Marrëveshja, Këshilli Politik arrin dakordësi për administrimin zgjedhor

5 Qershor 2020 | 16:19

Këshilli Politik ka arritur më në fund marrëveshje për administrimin e procesit zgjedhor gjatë një takimi që zgjati për rreth një orë dhe i mbajtur në Pallatin e Kongreseve.Dakordësia përfshin identifikimin biometrik në masën 100% në procesin e votimit për të shmangur votimin më shumë se një herë të një individi. Ndërsa Partia Socialiste u tërhoq nga depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme.

Në mbarim të takimit, dy përfaqësuesit e opozitës së bashkuar jashtëparlamentare, Bylykbashi nga PD dhe Vasili nga LSI përsëritën akuzat se qeveria kishte tentuar të kapte procesin zgjedhor me kërkesat e saj, por thanë se nuk ia doli. Përfaqësuesi i PS, Damian Gjiknuri, tha se prioritet për mazhorancën ishte konsensusi. Lidhur me çështjen e qeverisë teknike është tërhequr nga opozita dhe kryeministri, Edi Rama do të jetë në drejtim të qeverisë dhe gjatë zgjedhjeve të ardhshme.

Në këtë takim të thirrur nga OSBE, ishin të pranishëm ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim dhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Duncan Norman si dhe kreu i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Bernd Borchardt. Ambasadorët e SHBA, BE, OSBE, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë u përfshinë prej disa ditësh në negociata për të afruar palët drejt një marrëveshjeje për këtë reformë.

“Tym i bardhë” për zgjedhoren, Meta përgëzon palët: Kultura e konsensusit duhet të vazhdojë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka përgëzuar konsensusin që palët politike arritën këtë të premte në tryezën e reformës zgjedhore, ku të pranishëm ishin edhe ambasadorët e SHBA, BE dhe ai i Mbretërisë së Bashkuar.

Kreu i shtetit shprehet se ky është një lajm pozitiv, por jo i mjaftueshëm për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai fton palët që këtë frymë pozitive ta dëshmojnë edhe për çështje të tjera, me qëllim afrimin sa më parë të Shqipërisë në familjen europiane

Kryemadhi: Marrëveshja të zbatohet pa humbur kohë

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka shprehur mirënjohje për ndërkombëtarët në arritjen e marrëveshjes për reformën zgjedhore dhe ka bërë thirrje për zbatimin e pikave për të cilat është gjetur kompromis.

“Rezultati i sotëm në Këshillin Politik, i arritur dhe me kontributin e partnerëve ndërkombëtarë është pozitiv dhe duhet implementuar pa humbur kohë, me integritet, ashtu siç e kërkon dhe kushti i radhës i BE, ashtu siç e meritojnë qytetarët shqiptarë. Reformat bëhen pikësëpari për njerëzit, të cilët presin ndryshimin dhe mundësinë e shprehjes së vullnetit të tyre lirisht në zgjedhje. Pa zgjedhje të lira dhe të ndershme s’ka demokraci dhe pa demokraci s’ka ekonomi e mirëqenie për shqiptarët.

LSI dhe Opozita e Bashkuar është e vendosur për realizim me sukses të angazhimeve të marra para popullit shqiptar për sa i përket forcimit e përmirësimit të themeleve të demokracisë në vendin tonë, si dhe përshpejtimit të rrugës së integrimit evropian të Shqipërisë”, shprehet Kryemadhi.

Komisioneri Varhelyi: Hap i rëndësishëm drejt BE

Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi ka përshëndetur marrëveshjen duke e cilësuar një arritej të madhe për Shqipërinë.

“Marrëveshja e sotme politike për reformën elektorale në Shqipëri është një arritje e madhe. Përgëzojë të gjitha partitë që pas një procesi gjithëpërfshirës arrijnë në këtë çelës. Reforma do të forcojë procesin elektoral duke e afruar me linjën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Shqipëria ka bërë sot një hap të rëndësishëm drejt BE-së”, shprehet komisioneri.

Konsensusi mes palëve, reagon Rama: Shqipëria s’ka më pikëpyetje për negociatat

Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka reaguar pas marrëveshjes që palët arritën për reformën zgjedhore, konkretisht për administrimin zgjedhor dhe për identifikimin biometrik të votuesve. Me një shënim në “Twitter”, shefi i qeverisë shprehet se pas tre vitesh e tre netësh ngujimi, opozita më në fund solli fjalën e fundit.

“Pas 3 vjetësh marshim e 3 netësh ngujim na sollën fjalën e fundit: “Mirë e kishim ashtu siç e kishim “Po mirë, unë kam menduar e mendoj që ka edhe më mirë, po meqë LBPD janë të kënaqur me kaq për zgjedhjet e ardhshme, bujrum, si ta duan ata. Rëndësi ka që:LBPD do hyjë në zgjedhje me Kodin Zgjedhor siç e deshën vetë. ODHIR është dakord që kjo nuk e cënon lirinë e zgjedhjeve. BE është e kënaqur, Shqipëria s’ka më pikëpyetje në prag të vendimit për datën e nisjes zyrtare të negociatve. Ah po, mbaroi edhe revolucioni”, shkruan Rama. 

