Largimi i emigrantëve nga Shqipëria pas festave ka krijuar radhë në spitalet jopublike të autorizuara nga Ministria e Shëndetësisë për realizimin e tamponit për COVID-19. Shumica e shteteve pritëse kërkojnë përgjigjen e analizës për virusin Sars-Cov 2, e cila duhet të jetë kryer jo më vonë se 72 orë përpara paraqitjes tek autoritetet.
Ndonëse një pjesë e shteteve e ofrojnë falas tamponin për COVID-19, në Shqipëri ai kushton 8 500 lekë të reja. Qytetarët thonë se janë të detyruar ta bëjnë, pasi në të kundërt nuk lejohen të udhëtojnë.
“Më duhet për aeroportin e Turqisë. Do jem transit dhe nuk më lejojnë pa testin e COVID-it. Erdha për festa nga mesi i dhjetorit dhe tani nuk lejohet të kthehesh pa bërë testin”, shprehet një qytetare.
“E kërkojnë në aeroport edhe në Tiranë, edhe në Greqi në Athinë, është pak i shtrenjtë për kohën dhe për njerëzit, sidomos për këtë momentin tani”, shton një tjetër.
Ndonëse në vendimin e tij për autorizimin e spitaleve private që përmbushnin kushtet për realizimin e tamponit, Komiteti Teknik i Ekspertëve deklaroi se ky shërbim do të ofrohej nga të gjitha spitalet që do të përmbushnin kriteret, qytetarët thonë se njohin vetëm këtë laborator për ofrimin e këtij shërbimi. Sipas tyre, ndonëse kohë më parë ky spital e ofronte këtë shërbim në disa pika, tashmë orientimi ka ndryshuar.
“Është e vetmja pikë. Unë në gusht e kam bërë te 3-shi, kurse herët e tjera që kam ardhur, më sjellin këtu, në asnjë vend , më paraqesin këtu, te laboratori këtu”, tregon një qytetar.
Me rritjen e numrit të të prekurve nga COVID-19, në muajin nëntor çmimi i tamponit u ul me 3 500 lekë, duke shkuar nga 12 000 lekë në 8 500 lekë të reja.