Ndërron jetë në moshën 86-vjeçare këngëtarja Nexhmije Pagarusha
Një lajm i hidhur për këngën shqiptare! Këngëtarja ikonë e muzikës shqiptare Nexhmije Pagarusha është ndarë sot nga jeta në moshën 86-vjeçare.
Lajmi i hidhur është konfirmuar nga familjarët e saj, ndërsa mesazhet ngushëlluese kanë qenë të shumta. Këngëtarja e mirënjohur, Nexhmije Pagarusha do mbetet gjatë në mendjen e artdashësve si një ndër ikonat e muzikës shqiptare. Veprimtaria e saj artistike ka korrur suksese të padiskutueshme në trojet shqiptare.
[instagram_feed=B8QvsmmIIJI]
Ajo ishte e njohur për interpretimet e jashtëzakonshme në muzikën popullore dhe opera. Këngëtarja tashmë e ndjerë, Nexhmije Pagarusha ishte edhe aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër. Ajo vijoi shkollën e muzikës për solo kanto në Beograd, të cilën ajo e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më.
Po ashtu në Beograd kishte paraqitjen e parë muzikore në skenë, ndërsa në vitin 1948 është pranuar soliste në Radio Prishtinë. Nexhmije Pagarusha bashkëpunoi edhe me këngëtarët nga Shqipëria dhe u paraqit edhe në Shqipëri me ansamblin “Shota” me rastin e një turneu.
“Baresha” është një ndër kryeveprat e këngëtares, e cila bëri për vete shumë zemra shqiptarësh. Kjo këngë, e konsideruar si kryevepra e Pagarushës u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj. Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Bethovenit, Puçinit, Verdit.
Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji. Fatkeqësisht, asnjërit nga organizatorët teknikë nuk iu kishte kujtuar që të regjistronte këtë koncert! Për fat të keq, nuk janë evidentuar as të gjitha koncertet dhe repertori i këngëve të kënduara nga ajo, ngaqë, siç ka thënë ajo një herë, për të vetëm muzika ishte me rëndësi; ajo dhe muzika ishin një. Mendohet se ajo ka interpretuar mbi 150 këngë.
Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Izrael, etj. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë. Pas 16 vjetësh larg skenës, ajo u paraqit në vitin 2000 me këngën “Për ty” në një emision të udhëhequr nga Ardit Gjebrea, i cili e bindi të bëjë këtë. Më 2018 Nexhmije Pagarusha u vlerësua me “Medaljen e Mirënjohjes” nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për këngëtaren shqiptare Nexhmije Pagarusha, e cila njihej ndryshe si “Bilbili i Kosovës”. Kreu i Shtetit shqiptar përmes një shënimi në rrjetin e tij social “Facebook” thekson se këngët e ikonës së këngës shqiptare, Nexhmije Pagarushës do të këndohen përjetë.
“Si artiste që bëri histori në momente të vështira, falë talentit artistik, personalitetit fisnik e të spikatur, Nexhmije Pagarusha, do jetë përherë një model referimi për brezat e rinj të artistëve, një yll i pashuar i muzikës shqiptare, këngët e së cilës do të këndohen përjetë”-shkroi mes tjerash z. Meta.
Vikena Kamenica: Po na humbin vlerat
Mexosopranoja e njohur, Vikena Kamenica duke shprehur ngushëllime për largimin e parakohshëm nga jeta e Pagarushës, shprehet se ajo ishte një artiste me një zë të jashtëzakonshëm. Duke folur për Euronews Albania, Kamenica thotë se ende nuk ka dalë një zë që të mund të zëvendësojë Nexhmije Pagarushën.
“Është një humbje e madhe dhe më vjen keq që po përjetojmë humbjen e plejadës së vlerave. E kam njohur muzikën e saj që e vogël. Ajo ishte një njohëse shumë e mirë, dhe nga të paret artiste që njihte raportorin klasik. Nuk e prisnim largimin kaq shpejt. Kishte vlera të mëdha vokale, dhe mjeshtre e interpretimit të këngës.
Ajo e la këngën, për ca kohë kaloi në teatër. Po na humbin vlerat. Tani nuk maten më vlerat. Zoti i kishte dhënë një dhuratë të jashtëzakonshme në zë. Ishte unikale, dhe vështirë të zëvendësohet. Humbja e Nexhmije Pagarusha do të ngelet një humbje e madhe”, u shpreh znj. Kamenica.
Elife Podvorica: Ka lënë gjurmë të arta
Elife Podvorica, profesoreshë e kantos në Prishtinë, shprehet e pikëlluar për humbjen e artistes së madhe. Për Nexhmije Pagarushën, Podvorica thotë se, artistja ka lënë gjurmë të arta në muzikën artistike shqiptare.
“Kam pas fatin që ta njoh nga afër. Lajmin për humbjen e saj, e morëm me pikëllim të jashtëzakonshëm. Është interesant se Nexhmija nuk ka qenë vetëm idhull për gjeneratën e vjetër, por është idhull edhe për të rinjtë.
Nexhmija e konsiderojmë një thesar të përhershëm, e cila i ka dhënë aq shumë muzikës dhe fushës artistike. Ka qenë një artiste në dekada të tëra, duke nxjerr në pah vlerat e muzikës sonë artistike. Figura dhe zëri i saj do të jetë i përjetshëm. Ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm dhe gjithnjë emrin e saj e kemi përmendur me krenari. Ka lënë gjurmë të arta”, u shpreh Podvorica.
Veprimtaria e këngëtares dhe artistes, Nexhmije Pagarushës
Këngët
-Baresha
-Ani mori nuse
-Mora testin
-Kur më shkon si zog n’hava
-Kur më del në derë
-Ke selvitë
-Ç’u ngrit lulja në mëngjes
-Çil njat zemër plot kujtime
-Dallëndyshe
-Një lule
-Zambaku i Prizrenit
Interpretoi në filma dhe në shfaqje teatrore
-Dasma e përgjakur
-Jugovizioni
-Gëzuar viti i ri
-E kafshoja terrin
-I ikuri.
-Tre vetë kapërcejnë malin
-Lepuri me pesë këmbë
-Fluturimi i Micakut
-Daullet e të çmendurve”,
-Rexha i nënës në grazhd të kalit
-Vrasësit bëjnë dasmë natën
Pittard rikthen përmes fotografisë Shqipërinë e një shekulli më parë
Dorëshkrimi i panjohur i Mozartit zbulohet në Francë, shtatë vepra të reja dëgjohen për herë të parë
INSTAT: 1,5 milionë vizitorë në institucionet e trashëgimisë kulturore gjatë 2025-ës
- 10:55 Kërkesa e PD për mocionin me debat për protestën, Tabaku në Konferencën e Kryetarëve: Dëgjoni zërin e protestuesve
- 10:51 250-vjetori i SHBA-së, Trump shpall 16 ditë festime: Amerika është kthyer
- 10:43 Presidenti zviceran do të vizitojë SHBA-në, kërkon marrëveshje tregtare mbi taksat e Trump
- 10:35 Rubio viziton Bahreinin duke kërkuar mbështetjen e Gjirit për marrëveshjen me Iranin
- 10:17 Tërmetet e njëpasnjëshme në Venezuelë, Von der Leyen shpreh solidaritet për popullin venezuelian
- 10:17 Politikani rus dënohet me 7 vite burg për dy postime në rrjetet sociale kundër luftës