Një i vrarë dhe dhjetëra të plagosur në një “sulm terrorist” në Ukrainë

22 Shkurt 2026 | 13:07

Një oficere policie u vra dhe dhjetëra njerëz të tjerë u plagosën pas dy shpërthimeve në qytetin e madh perëndimor të Ukrainës, Lviv, të cilat autoritetet i përshkruan si “akt terrorist”.

Në orët e hershme të mëngjesit të 22 shkurtit, policia kombëtare e Ukrainës njoftoi se pak pas mesnatës ishte bërë një thirrje emergjente për hyrje me forcë në një dyqan lokal.

Sipas njoftimit, pasi një njësit patrullimi mbërriti në vendngjarje, ndodhi një shpërthim, i cili u pasua nga një tjetër shpërthim kur në vend arriti një njësit i dytë.

“Është vërtetuar paraprakisht se kanë shpërthyer mjete të improvizuara shpërthyese”, tha policia në Telegram.

Policia bëri të ditur se nga shpërthimet humbi jetën oficerja e patrullës 23-vjeçare, Viktoriya Shpylka, e cila kishte nisur punën në rajon në vitin 2023 dhe ishte martuar me një tjetër oficer patrulle në vjeshtën e vitit 2025.

Të paktën 25 njerëz të tjerë u plagosën nga incidenti. Në një intervistë televizive, ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko, tha se tre persona ndodhen në gjendje “kritike”.

Olha Pidcerkovna, mjeke e urgjencës në spitalin lokal, i tha Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë se këta tre persona janë vendosur në aparate të frymëmarrjes së asistuar.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e quajti ngjarjen “sulm terrorist” dhe tha se policia ka ndaluar një të dyshuar. Ai nuk dha hollësi të mëtejshme.

Klymenko shtoi se po vazhdojnë “masat operative dhe veprimet hetimore”: “Autoritetet po identifikojnë persona të tjerë të përfshirë në kryerjen e këtij krimi”.

“Oficerët e policisë u përgjigjen thirrjeve çdo ditë dhe natë, pa e ditur kurrë se çfarë i pret. Por, ata nxitojnë të ndihmojnë, sepse mbrojtja e njerëzve është detyra e tyre kryesore”, shkroi ai në Telegram.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Prokurorët: Njollat ​​e gjakut të gjetura në objektet në shtëpinë e këngëtarit D4vd dyshohet se janë të 14-vjeçares

Njollat ​​e gjakut në objektet e gjetura nga ish-rezidenca e këngëtarit D4vd në Los Angeles dyshohey se janë të 14-vjeçares, Celeste Rivas Hernandez. Trupi i dekompozuar i...
08:14 | 24/07/2026

Irani refuzon propozimin e ri të SHBA-së për armëpushim

Irani hodhi poshtë të enjten një marrëveshje armëpushimi të SHBA-së, e cila iu paraqit Teheranit nga kryeministri irakian, raportoi The New York Times, duke cituar...
08:11 | 24/07/2026

Spanja shpall gjendje të jashtëzakonshme, zjarret detyrojnë evakuimin e 10 mijë banorëve

Përballë përhapjes së pakontrolluar të zjarreve, qeveria spanjolle shpalli “gjendje të jashtëzakonshme me interes kombëtar” të enjten në mbrëmje deri të premten në rajonin e...
08:06 | 24/07/2026