Rudina Hajdari: Reforma nuk është e plotë

Anëtarja e Këshillit Politik, Rudina Hajdari ka shprehur rezerva për marrëveshjen e arritur, duke theksuar se nuk u ndryshua sistemi për të rritur demokracinë brenda partive. Pavarësisht kësaj, znj. Hajdari tha se ka marrë garancinë nga SHBA dhe diskutimet për këtë çështje do të vijojnë.

“Një gjë shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Ju garantoj që nuk ka qenë një gjë e leshtë. Që kjo të quhej reformë duhet të kishte elementë të tjerë që nuk janë përfshirë në draft, siç çeshite ndryshimi i sistemit zgjedhor.

Ajo që mund të them sot, është se nëse do të isha unë që do ta bllokoja marrëveshjen do të dukej sikur nuk e dua Bashkimin Evropian. Mazhoranca e ka kapur pushteti dhe e trajton Shqipërinë si ta ketë plaçkë të veten. Ndryshimi i sistemit dhe hapja e listave do të ishte një demokratizim. Çështjet si ndryshimi i sistemit vota e diasporës, dhe ligji për referendumet do të jenë të hapura për diskutim”, përfundoi znj. Hajdari.

Ambasadori Norman: Me rëndësi është zbatimi i marrëveshjes

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Duncan Norman duke përshëndetur marrëveshjen e arritur në Këshillin Politik, u shpreh se i rëndësishëm do të jetë zbatimi i saj.

Të gjithëve u desh të heqin dorë nga diçka dhe marrëveshja u bë e mundur vetëm për arsye se të gjithë deshën kompromis dhe ky është një mesazh i rëndësishëm për politikën në Shqipëri. Është një hap i rëndësishëm për sa i përket negociatave me BE dhe po ashtu një hap i rëndësishëm për vetë zgjedhjet dhe zgjedhësit këtu në Shqipëri, por është vetëm fillimi dhe rëndësi ka implementimi. Por nëse fryma e kompromisit vazhdon, atëherë jam i sigurt për të ardhmen”, tha ambasadori.

Ambasadori Soreca: Shqipëria është më pranë BE sonte

Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca duke folur pas marrëveshjes së arritur në Këshillin Politik lidhur me administrimin e procesit zgjedhor, u shpreh se tani Shqipëria është më pranë BE-së.

“Kjo që ndodhi ishte si rezultat i një procesi gjithëpërfshirës që nisi në janar. Një marrëveshje e mirë gjatë së mërkurës pas diskutimeve të gjata. Opozita bashkuar kërkonte depolitizimin e administratës zgjedhore, e cila është në përputhje me kushtet OSBE-ODIHR”, tha ambasadori i BE-së.

“Tani kemi një marrëveshje, në emër të BE, Shqipëria është më pranë BE sonte, pas kësaj marrëveshje, sepse një nga kushtet për hapjen e negociatave do të përmbushet së shpejti. Moment i mirë, pasi javën që vjen Komisioni do të propozojë kuadrin negociator, i cili do të jetë baza e negociatave. Pra le të ecim përpara”, përfundoi z. Soreca.

Ambasadorja Kim: U arrit një marrëveshje e rëndësishme

Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim ka vlerësuar marrëveshjen e arritur sot nga Këshilli Politik për reformën zgjedhore, e duke e cilësuar si shumë të rëndësishme të për të gjitha palët.

“Jemi shumë të kënaqur që të shohim që partitë politike të arrijnë një marrëveshje sonte. Kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme për të gjithë palët e ulur në tryezë”, tha ambasadorja.

Ambasadorja nga ana tjetër tha se, mund të ketë kritika për marrëveshjen duke nënvizuar se të gjitha palët kanë dhënë kontribut.

“Çdo parti, çdo person ka kontribuar shumë por edhe kanë hequr dorë dhe kanë dhënë diçka. Dhe e bënë këtë gjë, në mënyrë që të jetë Shqipëria që përfiton. Disa do ta kritikojnë këtë marrëveshje, si jo të mjaftueshme, por kur shikojmë nga një kuadër të gjerë, kjo është një gjë për të cilën të gjithë do të japin mbështetjen e tyre. Në kuadrin e SHBA, ne jemi krenarë dhe do të vazhdojmë që t’iu mbështesim drejt rrugës në BE”, përfundoi diplomatja amerikane.

Përfaqësuesi i PS Damian Gjiknuri: U dakordësuam për pikat që përgjithësisht i ndanin palët

Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, tha se mazhoranca ndihet mirë që opozita pranoi të kthehet në rrugën institucionale.

