Një çerekshekulli burg politik, Xhemal Bali ende pa marrë dëmshpërblimin e plotë

24 Dhjetor 2020 | 18:13

Përmes një dëshmie ekskluzive Euronews Albania sjell dëshminë e Xhemal Balit, ish-të dënuarit politik që kaloi një çerekshekulli në burgjet komuniste, por që ende nuk ka marrë dëmshpërblimin e plotë nga shteti. Në rrëfimin e tij, ai tregon se si nga burgu dërgoi një letër me 31 faqe kundër Enver Hoxhës.

Xhemal Bali është 85-vjeçari nga Saranda, që një çerekshekulli e kaloi në burgjet komuniste, si i dënuar politik. Më 8 korrik 1961, Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës e deklaroi fajtor për “tradhti ndaj atdheut”. Dënimin e gjatë e vuajti në burgje të ndryshme nga jugu në veri.

“Më akuzuan sikur doja të arratisesha, nuk e pëlqeja sistemin komunist në Shqipëri dhe kur rashë në duart e hetuesisë më thoshin që t`i e ke mendjen tek bota perëndimore. Gjatë zhvillimit të hetuesisë sillnin dëshmitarë të rremë, të kurdisur dhe më dënuan 17 vjet. Ndenjëm ca kohë në burgun e Gjirokastrës, pastaj në burgun e Vlorës, nga atje në Tiranë. Në Laç kam punuar katër vjet me kinezet bëhej uzina, bëhej një uzinë e superfosfatit,” – thotë Xhemal Bali.

Nga burgu ai i dërgoi një letër prej 31 faqesh kundër Enver Hoxhës Komitetit Qëndror dhe Byrosë Politike duke kërcënuar vetë Enver Hoxhën. Për këtë mori edhe 17 vite të tjera burg me akuzën «agjitacion dhe propagandë».

“Në prill të 67-ës shkoj në Elbasan, atje më kishte vdekur babai edhe më iku mendja fare se ngelën të gjithë pjesëtaret e familjes, të gjithë qenë femra dhe vëllai qe i vogël, 10 – 12 vjeç edhe atëherë mu mbush mendja dhe i drejtova një letër Komitetit Qëndror dhe Byrosë Politike kundër Enver Hoxhës, asnjë njeri nuk kam zënë me gojë, vetëm atë, sa kam arritur ju kam thënë hiqeni atë se do ju heq të gjithëve. Shkrova 31 faqe, i ka edhe aktakuza edhe ma dedikuan mua dhe me gjithë protestat që bëra unë më dënuan,” – vijoi Bali.

Pas lirimit nga burgu punoi në kooperativë, ndërsa kur sistemi ndyshoi Xhemali bashkë me familjen u larguan në Greqi. Gjatë qëndrimit në shtetin fqinj, deklaron se ka marrë letër nga presidenti në detyrë asaj kohe, Sali Berisha për t`u angazhuar në politikë, por mes politikës dhe familjes ai zgjodhi familjen.

“Më vjen një telegram mua që pas festave të nëntorit të pret presidenti në presidencë. U takuam me Berishën, biseduam gjerë e gjatë, të angazhohesh më thotë mua kështu.Unë nuk angazhohem në politikë i thashë unë. Dy njerëz më kanë ndihmuar në jetë, babai dhe gruaja.  Babai më ka vdekur i thashë, nuk i hodha asnjë lopatë dhe, gruaja më rriti dy vajzat dhe do ja kushtoj thashë unë tani jetën gruas dhe dy vajzave,” – shton më tej ish-i përndjekuri politik.

Ndonëse rininë e kaloj në burgjet komuniste, mes torturave dhe punëve të rënda, Xhemal Bali ende nuk ka marrë dëmshpërblimin e plotë si ish i dënuar politik.     

“Kam mbi 40 milion lekë pa marrë. Duhet t`i kisha marrë. Ata vunë atë afatin në atë kohë brenda tetë vjetëve, llogarit t`i tani se sa vjet kanë kaluar. Sa herë pastaj më kanë kërkuar mua, e kam vajtur në Tiranë, që të më shohin, se mos kam vdekur se edhe ata thonë gjithmonë që ishalla vdesin që mos na marrin paratë. Po ti kisha vënë unë ato lekë në lëvizje, do kisha ngritur ekonominë time, do u kisha ndihmuar vajzave që u rritën jetime duke e pasur babanë e tyre gjallë,” – thotë Bali.

Sot të përndjekurit politik që janë gjallë në vendin tonë janë shumë pak, e megjithëse u premtua se do të merrnin dëmshpërblimin e plotë, dëshmia e Xhemal Balit tregon se kjo nuk ka ndodhur.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Linda Rama rrëfen hapat e karrierës së saj përballë gazetares Ilva Tare

Në një intervistë ekskluzive për gazetaren, Ilva Tare, aktivistja dhe gruaja e angazhuar, Linda Rama rrëfeu mbi karrierën e saj sfiduese, mënyrën si e ka...
22:36 | 18/06/2021

Kultura dhe dialogu politik në Shqipëri, sipas optikës së Linda Ramës

Aktivistja Linda Rama në një rrëfim ekskluziv për “Ilva Now” në Euronews Albania analizoi etapat në të cilat ka kaluar dialogu politik në Shqipëri, që...
22:13 | 18/06/2021

“Jemi akoma me plagë të hapur”, Linda Rama përlotet ndërsa rrëfen për humbjen e Aneta Ramës

E ftuar në emisionin “Ilva Now”, aktivistja e shoqërisë civile dhe intelektualja e angazhuar, znj. Linda Rama foli ndër të tjera edhe për marrëdhënien e...
22:02 | 18/06/2021