Ngjarjet më të ndjekura gjatë vitit 2020 në webin e Euronews Albania

29 Dhjetor 2020 | 11:16

Pandemia e COVID-19, zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara dhe disa zhvillime, kryesisht politike në rajon, ishin temat kryesore më të qasura në web-in e Euronews Albania.

1 – Akuzat si mbështetës i propagandës, Vuçiç: “Nuk kam kryer asnjë krim”

Euronews Albania i ka kushtuar hapësirë të veçantë zhvillimeve nga rajoni me intervista ekskluzive me udhëheqës politikë ku ndër ta ka spikatur intervista me presidentin serb Aleksandar Vuçiç. Ky i pyetur nga gazetarja Ilva Tare rreth krimeve të Luftës në Kosovë dhe kritikave se dikur si ministër në qeverinë e Sllobodan Millosheviçit ka mbështetur këto krime, tha se “nuk e kishte bërë kurrë një gjë të tillë”.

Në tërësi lajmet nga rajoni patën vëmendje të theksuar Kosovën dhe marrëdhëniet Prishtinë-Beograd ku herë pas here përfshirja edhe e Kryeministrit Edi Rama i shtuan vëmendjen, rasti konkret ishte periudha nën izolimin prej pandemisë kur pasi Serbia i bllokoi kufirin Kosovës, Rama i bëri thirrje Vuçiçit që ta rishikonte këtë vendim pasi “pandemia është armik i përbashkët”.

Foto ilustruese nga një prej takimeve Rama-Vuçiç gjatë diskutimeve për minishengenin ballkanik, LSA.

2 – Zgjedhjet në SHBA, Trump kundër Biden për Shtëpinë e Bardhë

“Live Blog”-u kushtuar presidencialeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte një nga më të qasurat në web për sa i përket raportimeve të ngjashme në Euronews Albania.

Kandidati demokrat Joe Biden sfidoi në zgjedhje Presidentin në detyrë, republikanin Donald Trump. Fushata zgjedhore e tyre ishte e ashpër dhe u shoqërua nga debate të shumta, kjo zgjoi interes të madh edhe nga audienca shqiptare.

Për të paktën dy ditë me radhë në 3 dhe 4 nëntor, në një transmetim maratonë nga Euronews, audienca pati mundësi të ndiqte në kohë reale të gjitha informacionet që vinin nga Washingtoni.Donald Trump dhe Joe Biden përballë në fushatën presidenciale të vitit 2020, Wikimedia.

3 – Vjosa Osmani komenton takimin me Ramën dhe mungesën e tij në sallën e Parlamentit

Marrëdhënia e tensionuar mes Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentes në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj në Tiranë në muajin dhjetor ishte një ndër më të komentuarat në studiot televizive.

Në një intervistë për gazetaren Ilva Tare në Euronews Albania ajo tregoi se çfarë kishte diskutuar gjatë takimit me Ramën dhe se nuk e kishte vënë re mungesën e këtij të fundit gjatë fjalës së saj në Kuvend.

Deklarata e saj rreth mungesës së Ramës u klikua vrullshëm, pasi ishte komenti i parë publik i saj pas vizitës.

Ndërkohë edhe replika në një deklaratë për shtyp nga kryeministri i Shqipërisë në lidhje me vizitën e Osmanit pati gjithashtu interes të madh, pasi Rama e cilësoi “propagandistike për të fituar vota në Kosovë” angazhimin që ajo mbajti gjatë vizitës në Tiranë.

Presidentja në detyrë Vjosa Osmani gjatë intervistës me gazetaren Ilva Tare në Euronews Albania.

4 – A po funksionon strategjia e Suedisë për COVID-19?

Teksa shumica e vendeve evropiane ishin nën izolim të plotë prej pandemisë së COVID-19, Suedia ishte një nga të paktat shtete që vendosi të aplikojë një qasje me masa relativisht të buta në parandalimin e përhapjes së virusit.

Kjo bëri që lajmet që përflisnin pikërisht këtë strategji të qaseshin me interes të madh, sidomos në Euronews Albania. Suedia vendosi të shmangë karantinën e plotë të mbi 10 milionë banorëve të saj, politikë që rreth dhjetë muaj më pas rezultoi të ishte jo aq e suksesshme sa pritej, ndërkohë për qasjen që pati Sotkholmi vuajti pasojat pasi shtatë shtete të Evropës i mbyllën kufijtë.

Foto ilustruese e COVID-19 në Suedi, Canva.

5 – Njëzetenëntëvjeçari me COVID-19 i jep fund jetës duke u hedhur nga kati i tretë i spitalit

Vetëvrasja e një pacienti me COVID-19 në fillim të muajit gusht tronditi opinionin publik. Ngjarja ndodhi teksa vendi po haste në prirjen e dytë rritëse të rasteve me infeksion. Kjo shtoi trysninë te autoritetet, të cilat thanë se vetëvrasja ndodhi si pasojë e rëndimit psikologjik prej sëmundjes.

Fatkeqësisht vetëvrasje të ngjashme u përsëritën edhe katër herë të tjera, ndërkohë që tema e COVID-19 në Shqipëri ishte ndër më kryesoret gjatë gjithë vitit. Artikujt shpjegues se çfarë është coronavirusi, çfarë simptomash shkakton dhe çfarë duhet të kemi parasysh. Për t’u veçuar është fakti se gjatë periudhës së izolimit vëmendja kryesore e publikut ishte te video-deklaratat e Kryeministrit Edi Rama, i cili njoftonte përditësimet e masave kufizuese dhe fashot e orareve të lëvizjeve.

Spitali Shefqet Ndroqi, LSA.

6 – Integrimi dhe masat për lëvizjet gjatë pandemisë në BE

Gjatë gjithë vitit 2020 Euronews Albania ka mundur të jetë në pararojë të zhvillimeve që vinin nga Brukseli për sa i përket temës së integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Artikuj ekskluzivë si vlerësimi i Komisionit Evropian për plotësimin e kushteve nga Tirana, raporti i Parlamentit Evropian për zgjerimin, vlerësimet e vendeve anëtare për Shqipërinë, kushtet e vendosura për konferencën e parë ndërqeveritare të anëtarësimit dhe kuadri negociues ishin lajmet më të qasura në web.

Pas periudhës së izolimit vendimet e Brukselit për të hapur kufijtë për udhëtarët ishin ndër më të ndjekurat në web. Lajmet periodike të vendimeve nga BE-ja ishin ndër më të klikuarat.Foto ilustruese nga selia e Komisionit Evropian, Bruksel, Canva.

7 – Aktakuzat ndaj ish-udhëheqjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe dialogu me Serbinë

Zhvillime të rëndësishme në Kosovë si publikimi i aktakuzës nga Dhomat e Specializuara të Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe çështja e dialogut me Serbinë patën vëmendje të veçantë. Dorëheqja e Presidentit Hashim Thaçi pas konfirmimit të akuzave dhe seancat gjyqësore ndaj Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit e të tjerëve pati vëmendje absolute.

Me interes u përcoll intervista ekskluzive e ish-drejtuesit të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadorit William Walker i cili mbajti qëndrim kritik për faktin se mbi 20 vite pas luftës nuk po gjykohen krimet e kryera nga pala serbe.

Vëmendje pati edhe për dialogun Kosovë-Serbi ku pas rikthimit në bisedime nga qeveria e Avdullah Hotit, në shtator u nënshkrua një marrëveshje mes të dyja palëve nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pas kthimit nga dëshmia e parë në Hagë gjatë muajit korrik 2020, Facebook.

8 – Vrasja nga policia e Klodian Rashës, protestat dhe largimi i ministrit Sandër Lleshaj

Vrasja nga policia e një 25-vjeçari në periferi të Tiranës gjatë kufizimeve të lëvizjeve prej pandemisë trazoi ndjeshëm opinionin publik. Shtatë ditë protesta që pasuan këtë ngjarje u përcollën me hapësirë të veçantë nga Euronews Albania.

Lajmet dhe komentet rreth zhvillimeve të këtyre protestave, të rejave nga hetimet për vrasjen dhe sidomos dorëheqjes së ministrit Sandër Lleshaj ishin ndër më të klikuarat gjatë muajit dhjetor.Fotografi e Klodian Rashës dhe polici i akuzuar për vrasjen e tij, Euronews Albania.

9 – Zgjedhjet në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut

Zgjedhjet parlamentare që u mbajtën gjatë verës në Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi zgjuan interes te audienca pasi partitë shqiptare patën rezultate pozitive duke fituar deputetë dhe duke u bërë faktorë në zhvillimet politike.

Në Serbi zgjedhjet i fitoi sërish partia e Presidentit Aleksandar Vuçiç, teksa shqiptarët e Preshevës mundën të fitojnë tre mandate për deputetë.

Maqedonia e Veriut gjithashtu mbeti nën drejtimin e shumicës së mëparshme. Zoran Zaev fitoi zgjedhjet në koalicion me shqiptarët, të cilët mundën të fitonin si kurrë më parë 32 deputetë.

Në Mal të Zi nisma politike e shqiptarit Dritan Abazoviç rezultoi vendimtare për të rrëzuar pas dhjetëra vitesh nga pushteti partinë e Milo Gjukanoviç. Intervista e tij ekskluzive për Euronews Albania dhe lajmet e tjera për koalicionin qeverisës patën goxha vëmendje.

Drejtuesi i nismës politike URA në Mal të Zi, Dritan Abazoviç në intervistë për Euronews Albania.

10 – Bilanci i pandemisë, masat e kufizimeve dhe rregullat e reja

Gjatë periudhës prej nëntë muajsh nën pandeminë e COVID-19 në vitin 2020 ndër artikujt më të shqyrtuar ishin sigurisht edhe ato që flisnin rreth përditësimeve të rasteve, masave dhe rregullave të vendosura nga autoritetet.

Periudha mars-qershor ishte ndër më të vrullshmet në këtë drejtim pasi vendi qe izoluar dhe autoritetet ndaluan të gjitha aktivitetet ekonomike, sociale, kulturore dhe politike që nxisnin grumbullime njerëzish. Ndryshimi i masave gjatë tre muajt e verës për t’i dhënë frymë sektorit të turizmit ngjallën gjithashtu interes te publiku për të kuptuar më mirë se si do të lejohej lëvizja, ushtrimi i aktiviteteve, vajtja apo jo në shkolla dhe vijimi i përditshmërisë tashmë nën kushtëzimin e pandemisë.

Kjo gjë vijoi edhe në dy muajt e fundit të vitit ku u rivendosën sërish orare kufizimi të lëvizjeve.Qytetarë të Tiranës duke kryer pazar për fundvitin me masa të shtuara higjienike për shkak të pandemisë, LSA.

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026