NATO njofton më shumë mbështetje ajrore për të mbrojtur Poloninë nga Rusia
Franca, Gjermania dhe Danimarka do të kontribuojnë me avionë luftarakë dhe mjete të tjera ushtarake për forcimin e mbrojtjes së Polonisë ndaj inkursioneve të mundshme të ardhshme me dronë nga Rusia, njoftuan të premten udhëheqësit e NATO-s në një konferencë për shtyp.
Edhe Mbretëria e Bashkuar pritet të marrë pjesë në misionin “Eastern Sentry” (Roja Lindore), i cili do të zgjerohet gradualisht – nga Arktiku në veri deri në Detin e Zi dhe Mesdhe në jug – për të përballuar më mirë kërcënimet me dronë dhe raketa nga Rusia.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi:
“Përveç aftësive tradicionale ushtarake, kjo nismë do të përfshijë edhe elementë të posaçëm për t’iu përgjigjur sfidave që paraqet përdorimi i dronëve.”
Të mërkurën në orët e para të mëngjesit, 21 dronë rusë të dyshuar si mjete shpërqendruese dhe të paarmatosur kaluan kufirin në Poloni. Vetëm tre ose katër u qëlluan dhe u rrëzuan, ndërsa njëri prej tyre fluturoi 260 kilometra në brendësi të vendit, duke detyruar mbylljen e katër aeroporteve.
Në atë kohë, Donald Trump u shpreh se kjo inkursion “mund të ketë qenë një gabim”, por shtoi:
“Pavarësisht kësaj, nuk jam i kënaqur me asgjë që lidhet me këtë situatë.”
Ndërkohë, udhëheqësit polakë ishin më të prerë. Kryeministri Donald Tusk postoi në rrjete sociale, në anglisht:
“Do të donim të ishte një gabim sulmi me dronë ndaj Polonisë. Por nuk ishte. Dhe ne e dimë këtë.”
Rutte, megjithatë, mbeti më i matur. Ai deklaroi të premten se “vlerësimi i NATO-s për incidentet e së mërkurës është ende në proces”, por theksoi se “nëse veprimet e Rusisë ishin të qëllimshme apo jo, ato përbëjnë shkelje të hapësirës ajrore të NATO-s”, çka kërkon një përgjigje.
“Papërgjegjshmëria e Rusisë në ajër përgjatë kufirit tonë lindor po bëhet gjithnjë e më e shpeshtë,” shtoi Rutte.
“Kemi parë shkelje të hapësirës ajrore nga dronët në Rumani, Estoni, Letoni dhe Lituani – qofshin të qëllimshme apo jo, ato janë të rrezikshme dhe të papranueshme.”
Përkrah tij ishte edhe gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, komandanti më i lartë ushtarak i NATO-s, i cili deklaroi se NATO zhvilloi “një operacion shumë të suksesshëm” për të kapur dronët me avionë F-35 nga Holanda, por shtoi:
“Gjithmonë mësojmë diçka të re gjatë analizave pas operacionit.”
Gjenerali nënvizoi se ishte numri i lartë i dronëve rusë që ngjalli shqetësim.
“Shkalla e këtij inkursioni ishte qartësisht më e madhe se ato të mëparshmet. Shtimi i burimeve do të ndihmojë për ta përballuar më mirë këtë kërcënim.”
Kontributet ushtarake për përpjekjen përforcuese do të përfshijnë:
Danimarka: 2 avionë F-16 dhe një fregatë të luftës ajrore.
Franca: 3 avionë luftarakë Rafale.
Gjermania: 4 avionë Typhoon.
Planifikuesit ushtarakë të NATO-s thanë se Mbretëria e Bashkuar gjithashtu ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur përpjekjen.
Të mërkurën, sekretari britanik i mbrojtjes, John Healey, deklaroi se kishte kërkuar nga ushtria britanike të shqyrtonte opsione për mbështetje shtesë për Poloninë – dhe zyrtarë të lartë lanë të kuptohej se po shqyrtohej vendosja e deri në 6 avionëve Typhoon.
Ndërkohë, Rusia deklaroi se bisedimet për paqe janë bllokuar. Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve:
“Negociatorët tanë kanë ende kanale komunikimi, por për momentin është më e saktë të flasim për një pauzë.”
Në Kiev, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se nuk ka asnjë shenjë që Rusia ka ndryshuar ambiciet e saj për të dominuar Ukrainën.
“Qëllimi i Putinit është të pushtojë gjithë Ukrainën. Dhe pavarësisht se çfarë thotë, është e qartë se e ka vënë në lëvizje makinën e luftës në atë masë sa nuk mund ta ndalë më, përveç nëse detyrohet të ndryshojë rrënjësisht qëllimet e tij personale.”
Presidenti ukrainas gjithashtu mirëpriti në Kiev të dërguarin e Trump për Ukrainën, gjeneralin Keith Kellogg, dhe u shpreh se ishte i gatshëm t’i ofronte shtetësi, duke thënë me ironi se Rusia nuk bombardon kryeqytetin kur ai ndodhet aty. Disa besojnë se kjo lidhet me kërkesa direkte të bëra nga Shtëpia e Bardhë ndaj Kremlinit.
“Kur Keith Kellogg është në Kiev, banorët e qytetit flenë të qetë. Faleminderit. Do të doja të vizitonte të gjitha qytetet e Ukrainës,” tha Zelensky.
“Jam i gatshëm t’i ofroj gjeneralit Kellogg shtetësi. Mund t’i japim një apartament – gjithçka që i nevojitet, nëse kjo do ta detyronte Rusinë të ndalonte zjarrin.”
Edhe ministrja e jashtme britanike, Yvette Cooper, ndodhej në Kiev të premten – vizita e saj e parë jashtë vendit që nga emërimi në post javën e kaluar, pas një riorganizimi të kabinetit britanik. Gjatë vizitës, ajo njoftoi edhe një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë.
“Mbretëria e Bashkuar nuk do të qëndrojë duarkryq ndërsa Putini vazhdon pushtimin barbar të Ukrainës,” deklaroi Cooper.
“Veprimet ndërkombëtare për të rritur presionin ekonomik ndaj Rusisë dhe për t’i ndërprerë burimet kritike të financimit për këtë luftë të paligjshme janë jetike.”/The Guardian
Rivendosja e sanksioneve ruse për naftën, Trump jep detaje se kur mund të ndodhë
Marrëveshja SHBA-Iran, Clinton reagon ndaj Netanyahut: Ka qenë gjithmonë i fiksuar për të goditur Teheranin
Trump: Udhëtimi në Francë ishte një sukses i madh, Irani nuk do të ketë armë bërthamore
- 16:33 Rivendosja e sanksioneve ruse për naftën, Trump jep detaje se kur mund të ndodhë
- 16:28 Çfarë u miratua dhe u rrëzua sot në Parlamentin Europian lidhur me amendamentet mbi Zvërnecin dhe Sazanin
- 16:27 Marrëveshja SHBA-Iran, Clinton reagon ndaj Netanyahut: Ka qenë gjithmonë i fiksuar për të goditur Teheranin
- 16:22 Trump: Udhëtimi në Francë ishte një sukses i madh, Irani nuk do të ketë armë bërthamore
- 16:14 Udhëheqësit e G7 bien dakord: Më shumë armë për Ukrainën dhe sanksione të reja ndaj energjisë ruse
- 16:12 Presidenti libanez: Mirëpresim çdo shtet që ndihmon në përpjekjet e armëpushimit