Rusia është e gatshme që së bashku më Turqinë të sigurojnë kalimin e anijeve me grurë nga portet detare të Ukrainës.
Gjatë vizitës në Ankara, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov theksoi se Rusia nuk do të sulmojë por mjafton që Kievi të nisë largimin e minave nga portet, ç’ka do të lejojë kalimin e sigurt të grurit.
Diplomati rus theksoi se problemi kryesor ishte se presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy kishte “refuzuar kategorikisht” për të zgjidhur problemin e porteve të cilët janë të minuar.
“Ne deklarojmë çdo ditë se jemi gati të garantojmë sigurinë e anijeve që largohen nga portet ukrainase dhe të drejtohen drejt gjirit të Bosforit), ne jemi gati ta bëjmë këtë në bashkëpunim me kolegët tanë turq”, u shpreh Sergei Lavrov, ministër i Jashtëm i Rusisë.
Lavrov vlerësoi përpjekjet e Turqisë për të zgjidhur situatën.
Me kërkesë të Kombeve të Bashkuara, Turqia ofroi ndihmën e saj për të shoqëruar autokolonat nga portet e Ukrainës, pavarësisht pranisë së minave, disa prej të cilave u zbuluan pranë bregdetit turk.
“Nëse na duhet të hapim tregun ndërkombëtar ndaj drithit, lulediellit ose vajit të lulediellit ukrainas, ne e shohim heqjen e pengesave në rrugën e eksporteve të Rusisë si një kërkesë legjitime”, tha ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu.
Ukraina është një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të grurit dhe vendet perëndimore kanë akuzuar Rusinë se duke mbyllur portet në Detin e Zi, po shkakton një krizë globale të urisë.
Moska mohon përgjegjësinë për krizën ndërkombëtare të ushqimit, duke fajësuar sanksionet perëndimore.