Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë një dalje për mediat mbi situatën e pandemisë tha se ende nuk ka një datë të saktë se kur do të mbërrijnë vaksinat e para nga aleanca e COVAX. Znj. Manastirliu tha se Shqipëria ka parapaguar një shumë prej 4 milionë dollarë, plan që do t’i garantojë sigurimin e vaksinimit të 500 mijë qytetarëve. Ndërkohë nga marrëveshja me Pfizer do të sigurohen 500 mijë doza.
“Javën tjetër do të kemi një përgjigje nga COVAX për të mësuar kohën kur do të vijnë dozat e para nga COVAX. Kemi paguar 4 milionë dollarë dhe përmes kësaj platforme kemi parashikuar vaksinimin e rreth 500 mijë shqiptarëve. Ndërsa përmes marrëveshjes me Pfizer do të kemi 500 mijë doza që do të vijnë nga 30 mijë doza çdo muaj. Deritani kemi plan për të vaksinuar 800 mijë shqiptarë ndërkohë që vijojnë negociatat për të siguruar të gjera vaksina”, deklaroi ministrja.
Gjatë pyetjeve me gazetarët, znj. Manasterliu foli edhe për çështjen e arrestimi të sanitares së spitalit COVID-2, “Shefqet Ndroqi”, ku tha se bëhet fjalë për rast sporadik të korrupsionit dhe abuzimit në shëndetësi.
“Nuk kemi thënë që sistemit është i përsosur dhe nuk ka asnjë problem. Ja pra që ka batakçinj që shkaktojnë një dëm të madh. E para shfrytëzojnë hallin e atij që luftojnë me jetën dhe e dyta shkel besimin e familjarit. Kjo është e neveritshme dhe meriton ndëshkim dhe dënim maksimal ashtu sikur ka ndodhur. Ata na bëjnë një dëm të madh pasi godasin një marrëdhënie që ne jemi duke e kuruar prej vitesh, marrëdhënien e shenjtë mjek-pacient”, tha znj. Manasterliu.
Shqipëria ka paguar 3.99 milionë dollarë si formë parapagimi për vaksinën anti-Covid19, tek aleanca COVAX për të vaksinuar 570 mijë persona ose rreth 20% të popullsisë. COVAX, që ka si qëllim të bashkojë kapacitetet financuese dhe prodhuese për të siguruar një sasi sa më të madhe vaksinash për t’i shpërndarë ato mes vendeve anëtare të aleancës, ka bërë marrëveshje me 9 prodhues vaksinash, përfshi Moderna dhe AstraZeneca, që tashmë kanë prodhuar një vaksinë.
COVAX pritet që në shkurt të nisë furnizimin me vaksinë të 92 vendeve anëtare të saj dhe shpreson që deri në qershor të ketë mbuluar deri në 3% të popullsive të tyre. Të paktën 49 vende kanë nisur vaksinimin pasi kanë arritur të që sigurojnë dozat e para direkt nga kompanitë farmaceutike kurse vendet e varfra sidomos ato të Afrikës janë të varura plotësisht nga COVAX.
Lexoni gjithashtu: