Ministri në detyrë i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj u shpreh se janë duke parë mundësinë e lehtësimit të disa masave anti-Covid.
Këtë deklaratë ministri e bëri gjatë një takimi, që zhvilloi të martën me Bordin Këshillëdhënës. Ai thotë se në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Kosova vazhdon të ketë një situatë më të mirë sa i takon menaxhimit të pandemisë.
Sipas ministrit, Kosova ka më pak të vdekur në raport me numrin e popullsisë në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
“Kosova, krahasuar me shtetet tjera, vazhdon të ketë situatë të mirë të menaxhimit të Covid 19. Statistikat nga ECDC, Kosovën e radhitin të fundit në rajon sa i përket shtrirjes së infeksionit si dhe vdekshmërisë nga Covid 19. Në takimin e sotëm me Bordin Këshillëdhënës, kemi diskutuar për situatën epidemiologjike, duke parë mundësinë e lehtësimit të disa masave që janë në fuqi”, tha ai.
Këto rezultate shtoi Zemaj i atribuohen sjelljes korrekte të qytetarëve karashi masave anti-covid.
“Masat lehtësuese, do të jenë vlerësim për respektimin e masave nga qytetarët. Qytetarët me disiplinën e tyre si dhe të gjithë aktorët relevantë që përballen me Covid 19, kanë dëshmuar se meritojnë falënderim dhe respekt. Edhe sot u bëjë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave anti covid për aktivitetet publike, grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike”, ka shkruar Zemaj.
Kosova ka pasur katër të vdekur dhe mbi 270 raste të reja të infektimit me COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit.