Ministri i Drejtësisë së RMV-së për Euronews Albania: “Shtetësinë” e miratojmë së shpejti, 3 mijë qytetarë të paregjistruar

11 Korrik 2021 | 12:59

Ministri i Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, Bojan Maricic, në një intervistë për Euronews Albania deklaroi se ligji për shtetësinë do të miratohet së shpejti. Ai pranoi se ka 3 mijë kërkesa për shtetësi, por nuk e konsideroi këtë shifër problematike.

“Ligji tashmë është në parlament, dhe ka një grup të vogël deputetësh, vetëm 2 deputetë të cilët janë nga e majta ekstreme dhe po përpiqen ta bllokojnë këtë ligj me një numër të arsyeshëm ndryshimesh, por mendoj se ne do të gjejmë një mënyrë për të anashkaluar këtë bllokadë dhe për ta zgjidhur këtë çështje dhe nuk mendoj se kjo është diçka që mund të shkaktojë ndonjë problem madhor, as për qytetarët që në një farë mënyrë preken nga ky ligj, as për partitë politike në parlament”, u shpreh ai.

Ndërsa për censusin e popullsisë, ministri tha se ky proces do të nisë më 5 shtator dhe do të përfundojë më 30 shtator.

Gjithashtu, ai tha se sistemi i drejtësisë po i nënshtrohet procesit të “filtrimit”, i cili është i ngjashëm me atë që po zhvillohet në Shqipëri.

“Ne kemi vendosur të mos shkojmë drejt një procesi të plotë vetingu siç po ndodh në Shqipëri, pasi nuk kishim kohë dhe instrumentet e duhur për ta bërë këtë dhe nuk kishim të njëjtën situatë si ju. Sigurisht ne i kemi identifikuar sjelljet korruptive në sistemin gjyqësor si dhe në prokurori, ne e kemi identifikuar ndikimin politik, por nuk vendosëm të shkojmë me procesin e vetingun e plotë, por në të kundërt të bënim një filtrim. Ky është një koncept i ndryshëm”, tha ai.

Ai shtoi se në sistemin gjyqësor të Maqedonisë së Veriut, shumë pozicione të larta mbahen nga shqiptarët dhe mohoi që të ketë gjykime me selektim etnik.

Intervista e plotë:

  • Cilat janë projektet dhe bashkëpunimi me Shqipërinë?

Si fillim është një kënaqësi e veçantë për mua që të jem këtu në Tiranë për herë të parë, si Ministër i Drejtësisë. Ne patëm një takim shumë produktiv dhe të dobishëm me kolegen time, Etilda Gjonaj. Ne kemi rënë dakord së bashku, se jemi më tepër se gati, për të filluar negociatat me Bashkimin Europian, në veçanti për kapitujt 23 dhe 24, të cilët përfaqësojnë thelbin e negociatave. Ne po punojmë së bashku për ta forcuar bashkëpunimin tonë, rreth përgatitjes së administratave tona për procesin e negociatave. Ne gjithashtu, kemi rënë dakord që të përditësojmë marrëveshjet tona bilaterale, në veçanti atë që ka të bëjë me ekstradimet dhe ne ndamë eksperiencat tona për sa i përket reformës së gjyqësorit, për procesin e vettingut që po ndodh momentalisht në Shqipëri si dhe procesin e filtrimit që po ndodh në Maqedoninë e Veriut, si të forcojmë bashkëpunimin mes akademive tona, dhe si të forcojmë bashkëpunimin rajonal mes shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

  • Çfarë po ndodh me “filtrimin ”e drejtësisë në RMV?

Që nga momenti që erdhëm sërish në pushtet në vitin 2017, pra administrata e kryeministrit Zaev, ne e gjetëm vendin në kushte të një shteti të kapur, diçka që u vu re edhe nga Bashkimi Europian në raportet e tyre. Pra, ne na duhej të bënim diçka për këtë, në mënyrë që ta fuqizonim pavarësinë e gjyqësorit dhe në mënyrë që të rrisnim përgjegjësinë tek prokurorët publik dhe tek gjyqtarët. Procesi i vetingut në Shqipëri ishte një inspirim për shumë vende në rajon, për të performuar reforma të thella në drejtësi. Ajo që ndodhi në Shqipëri, i takon edhe politikanëve dhe qytetarëve shqiptarë për të komentuar, por mendoj se çdo reforme e thellë në një shtet, në çdo lloj shteti si ato të rajonit tonë, është gjithmonë diçka e mirë për sundimin e ligjit, është gjithmonë diçka e mirë për perspektivën e shtetit dhe është gjithnjë e mirë për të fuqizuar gjyqësorin dhe dukjen e tij publike.

Ne kemi vendosur të mos shkojmë drejt një procesi të plotë vetingu siç po ndodh në Shqipëri, pasi nuk kishim kohë dhe instrumentet e duhur për ta bërë këtë dhe nuk kishim të njëjtën situatë si ju. Sigurisht ne i kemi identifikuar sjelljet korruptive në sistemin gjyqësor si dhe në prokurori, ne e kemi identifikuar ndikimin politik, por nuk vendosëm të shkojmë me procesin e vetingun e plotë, por në të kundërt të bënim një filtrim. Ky është një koncept i ndryshëm. Ne kemi krijuar një paketë legjislative, që ia lejon Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve në Maqedoninë e Veriut që të hartojnë metodologji të reja për shqyrtimin e punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe ta vënë në punë këtë filtrim, i cili do të kontrollojë punën e secilit prej gjyqtarëve dhe secilit prej prokurorëve.

Mbi këto themele, që tani rreth 13 gjyqtarë janë shkarkuar, mbi baza të një niveli pune jo-profesional, që e dëmton legjislacionin, dhe unë mendoj se kjo është një mënyrë e mirë që kemi zgjedhur, si dhe një mënyrë e mirë për të fuqizuar pavarësinë e gjyqësorit si edhe përgjegjësinë e gjyqtarëve. Ky proces filtrimi do të kërkojë një kohë të caktuar, mund t’i duhet 1 ose 2 vite. Dhe do të donim që ai të kthehej në një proces të përhershëm të kontrollimit të punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Diçka që do t’i sjellë rezultatet e saj, një pjesë e mirë, në një mënyrë goxha të shpejtë, por në nivelin sistematik, në të ardhmen e parashikuar, në dy tre vitet e ardhshme, pritet të kemi një atmosferë tjetër dhe një peizazh të ri në sistemin gjyqësor që do të na e lejojë të themi që kemi më pak korrupsion, më shumë transparencë dhe më tepër akses/qasje të qytetarëve ndaj drejtësisë.

  • A ka përfaqësim të shqiptarëve në organet e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut?

Në Ministrinë e Drejtësisë përkatësisht, le të themi që janë rreth 30% e qytetarëve me origjinë shqiptare që punojnë atje, por në përgjithësi populli i Maqedonisë së Veriut, i fal shumë vëmendje kësaj përfaqësie të barabartë të të gjithë komuniteteve etnike këtu. Mbi të gjitha, kualiteti është në radhët e para, kur flitet për vendosjen e çdo lloj takimi në sistemin gjyqësor apo prokurorët e përgjithshëm, por në përgjithësi, ne po i kushtojmë shumë vëmendje përfaqësimit të barabartë. Mund t’ju them se ka pozicione shumë të fuqishme, në sistemi gjyqësor, që i janë besuar shqiptarëve, për shembull drejtori i Asociacionit të Gjyqtarëve është shqiptar dhe është gjyqtar në Gjykatën Supreme, presidenti i Gjykatës Supreme, gjykatës më të lartë në shtetin tonë është shqiptar, dhe ka edhe shumë anëtar në Këshillin Gjyqësor, Këshillin e Prokurorëve, në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, ndaj edhe mendoj që komuniteti shqiptarë është shumë mirë i përfaqësuar në gjyqësor dhe i mirë-përfaqësuar në sistemin e drejtësisë në përgjithësi.

  • Ka ankesa në mënyrën e funksionimit të gjykatave nga shqiptarët, a është drejtësi selektive e motivuar etnikisht?

Problemet apo çështjet problematike që ekzistojnë në sistemin gjyqësor janë gjithashtu të dukshme dhe të prekshme për të gjithë qytetarët jo vetëm për ata që janë shqiptarë. Dhe mendoj se janë të barabartë për të gjithë. Kjo është arsyeja, përse nuk mendoj se ka vend për selektim etnik në punën e gjyqtarëve apo prokurorëve dhe nuk mendoj se kjo është problematika e vërteta. Problemi i vërtetë është se implementimi i barabartë i ligjit mes të gjithë kategorive të qytetarëve, jo sipas përkatësisë etnike por sipas fuqisë politike apo ekonomike dhe mendoj që ne po punojmë për këtë dhe po shohim rezultate shumë të mira. Një tjetër çështje është qasja ndaj drejtësisë dhe ne po bëjmë shumë për ta bërë drejtësinë të akesesueshme lehtësisht për këdo, (të lehtë për t’u qasur nga kushdo) dhe me anë të përfaqësimit të barabartë dhe implementimit të barabartë të ligjit, unë mendoj se kjo do të sjellë një ndryshim për të gjithë. Në këtë rast, për sa i përket pyetjes suaj, nuk mendoj se ka pasur sikur edhe një çështje, kur të ketë pasur seleksionim etnik apo etnikisht të motivuar, apo të jetë shënuar si diskriminim etnik i ndonjë lloj natyre.

  • Ligji për shtetësinë. Përse s’po miratohet? Censusi? Shtyrë, kur do të mbahet?

Çështja e shtetësisë është zgjidhur ndër vite, madje disa herë. Unë mendoj se sfidat më të mëdha që kanë pasur disa qytetarë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, janë zgjidhur 20 vite më parë. Në vitin 2002, madje edhe gjatë vitet 90. Por, pas Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, dhe amendamenteve (ndryshimeve) kushtetuese, ka pasur edhe një amendament mbi ligjin e nënshtetësisë, i cili i mundësojë mijëra qytetarëve me origjinë etnike shqiptare të fitonin nënshtetësi në Maqedoninë e Veriut. Sot, një nga partitë opozitare shqiptare pretendojnë se ka një numër qytetarësh, të cilat si pasojë e disa arsyeve të ndryshme, shumica prej të cilëve, që kanë jetuar në ish-Jugosllavi dhe tani jetojnë ne Maqedoninë e Veriut që prej shumë vitesh, ata nuk patën mundësi, për arsyeje administrative, që të fitojnë nënshtetësinë. Por në këtë moment, përpara institucioneve tona nuk ka më tepër se 3000 kërkesa për nënshtetësi. Ndaj edhe nuk mendoj që është një numër i lartë qytetarësh dhe qeveria ka qenë shumë e hapur ndaj idesë së partisë opozitarë shqiptare në parlament, për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje. Ndaj, kishim një ligj të nënshtetësisë, u bënë disa ndryshime të këtij ligji, të cilat u negociuan nga ministri i Brendshëm dhe arritëm një dakordësi. Ligji tashmë është në parlament, dhe ka një grup të vogël deputetësh, vetëm 2 deputetë të cilët janë nga e majta ekstreme dhe po përpiqen ta bllokojnë këtë ligj me një numër të arsyeshëm ndryshimesh, por mendoj se ne do të gjejmë një mënyrë për të anashkaluar këtë bllokadë dhe për ta zgjidhur këtë çështje dhe nuk mendoj se kjo është diçka që mund të shkaktojë ndonjë problem madhor, as për qytetarët që në një farë mënyrë preken nga ky ligj, as për partitë politike në parlament.

Për sa i përket censusit të popullsisë, Maqedonia e Veriut është një nga ato shtete të rralla, të cilat nuk kanë zhvilluar një census për 20 vite. Ne kemi vënë në fuqi, para disa muajsh gjatë periudhës së shkurt-marsit, ne miratuam një ligj sipas të gjithë standardeve evropiane, i cili u përshëndet nga Zyra Statistikore e Bashkimit Evropian. Ne mendojmë se ky është një proces që duhet ta bëjmë këtë vit, pasi është i domosdoshëm për shtetin, është i domosdoshëm për komunitetet etnike dhe është i domosdoshëm për të krijuar politika të mira për qytetarët tanë. Ne e shtymë për shtator, më së shumti si pasojë e pandemisë. Planifikojmë ta nisim në 5 shtator dhe ta mbarojmë në 30 shtator. Dhe jam i bindur që do të ndodhë. Jam i bindur pasi ka një vullnet të fortë politik nga ana e qeverisë dhe të gjitha partitë politike gjithashtu, dhe ka një kuptueshmëri të lartë mes qytetarëve se kjo është diçka e nevojshme, dhe diçka që na duhet ta bëjmë. Nuk shoh asnjë arsye për ta shtyrë edhe më tepër, mendoj se mund t’i mbajmë zgjedhjet menjëherë pas këtij censusi. Kështu që qëllimi i qeverisë është që të mbarojmë këtë census dhe të nisim fushatën për zgjedhjet bashkiake dhe mendoj se kjo është gjëja me e arsyeshme që mund të bëjmë.

  • Çfarë masa ka marrë RMV-ja për të ashtuquajturit “luftëtaret e huaj në Siri”?

Së pari, në bashkëpunim me partnerët tanë në SHBA, si dhe shtete të tjera perëndimore, shumë vite më parë ne kemi bërë disa ndryshime në kodin kriminal dhe çdo lloj përfshirje e ushtrive të huaja apo forcave të huaja, quhet akt kriminal. Ndaj ne e kemi mbuluar këtë me anë të Kodit Kriminal/Penal, në mënyrë që të mundohemi t’i ndalojmë këto lloj rekrutimesh nga çdo lloj organizate terroriste jashtë vendit, por nuk mbetemi vetëm tek jo pikë në Kodin tonë Penal, por kemi punuar shumë për parandalim, ri-socializim, rehabilitim, dhe integrim apo ri-integrim të këtyre njerëzve dhe familjeve të tyre.

Vitin e kaluar, kemi punuar shumë për të krijuar planin kombëtar për rehabilitimin, ri-integrimin dhe ri-socializimin dhe u adoptua në qershor të vitit të kaluar.

Sipas këtij plani, ne kemi shumë aktivitete të cilat ishin edhe aktivitete sigurie, por më së shumti aktivitetet edukative, aktivitete ekonomike, që mundohem ta zgjidhin këtë problem në plan afatgjatë. Ne jemi kujdesur shumë për këtë, e kuptojmë që ky është një problem i madh. E kemi lokalizuar numrin e njerëzve që janë luftëtarë dhe që janë kthyer në shtëpi. Ky nuk është informacion që mund ta ndaj me ju por ne po punojmë dhe po bëjmë punën tonë që t’i identifikojmë këta individë dhe t’i ndihmojë të integrohen sërish në shoqëri ata dhe familjet e tyre.

 

LEXONI GJITHASHTU:

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rreth 90 serbë dëbohen nga aeroporti i Tivatit, policia malazeze i cilëson rrezik për sigurinë

Rreth 90 shtetas të Serbisë janë dëbuar nga aeroporti i Tivatit dhe u është ndaluar hyrja në Mal të Zi, pasi konsiderohen “rrezik për sigurinë”,...
19:15 | 03/06/2026

Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të mërkurë është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë....
16:28 | 03/06/2026

PZAP gjobit Vetëvendosjen me 5,100 euro për përfshirjen e një fëmije në fushatë zgjedhore

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar ankesat e paraqitura nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi kundër Lëvizja...
16:11 | 03/06/2026