Protestë e tensionuar në Tiranë pas vrasjes së qytetarit Rasha nga policia

9 Dhjetor 2020 | 15:57

Situata para Kryeministrisë është tensionuar së tepërmi në orët e mbrëmjes teksa protestuesit kanë tentuar të mësyjnë brenda godinës së qeverisë duke shkatërruar me mjetet të forta derën qendrore. Policia është zmbrapsur përballë situatës së krijuar, duke bërë që gjithçka të dalë jashtë kontrollit për disa momente.

Por në ndihmë kanë ardhur forcat speciale të cilët kanë mundur të zmbrapsin menjëherë protestuesit e dhunshëm duke përdorur spraj lotsjellës. Më tej ata kanë krijuar një gardh para godinës së kryeministrisë duke mos lejuar protestuesit të afrohen, të cilët nga ana e tyre kanë vijuar të qëllojnë me gurë e mjete të forta në drejtim të policisë.

Grupi i protestuesve, kryesisht të rinj, më herët i vunë flakën pemës së madhe para Kryeministrisë të zbukuruar për Vitin e Ri. Policia ndërhyri menjëherë për të shuar flakët dhe për të vënë nën kontroll sitiuatën, por protestuesit pas pak minutash e kanë ndezur sërish në flakë bredhin.

Më tej protestuesit e kanë rrëzuar në tokë bredhin, teksa nga ana e policisë nuk ka pasur asnjë lloj rezistence për të penguar të rinjtë protestues që ta bëjnë këtë gjë.

Burime nga policia e shtetit bëjnë me dije se nga përplasja me protestuesit, 8 policë kanë mbetur të plagosur, nga të cilët 5 te Ministria e Brendshme dhe 3 te Kryeministria. Një pjesë e tyre janë plagosur në kokë, shumica dhe në trup me gurë e sende të forta.

Vrasja e 25-vjeçarit, protestuesit përplasen me policinë para Ministrisë së Brendshme

Aktivistë të shoqërisë civile, por dhe qytetarë të ndryshëm janë konfrontuar fizikisht me forcat e Policisë përpara se të shkonin tek Kryeministria para Ministrisë së Brendshme.

Ata fillimisht tentuan të hyjnë brenda ambienteve të Ministrisë së Brendshme. Protestuesit vazhdimisht lëshuan thirrje për largimin dhe dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe ministrit Sandër Lleshaj. Protesta e tyre ka ardhur si rezistencë pas vrasjes së 25-vjeçarit Kodian Rashës dje nga një efektiv i forcave “Shqiponja”.

Gazetari i Euronews Albania, Renaldo Salianji, raporton se nga konfrontimet ka mbetur i plagosur edhe një punonjës i medias. Me pankarta të ndryshme dhe me thirrjet “Hiqni Kapelet”, “Drejtësi për Klodianin”, “Poshtë Diktatura” protestuesit kërkojnë llogari për vrasjen e të riut Klodian Rasha.

Aktualisht një pjesë e protestuesve janë para godinës së kryeministrisë për të vijuar rezistencën qytetare si kundërpërgjigje për vrasjen e 25-vjeçarit.

Duke dënuar veprimin e efektivit të “Shqiponjave”, Policia e Shtetit me një reagim publik i përcolli ngushëllime familjes së 25-vjeçarit, dhe u zotua për zbardhjen e ngjarjes. Ndërkohë, presidenti i Republikës Ilir Meta si dhe institucioni i Avokatit të Popullit kanë bërë apel për zbardhjen e rrethanave të këtij akti të rëndë.

“I kërkoj Prokurorisë të hetojë intensivisht, të zbardhë të vërtetën dhe të vërë para përgjegjësisë menjëherë autorët e aktit kriminal, të kryer nga organi që ka pikërisht detyrën të mbrojë jetën e qytetarëve,” – theksoi Meta teksa i ka bërë thirrje shoqërisë civile të jetë më aktive në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Lajmi në përditësim….

 

Lexoni gjithashtu:

Vrasja e Klodian Rashës, Policia e Shtetit reagon publikisht për ngjarjen

Të rinjtë e FRPD-së protestë për vrasjen e Klodian Rashës: Lleshaj të japë dorëheqjen

Vrasja e Klodian Rashës, shokët: Nuk ka qenë i armatosur, veprimi i policisë i paligjshëm

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026