“U dakordësuam për pikat që përgjithësisht i ndanin palët. Një gjë dua ta them pavarësisht se rekomandimi ka qenë që administrata të ishte e depolitizuar, fatkeqësisht PD nuk ishte gati, e kundërshtoj, por ajo që u fitua është se ne tashmë kemi rregulla të pranuar nga gjithsecili edhe me këtë administratë që e kemi në fuqi. Për ne, më e rëndësishme si mazhorancë është që PD hoqi dorë nga kërkesa për qeveri tranzitore. Administrimi zgjedhor nuk ka çaluar në Shqipëri. Më në fund u kthyen aty ku duhet të ishin dhe u kthyen tek institucionet. Ne duhet ta pranojmë dhe ta zbatojmë këtë sistem”, tha ai. 

Bylykbashi e Vasili: Rama u përpoq të kapte komisionet

Pas përfundimit të Këshillit Politik për reformën zgjedhore, përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare folën për mediat, ndërsa theksuan se është arritur marrëveshje për administrimin zgjedhor dhe për identifikimin biometrik 100% për votuesit. 

Ata akuzuan kryeministrin Rama se tentoi të kapte komisionet zgjedhore. Sipas Bylykbashit, depolitizimi i administratës zgjedhore do mund të kryhet vetëm pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe atyre lokale.

“Sot u arrit dakordësi për administrim zgjedhor, identifikim biometrik 100 për qind. Opozita propozoi sot zgjidhjen për depolitizimin e komisioneve, do të mbeten ashtu siç është sot dhe kjo formulë do të aplikohet pas këtyre zgjedhjeve. U përpoq të kapte komisionet zgjedhore, nuk i kapi dot dhe u tërhoq. Depolitizimi i administratës zgjedhore do të kryhet vetëm pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe lokale”, tha Bylykbashi. 

Përfaqësuesi i LSI-së, Petrit Vasili, kishte të njëjtat ankesa me atë të Partisë Demokratike. 

“U arriti një dakordësi e qartë për administrimin zgjedhor, e cila përfshin në radhë të parë identifikimin biometrik në masën 100. Një Komision Qendror i Zgjedhjeve, i cili ri ormatohet tërësisht me një formulë tërësisht të re.  Sot në mënyrë shumë të qartë propozuam një formulë për depolitizimi të komisioneve zgjedhore me përjashtimi e administratës publike për këto zgjedhje nga administrimi zgjedhor, formulë e cila u refuzua nga Edi Rama dhe PS. Megjithatë për këto zgjedhje që vijnë dhe për zgjedhjet e ardhshme lokale, komisionet zgjedhore mbeten ashtu saç janë, depolitizimi i administratës do të kryhet vetëm pas tyre dhe kjo është shumë e qartë, për të gjithë shqiptarët është e qartë si drita e diellit: Edi Rama donte të kapet Komisionet Zgedhore, nuk i kapi dot, dhe refuzoi depolitizimin”, tha Vasili. 

Basha: Një hap përpara për zgjedhje të lira

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehet optimist për marrëveshjen e arritur sot lidhur me administrimin zgjedhor. Për këtë arritje, kreu i PD ka shprehur falënderim për partnerët ndërkombëtarë.

“Në emër të Opozitës së Bashkuar ju shpreh falënderimet tona aleatëve dhe partnerëve tanë euro-atlantikë për ndihmën dhe kontributin e tyre për gjetjen e dakortësisë për administrimin zgjedhor”, shprehet Basha.

Këtë arritje lideri opozita e ka cilësuar si një hap përpara në garantimin e zgjedhjeve të lira.

“Sot kemi hedhur një hap përpara, për të mundësuar më shumë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. PD dhe Opozita e Bashkuar është e gatshme dhe po punon përditë për t’jua kthyer qeverisjen shqiptarëve”, shkruan kryetari i opozitës.

20:26 PD paraqet platformën me 11 pika

Partia Demokratike ka ardhur me platformë me 11 pika ku pretendohet se i ka negociuar ato me ndërkombëtarët. Është një ripërpunim i pikave të arritur gjatë negociatave në rezidencën amerikane.

20:22 Takimi Basha-Kryemadhi

Kryetari i Partisë Demkoratike, Lulzim Basha dhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi janë duke zhvilluar një takim në selinë blu bashkë me aleatët e tjerë opozitarë. Opozita e bashkuar duke se pret firmosjen e një marrëveshjeje gjatë mbrëmjes së sotme.

20:00 Në takim dhe Bernd Borchardt

Gazetari, Ervin Koçi që po ndjek nga afër takimin në Pallatin e Kongreseve bën të ditur se, i pranishëm në takim është dhe kreu i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Bernd Borchardt.

Pika më e nxehtë është administrata zgjedhore, ndërsa teknologjia identifikimi biometrik është arritur dakordësi që të përdoret 100%, në të gjithë territorin e vendit.

19:40 Formula e administrimit zgjedhor

Mësohet se është arritur një marrëveshje në parim për çështje që kanë mbetur në diskutim. Një nga këto është që anëtarët e Komisioneve të Qendrave të Votimit do të jetë e përbërë 2 anëtarë nga mazhoranca, 2 nga opozita dhe një anëtar jo politik. Lidhur me Kolegjin Zgjedhor, është rënë dakord që pjesë e trupës që do të shqyrtojë çështje zgjedhore do të përbëhet nga gjyqtarë që e kanë kaluar procesin e vetingut.

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026