Majlinda Kelmendi tërhiqet nga xhudo, shkak lëndimet
Kampionia e xhudos Majlinda Kelmendi ka vendosur të tërhiqet nga sporti aktiv dhe të vijojë si asistente e trajnerit Driton Kuka, përzgjedhës i përfaqësueses së Kosovës. Shkak për këtë vendim të njoftuar të hënën janë bërë lëndimet.
Në një intervistë për Kohavizion, sportistja e parë që fitoi medalje ari për Kosovën në Lojërat Olimpike, ka thënë se përballja kundër hungarezes Reka Pupp në Tokio ishte e fundit në karrierë.
Pupp zhgënjeu sportdashësit shqiptarë pasi në Tokio e eliminoi Kelmendin që në raundin e parë të turneut. Sportistja 30-vjeçare ka spikatur në kategorinë e peshave 52 kilogramë në xhudo, ku në vitin 2016 në Rio de Zhanejro fitoi dhe medalje ari.
Kelmendi tha se për shkak lëndimesh dy vitet e fundit ka menduar disa herë të tërhiqet, por për hatër të trajnerit Kuka vendosi të provojë edhe një herë Lojërat Olimpike.
“Fatkeqësisht nuk shkoi si duhet, nuk është se nuk isha në formë, por nuk ishte dita ime,” – ka thënë Kelmendi për Kohavizion.
“Po, për mua kjo ka qenë gara e fundit, nuk e kam pritur që të shkonte kështu. Ishte e shkruar, të gjitha i kam fituar. I kam sjellë Kosovës mjaft emocione, mjaft lot, por tani është radha e të tjerëve. Do jem afër Tonit [trajnerit] për t’u munduar të nxjerrim talente të tjera prej Kosovës,” – ka vijuar Kelmendi.
Sportistja 30-vjeçare, kampione bote (2013, 2014), Evrope (2014, 2016, 2017) dhe fituese e dhjetëra turneve të tjerë madhor ka shprehur gjithashtu kënaqësinë për suksesin e Nora Gjakovës, e cila sot fitoi njësoj si Distria Krasniqi medalje ari në xhudo.
“Nuk jemi befasuar. Nora jo që nuk mundet, por nganjëherë është njeri që kalkulon shumë. Jam shumë e lumtur që puna e sakrifica e Tonit po shpërblehet në këtë mënyrë,”- tha Kelmendi.
Kelmendi fillimisht ka përfaqësuar Shqipërinë në Lojërat Olimpike të Londrës (2012), kohë kur Kosova nuk ishte pjesë e federatave ndërkombëtare të sportit.
LEXONI GJITHASHTU:
Maran e nis me humbje, Izraeli mposht Shqipërinë në miqësoren me tensione
Sherr në fushë pas golit të Izraelit, Glouk provokon! Tifozët thërrasin “Palestinë”
Botërori 2026, miliona turistë dhe miliarda fitime
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta