Ngërçi politik në Kosovë, ‘presidenti’ po e çon vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme
Vendi ka hyrë në javën e shtatë pa President, e ky institucion funksionon vetëm me ushtrues të detyrës, që në këtë rast është kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.
Nga dorëheqja e Hashim Thaçit më 5 nëntor, kur u akuzua nga Gjykata Speciale, Osmani nuk ka ndërmarrë iniciativë për takim me partitë për t’u dakorduar, ndërsa edhe vetë këtë detyrë mund ta ushtrojë vetëm deri në muajin prill 2021.
Se vendi po shkon pashmangshëm drejt zgjedhjeve, e tha sot edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
“Ka deklarata dhe këmbëngulje publike se votojnë vetëm kandidatin e tyre për president dhe jo të një subjekti tjetër. Kjo dëshmon se beteja po zhvillohet në media dhe në debate, por se akoma nuk ka gatishmëri për tryezë. Koha po ikën dhe po rrëshqasim në zgjedhje”, tha Mustafa.
AAK-ja e Ramush Haradinajt, që është pjesë e qeverisë, vazhdon ta konsiderojë të vetmin kandidat kreun e kësaj partie për president.
“Ramush Haradinaj i plotëson kushtet për shkak se ju e keni parë se në rrethana të caktuara di të sillet si lider i vendit të vet”, deklaroi Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së.
Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt që është gjithashtu pjesë e qeverisë, nuk ka shprehur ndonjë qëndrim të hapur për emrin e Presidentit. Por nga PDK-ja në opozitë vijnë deklarime të prera se nuk e votojnë Haradinajn për president. Pa ia përmendur emrin, këtë e përsëriti sot Enver Hoxhaj.
“Jemi të gatshëm që të ulemi dhe të bisedojmë me çdo parti politike paralamentare që ta tejkalojmë krizën institucionale në vend dhe ta zgjedhim një president dinjitoz që i shërben unitetit të brendshëm dhe thellon partneritetin me aleatët tonë. Por, PDK nuk do të bëhet palë e një procesi që do të prodhonte një president që thellon përçarjen e brendshme dhe e izolon Kosovën jashtë”, u shpreh Enver Hoxhaj, kryetar në detyrë i PDK-së.
Ndryshe nga të gjitha, Vetëvendosje e Albin Kurtit, është shprehur qartë se nuk do asgjë tjetër e nuk do t’i përgjigjet asnjë iniciative përveç mbajtjes së zgjedhjeve.
Në këtë situatë, analistët deklarojnë se zgjedhjet e jashtëzakonshme janë në prag.
“Në çdo variant që po shtyhet procedura, vendi do të shkojë në zgjedhje. Edhe nëse jep dorëheqje qeveria dhe caktohen 45 ditë zgjedhjet, ose që shpërndanë vetveten Kuvendi dhe shkohet në zgjedhje”, tha më tej analisti politik, Ramush Tahiri.
Nëse deri në prill nuk zgjidhet presidenti, juristët deklarojnë se vendi do të hynte në një errësirë juridike, në të cilën vështirë se do të gjendej rruga e daljes.
Lexoni gjithashtu:
Partitë të ndara për presidentin, Vetëvendosje kërkon zgjedhje të reja
Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian
Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së
Haxhiu gjatë takimit me Costan: Rruga drejt BE-së, interes strategjik i Kosovës
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta