Listat dhe koalicionet, Opozita e Bashkuar depoziton në Këshillin Politik propozimin

27 Shtator 2020 | 19:09

Ndonëse Presidenti ka dekretuar datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, mazhoranca dhe opozita ende nuk kanë rëndë dakord për rregullat e lojës. Çështje të cilat ende mbeten të diskutueshme janë ato për listat e kandidatëve dhe koalicionet parazgjedhore.

Të dielën në mbrëmje, Opozita e Bashkuar ka depozituar në Këshillin Politik draftin për hapjen e vërtetë 100% të listave. Në draft kërkohet që të ruhet e drejta për të formuar koalicione parazgjedhore siç është e parashikuar aktualisht në Kodin Zgjedhor. Ndërkohë opozita përsërit kërkesën për t’iu drejtuar ODIHR-it për mosmarrëveshjet.

“Emrat në listën shumemërore të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit alfabetik, duke filluar nga gërma “a”. Numri i kandidatëve në listën shumemërore nuk mund të jetë më i vogël se numri i mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse, shtuar dy. Për partitë pjesëtare të koalicionit, që garojnë me lista shumemërore të veçanta, numri i kandidatëve në listën shumemërore nuk mund të jetë më i vogël se gjysma e numrit të mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse, shtuar dy. Në çdo rast, numri i kandidatëve në listën shumemërore duhet të jetë i plotpjesëtueshëm me numrin tre’, thuhet në draftin e propozuar nga opozita.

Në këtë propozim thuhet më tej se, “subjekti zgjedhor nuk mund të ndryshojë renditjen e kandidatëve të listës pas regjistrimit të saj dhe se kandidatët rirenditen vetëm në zbatim të procedurave të këtij ligji për përllogaritjen e mandateve fituese në bazë të votimit parapëlqyes dhe të plotësimit të kushtit ligjor për kuotën gjinore.” 

Lidhur me fletën e votimit, sipas propozimit të opozitës së bashkuar, ajo duhet të ketë hapësirën e posaçme për ushtrimin e votimit parapëlqyes për kandidatët e subjekteve zgjedhore. “Pasi merr fletën e votimit, zgjedhësi hyn i vetëm në dhomën e fshehtë dhe në fletën votimit shënon në krah të emrit të subjektit zgjedhor apo partisë pjesëtare të një koalicioni, dhe kandidatit të parapëlqyer të subjektit zgjedhor shenjën “x” ose “+” apo një shenjë tjetër që tregon qartë zgjedhjen e bërë prej tij”, thuhet në draft. 

Në draft janë përcaktuar dhe kushtet kur një fletë votimi duhet konsideruar e vlefshme. “Vota të vlefshme janë vetëm fletët e votimit, në të cilat është votuar qartësisht vetëm për njërin nga subjektet zgjedhore apo partinë politike pjesëtare të koalicionit dhe vetëm për njërin nga kandidatët e tij. Kur zgjedhësi ka votuar vetëm për një parti politike por jo për një kandidat të saj, apo kur ka votuar për më shumë se një kandidat të të njëjtës parti, vota i llogaritet vetëm partisë politike”, thuhet në draft. 

Për respektimin e kuotës gjinore, Opozita e Bashkuar thotë në draft se kjo çështje zgjidhet në momentin e shpërndarjes së mandateve nga KQZ.  

“Kur nga ndarja e mandateve nominale të subjektit zgjedhor, brenda zonës zgjedhore, nuk respektohet parimi i barazisë gjinore i cili garanton përfaqësimin në masën e të paktën 30 % të gjinisë së nën përfaqësuar  KQZ  ndan mandatet duke garantuar parimin e  barazisë gjinore.  Në këtë rast mandati i fundit takues për kandidatin e gjinisë më të përfaqësuar ndahet për kandidatin me numrin më të lartë të votave parapëlqyese të gjinisë së nënpërfaqësuar.  Kjo procedurë përsëritet deri sa mandatet që ndahen të respektojnë detyrimin e përfaqësimit në masën 30 % të gjinisë së nën përfaqësuar për secilën zonë zgjedhore”, parashikon drafti.

Deri tani, mazhoranca qeverisëse ka mbajtur qëndrime të kundërta për këto dy çështje që konsiderohen thelbësore për procesin e votimit. Partia Socialiste thotë se, koalicionet nuk janë të ndaluara por do të duhet të garojnë me listë të përbashkët. Ndërsa për listën e kandidatëve, PS ka propozuar një formulë ku renditja diktohet nga kryetari i partisë dhe për të përmbysur këtë renditje kandidatët poshtë listës fituese do të duhet të marrin aq vota sa janë të mjaftueshme për të marrë një mandat.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026