim maratonë nga Euronews, audienca pati mundësi të ndiqte të gjitha informacionet që vinin nga gazetarët tanë në Uashington.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Donald Trump prezantoi kriptomonedhën duke rritur frikshëm pasurinë brenda natës! Çfarë mendoni për lëvizjen e tij?