Protesta e opozitës, Berisha mesazh Ramës: Nuk ikën me votë, do të heqim ne
Ka nisur rreth 20 minuta më vonë se orari i lajmëruar protesta e Partisë Demokratike para Kryeministrisë.
Kryedemokrati Sali Berisha i është bashkuar mbështetësve të mbledhur në bulevard duke ecur në këmbë nga selia e PD, i shoqëruar nga nënkryetarët Flamur Noka dhe Oerd Bylykbashi.
Ai është pritur me ovacione dhe thirrje “O Sali o hero, gjithë Shqipëria ty të do”, nga simpatizantët.
1400 forca policie janë angazhuar në terren për mbarëvajtjen e protestën së opozitës, për të cilën është lajmëruar vetëm orari i nisjes, ora 18:00 ndërsa nuk dihet sa do të zgjasë.
Policia ka njoftuar se për shkak të protestës e cila nis në orën 18:00 do të ketë kufizime në disa rrugë.
Berisha: Jemi më të vendosur se kurrë në ekzistencën tonë për të përmbysur këtë narkodiktaturë
Të dashur miq, pasi shndërroi zgjedhjet në farsë elektorale, duke organizuar me paratë tuaja mijëra veprimtari të paligjshme në periudhë elektorale, duke arrestuar liderët kryesorë të partive opozitare, duke përdorur tonelatat e drogës të karteleve, duke shndërruar nëpunësit e shtetit në policë të votës së lirë, duke falur 2 miliardë euro gjoba dhe kamata vetëm për karrigen e tij, ai në një revansh të paparë bëri gjithçka që të mbyllë çdo hapësirë opozitës.
Ai mendoi se projektin e tij Shqipëria pa opozitë, tani do e realizojë.
Miq, rrallë ndonjëherë ka vendosur, vetëm në disa vende të Afrikës, që qeveritarët të bëhen multi-miliarderë dhe miliarderë dhe qytetarët të varfërohen dhe të braktisin vendin e tyre.
Me paratë tuaja, Edi Rama ka vendosur vellon e zezë të censurës, paguan mediat e tij, të cilat glorifikojnë të keqen, i thurin lavdi krimit të tij, demonizojnë opozitën, mashtrojnë qytetarët.
Me paratë që u grabit ju, ky armik i egër i qenies shqiptare, kontrakton lobistë, ish-ministra, ish-kryeministra, diplomatë, ambasadorë, zyrtarë të lartë, për deklarata të paguara, për mashtrime ndërkombëtare, për beteja kundër opozitës.
Të gjitha duke besuar se Shqipëria pa opozitë është projekt që do e realizojë së shpejti.
Po ja ku jemi sot, më të fuqishëm se kurrë, më të vendosur se kurrë në ekzistencën tonë për të përmbysur këtë narkodiktaturë siç përmbytëm etërit e tij 35 vjet më parë.
Berisha: Kombi në momente kritike, Rama një kapobandë
Duke folur nga podiumi para Kryeministrisë, kreu i PD, Sali Berisha, tha se kombi është në një nga momentet më kritike, jo vetëm në 35 vitet e fundit, por gjatë gjithë historisë së tij mijëvjeçare.
“Në këto dhjetë vite, shqiptarët janë pakësuar më shumë se çdo epidemi, më shumë se çdo pushtet, më shumë se çdo zi buke dhe çdo gjë tjetër. Shqiptarët në këto dhjetë vite të këtij regjimi kanë shkuar mbrapa 100 vite. Sot ata kanë humbur mbi gjysmën e rinisë së vet, kanë humbur të ardhmen, dhe çdo vit bëhen gjithnjë e më pak në këtë vend të bekuar. Ndodhemi në një moment kritik, ndoshta si kurrë më parë, sepse Edi Rama, pasi shndërroi zgjedhjet në farsë elektorale, del se ka vendosur të bëhet multimilardier me paratë dhe pasuritë tuaja publike. Ai ka vendosur veten mbi çdo pushtet dhe mbi ligjin dhe Kushtetutën. Edi Rama hidhi sytë mbi këtë bulevard dhe nga sonte, ti kurrë nuk do të ndihesh më në Shqipëri, as në botë, si kryeministër, por si kapobandë,” tha Berisha.
Klevis Balliu në protestë: Të largojmë bandat e pushtetit dhe drejtuesin e narkoshtetit
Deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu tha se qëllimi i kësaj proteste dhe të tjerave që do pasojnë është rrëzimi i narkoshtetit që sipas tij ka ngritur Edi Rama duke varfëruar përditë popullin.
“Një narkopushtet ka vjedhur çdo ditë duke i kthyer shqiptarët në popullin më të varfër me pushtetarët më të pasur të botës. Duhet të luftojmë që t’i çojmë në burg dhe t’u konfiskohen të gjitha paratë që iu ka vjedhur ju. Këtu në këtë protestë nuk janë militantë të partisë, janë militantë të Shqipërisë që duan të largojnë narkoshtetin, sot është gjithë Evropa që fakton se Edi Rama është kryetari i një narkoshteti.
