Gazetari i Euronews Albania Ernest Bunguri: Partitë në Shqipëri keqpërdorin procesin e integrimit
Përgatitjet për zgjedhjet e 25 prillit 2025, klima e fushatës, mbarëvajtja e procesit dhe vetë zgjedhjet pritet të jenë vendimtare për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Për gazetarin e Euronews Albania, Ernest Bunguri mbajtja e zgjedhjeve sipas standardeve të BE-së është detyrë kryesore për momentet në të cilat përballet Shqipëria, por edhe prej faktit se ende nuk ka bërë zgjedhje me standarde të tilla. Për këtë dhe prej përvojës së hasur ku në tërësi procesi i integrimit është bllokuar disa herë për mos-marrëveshje dhe çështje të tjera pa lidhje me procesin, Bunguri tha se partitë politike “e kanë keqpërdorur këtë proces”.
“Shqipëria është një prej vendeve që vuan akoma imazhin e një vendi që nuk ka bërë ende zgjedhje siç duhet, pavarësisht vlerësimeve të ndryshme që bëjnë aktorë të ndryshëm,” – u shpreh Bunguri.
I pyetur rreth kushtit të vendosur Shqipërisë për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, korrespondenti që mbulon për Euronews Albania zhvillimet nga Brukseli tha se “ajo shihet si gjë teknike”.
“Sigurisht është një prej atyre gjërave teknike që është shumë me rëndësi për të zgjidhur edhe shumë kushte të tjera që varen nga kjo gjykatë, siç është ai i certifikimit të vendimeve që u morën për zgjedhjet e vitit 2019 dhe që futen në pjesën e dytë të kushteve përpara hapjes së kapitujve [të negociatave],” – tha Bunguri.
Gazetari i Euronews kujtoi se kusht tjetër për Shqipërinë mbetet edhe ligji i mediave, ku kryesor është cilësia se sa shpejtësia e miratimit të një ligji të tillë.
Në analizën e tij, Bunguri vijoi duke thënë se në përgjithësi partitë politike në Shqipëri e kanë keqpërdorur procesin e integrimit duke e kushtëzuar atë për çështje të politikave të brendshme të cilat mund të zgjidheshin duke u dialoguar mes palëve.
“Brukseli ka kohë që i ndjek zhvillimet në Shqipëri. Raporti i fundit thekson polarizimin politik […] kur bëhet fjalë për integrimin e vendit të gjitha forcat politike duhet të bëjnë pjesën e tyre, kemi parë që kur ka pasur përplasje mes palëve shpesh është futur në lojë Komisioni i Venecias, dhe KE ka rekomanduar shpesh që të ndiqen të gjitha opinionet e saj, edhe për shkak të mungesës së Gjykatës Kushtetuese, […] por nëse me këtë debat të ri [reforma zgjedhore] do të shkelen edhe një herë të drejta qoftë edhe të një partie apo të një tjetre për zgjedhjet, do t’i shtojë një barrë tjetër këtij procesi ku partitë politike minimalisht do të duhet të ishin bashkë dhe të mos e keqpërdornin procesin e integrimit për gjëra që mund t’i zgjidhnin fare mirë [me dialog] këtu,” – komentoi Bunguri duke kujtuar se keqpërdorime të tilla ka bërë në të shkuarën edhe Partia Socialsite.
Bunguri kujtoi disa momente të shkuara kur edhe PS-ja pati bllokuar disa ligje të rëndësishme për procesin integrues pas qëndrimeve dhe gjykimeve që ajo mbante në të shkuarën.
Korrespondenti i Euronews Albania, Ernest Bunguri, i kreu komentet e tij gjatë një diskutimi ku ishte i pranishëm edhe deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni.
Ndiqni të plotë diskutimin:
Lexoni gjithashtu:
Alket Hyseni: Ndryshime në Kodin Penal për zgjedhjet do të rivotohen
Linda Rama rrëfen hapat e karrierës së saj përballë gazetares Ilva Tare
Kultura dhe dialogu politik në Shqipëri, sipas optikës së Linda Ramës
“Jemi akoma me plagë të hapur”, Linda Rama përlotet ndërsa rrëfen për humbjen e Aneta Ramës
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta