Komisioneri Varhelyi në Kosovë: Kushtet për liberalizim të vizave janë plotësuar, por duhen bindur shtetet anëtare

8 Tetor 2020 | 08:51

Komisioneri për zgjerim dhe fqinjësi të mirë në Bashkimin Evropian, Oliver Varhelyi, vizitoi sot për herë të parë Kosovën, ku mëngjesin e së enjtes zhvilloi takim me kryeministrin Avdullah Hoti.

Gjatë konferencës për shtyp, kryeministri Hoti u shpreh se takimi me Varhelyin ka sjellë lajme të mira për rajonin pasi BE-ja është angazhuar të alokojë 9 miliardë euro fonde për rimëkëmbjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor.

Nga ky fond, Hoti tha se do të përfitojë edhe Kosova. Gjatë fjalimit të tij kryeministri i Kosovës u ndal edhe në çështjen e liberalizimit të vizave, ku kujtoi se autoritetet kosovare i kanë plotësuar prej kohësh kushtet, gjë që u konfirmua edhe nga komisioneri Varhelyi, por që ai shtoi se “gjithçka varet nga dakordësia e vendeve anëtare”.

“Nuk ka në asnjë takim të vetëm që nuk e kemi diskutuar këtë çështje, po përpiqem t’i bind shtetet anëtare për nevojën e liberalizimit të vizave, pasi vlerësimi ynë është që ju i keni plotësuar kushtet, por vendimin nuk e marrim ne, e marrin shtetet anëtare, ne na takon të bëjmë propozimin dhe e kemi bërë,” – u shpreh Varhelyi.

Kosova mbetet vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që lejohet të udhëtojë për në vendet e Bashkimit Evropian me regjim vizash, regjim që do të hiqet, siç tha Varhelyi, “vetëm pasi vendet e BE-së të binden se nuk ka krim të organizuar, apo mungesë sundimi ligji”.

Varhelyi u shpreh se BE-ja do të mbështesë planin e zgjerimit sipas metodologjisë së re dhe me planin e ri rajonal do të shtrijë zhvillimin dhe bashkëpunimin.

“Është vendimtare të kemi fushë të përbashkët ekonomike në Ballkan, sepse këto investime do të nxjerrin përfitime vetëm nëse funksionojnv në nivel rajonal,” – u shpreh Varhelyi, i cili tregoi se nga BE-ja kërkohet përshpejtim i reformave.

“Qeveria duhet të angazhohet më shumë për përshpejtimin e reformave ligjore, na duhen të gjitha kapacitetet e nevojshme për t’i shfrytëzuar fondet që do të vijnë nga Brukseli,” – tha Varhelyi.

Komisioneri i përcolli Hotit raportin vjetor të mbajtur nga Brukseli, që sipas tij “e përshkruan situatën mirë, por dhe me detyra specifike se çfarë duhet përmirësuar”.

Gjatë konferencës për shtyp Varhelyi u pyet për dialogun Kosovë-Serbi. Ai tha se për këtë çështje mund të flasë i dërguari i posaçëm për ndërmjetësim, Miroslav Lajčák, por që ai personalisht “po bën gjithçka është e mundur për të ndihmuar”.

Kryeministrit Hoti ndërkohë gazetarët i përmendën deklaratat e thëna në studio televizive dhe i kërkuan qartësi se çfarë do të bëhet nëse dialogu nuk do të ketë rezultate.

“Dy deklaratat e mia qëndrojnë dhe nuk janë kontradiktore, kemi hyrë në dialog për marrëveshje paqeje dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve, kjo vetëm me njohje reciproke. Jemi të përkushtuar për dialog, nëse e përmbyllim këtë do ishte shumë mirë për ne, ata, rajonin dhe BE-në. Por nëse nuk arrihet kjo, e them sërish, do të vazhdojmë si më parë, si dy shtete të pavarura, fqinje, por që nuk e njohin njëra-tjetrën,” – tha Hoti.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të mërkurë është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë....
16:28 | 03/06/2026

Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Zyra e Kurtit ka zbuluar detaje...
15:30 | 03/06/2026

Haxhiu gjatë takimit me Costan: Rruga drejt BE-së, interes strategjik i Kosovës

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se rruga e vendit drejt Bashkimit Evropian është interes strategjik shtetëror. Këto deklarata ajo i...
13:38 | 03/06/2026