Mbi 73 të vrarë në 24 orë në Gaza, të mbijetuarit: Plumbat fluturonin pranë nesh

13 Gusht 2025 | 10:41

Rripi i Gazës po përballet me një përshkallëzim të dhunës dhe përkeqësim të situatës humanitare.

Në 24 orët e fundit, të paktën 73 palestinezë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve izraelite, sipas raportimeve të mjekëve lokalë.

Ndër viktima janë edhe 19 persona që ndodheshin pranë një pike ndihmash në zonën e Zikimit, në veri të territorit.

Të mbijetuarit e këtyre sulmeve përshkruajnë skena të tmerrshme, ku dëgjoheshin të shtëna të shumta dhe njerëz vriteshin pranë tyre, ndërsa përpiqeshin të siguronte ndihma ushqimore.

Një burrë i quajtur Sayyid tha se kishte shkuar për të marrë ushqim, por marrja e ndihmave ishte kthyer në një rrezik për jetën.

“Kishte të shtëna me armë përreth, nuk e dinim çfarë po ndodhte. Njerëzit po vdisnin para nesh, plumbat na fluturonin midis këmbëve dhe nuk mund të bënim asgjë,” rrëfeu ai.

Një tjetër i mbijetuar, Mohammed Abu Nahl, përshkroi se ishte detyruar të zvarritej përmbys mes trupave të të plagosurve dhe të vdekurve, duke përsëritur se e vetmja arsye përse kishte shkuar aty ishte për të siguruar ushqim për fëmijët e tij.

Kompleksi Mjekësor Nasser njoftoi vdekjen e një fëmije gjashtëvjeçar, si dhe të një burri 30-vjeçar, të dy të prekur nga uria ekstreme.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, pesë persona të tjerë kanë humbur jetën për të njëjtën arsye, duke e çuar numrin total të viktimave të lidhura me urinë që nga fillimi i luftës në 227, ku më shumë se 100 prej tyre janë fëmijë.

Ndërkohë, numri i përgjithshëm i palestinezëve të vrarë ndërsa përpiqeshin të merrnin ndihma ushqimore që nga fundi i majit ka arritur mbi 1,838, sipas të dhënave nga organizata lokale dhe ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, Bashkimi Evropian dhe 26 shtete të tjera, përfshirë Kanadanë, Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Australinë dhe Japoninë, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët ku dënojnë ashpër gjendjen në Gaza dhe bëjnë thirrje për veprime urgjente për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të urisë dhe dhunës.

“Vuajtjet humanitare në Gaza kanë arritur nivele të paimagjinueshme,” thuhet në deklaratën e tyre. “Uria po përhapet para syve tanë. Nevojiten veprime urgjente tani për të ndaluar dhe përmbysur urinë. Hapësira humanitare duhet të mbrohet dhe ndihma nuk duhet të politizohet kurrë.”

Vendet kanë kërkuar që Izraeli të lejojë kalimin e ndihmave humanitare nga organizatat ndërkombëtare, duke theksuar se përdorimi i forcës “vdekjeprurëse” në vendet e shpërndarjes së ndihmave është i papranueshëm dhe duhet të ndalet menjëherë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM

Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë vendi i pozicionuar më së miri për të ushtruar presion...
22:35 | 03/06/2026

SHBA tërheq trupat nga Lituania

Shtetet e Bashkuara kanë nisur tërheqjen e më shumë se 1 mijë ushtarëve amerikanë dhe pajisjeve ushtarake nga Lituania pas përfundimit të një periudhe dislokimi...
22:33 | 03/06/2026

Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta

Irani thotë se marina e saj shënjestroi një anije detare amerikane që strehonte një “qendër komande dhe kontrolli” ndërsa ajo po i afrohej ujërave territoriale...
22:27 | 03/06/2026