Salianji nga protesta: Nuk më përjashton dot askush nga PD
Salianji theksoi se do vijojë të jetë pjesë e PD-së dhe nuk përjashtohet dot nga askush. Ai thekson se lëvizja që ai drejton në PD ka pasur peshë mjaftueshëm sa për ta ndryshuar këtë parti.
“Mesazhi është për të gjithë qytetarët për të protestuar dhe larguar qeverinë. Mua nuk më përjashton dot asnjë njeri, sot është radha për të përjashtur Edi Ramën.
Kemi ardhur me mbështetësit e PD-së, unë jam në PD , do jem në PD. Jam drejtues i një lëvizje shumë të rëndësishme për PD-në. Partia ka ndryshuar pas kësaj lëvizje. Unë po punoj në PD, por ka një qëndrim të qartë se PD dhe opozita duhet të jetë më e fortë për të mos qëndruar në këmbë qeveria.
Sot ta kemi fokusin këtu. Kam zgjedhur të takoj njerëzit këtu sepse nuk jam organizator, jam këtu si demokrat”.
Belind Këlliçi paralajmëron policin: Kujdes se e kam personale, guxo dhe një herë
Në protestën që po zhvillon Partia Demokratike së bashku me një numër të madh militantësh, ka folur në podium edhe deputeti i PD-së Belind Këlliçi.
“Demokracia nuk vdes në një ditë, vetëm kur njerëzit binden se nuk ka alternativë. E nisëm betejën kur kemi qenë shumë pak, qëndruam dhe protestuam për 44 javë rresht. Ne të gjithë së bashku do ta bëjmë aktin e fundit. Këmbanat që bien po kujtojnë se pushteti nuk është i përjetshëm.
Kam një mesazh personal për komisariatin numër 4 në Tiranë.
Harroje shantazhin ndaj demokratëve me deklaratën ku kërkoje sot me shkrim që të firmosin demokratët për të mos marrë pjesë në protesta. Ne nuk të llogarisim. Guxo ti dhe shefat e tu edhe një herë të vetme ti bini në qafë demokratëve, dhe do merremi personalisht me ju, një e nga një”.
Lapaj në Euronews: Pse i lirova vendin opozitës dhe nuk u bashkova me protestën e PD
Adriatik Lapaj është spostuar pranë Kryesisë së Kuvendit, duke i liruar vendin opozitës për protestën e kësaj të hëne.
“Unë kam ofruar vizionin për një protestë kombëtare me flamurin kombëtar, përtej logove të partive. Nëse PD do ta pranonte këtë, do të isha edhe unë së bashku me ta aty, për ta bërë masive, që askush të mos na ndalojë. Duhet ta kuptojmë se nuk duhet të jetë miting, por revoltë qytetare me qëndresë, revoltë e njerëzve që vijnë në shesh dhe nuk ikin më. Ai nuk ikën me mitingje, është provuar për 13 vite dhe nuk ka ikur. Prandaj duhet flamuri kombëtar që na udhëheq dhe një bashkim i madh i të gjithë shqiptarëve, të majtë e të djathtë, me parti apo pa parti. Sot është momenti, është koha që demokratët e ndershëm, socialistët e ndershëm, të krishterët, myslimanët, të gjithë ata që vidhen dhe që mendojnë se jemi nën një regjim nga më të korruptuarit në botë, të bashkohen”, tha Lapaj.
Në nisje të protestës edhe deputetja e PD-së Jorida Tabaku, theksoi se protesta e sotme e PD nuk ka një skenar të caktuar.
“Do ketë disa fjalime politike dhe pastaj fjalën e kanë qytetarët, kjo është protestë qytetare. Besoj që pjesëmarrja është e mirë. Sot kundërshtarin e kemi përballë dhe nëse këtë nuk e ka kuptuar ndonjë në PD e ardhmja nuk për të qenë e mire. Sot jemi përballë qeverisë dhe të gjithë duhet të jenë në shesh”, tha Tabaku.
LEXONI GJITHASHTU:
Protestuesit marshojnë në rrugët e Tiranës, drejtuesit e mjeteve solidarizohen me ta (VIDEO)
Shijak, mbi 2500 pjesëmarrës në festivalin ndërkombëtar të motoristëve
6 mbikalime për këmbësorët në pjesën e zgjeruar të autostradës Tiranë-Durrës
- 22:41 Si pritet të ndahen vendet në Kuvendin e Kosovës pas përfundimit të zgjedhjeve
- 22:34 Irani sulmoi Izraelin, reagon Donald Trump
- 22:22 Vetëvendosje shpall fitoren, merr më shumë se 280 mijë vota
- 22:19 Garda Revolucionare e Iranit: Operacioni ndaj Izraelit ishte paralajmërim
- 21:53 E rëndë në Maltë, mbytet anija me 60 emigrantë! 10 persona humbin jetën
- 21:52 SHBA po shqyrton planin që të blejë Ishujt Chagos nga Mauritiusi