Shteti me shumicë myslimane që nuk lejon shamitë e kokës dhe mjekrat e gjata

24 Korrik 2026 | 07:57

Çdo javë, Khushnud e hap aplikacionin WhatsApp, ia bën një foto vetes që shfaq mjekrën e rruar dhe ia dërgon policisë.

Ky 38-vjeçar, tregtar me profesion e që është mysliman nga qyteti Boktar në jug të Taxhikistanit, tha se e bën këtë gjë që kur i kaloi tri ditë në burg pasi policia e arrestoi për shkak të mjekrës së tij.

“Më kanë urdhëruar që t’iu dërgoi një fotografi çdo javë që tregon se e kam rruar mjekrën”, tha Khushnudi, i cili u prezantua vetëm me emër për arsye sigurie.

Ai tha se autoritetet e kanë akuzuar për shkelje të rendit publik, që është një vepër administrative, dhe e kanë gjobitur me 180 somoni (18 dollarë).

Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga policia lidhur me këtë rast, por nga ky institucion në Taxhikistan nuk janë përgjigjur.

Përvoja e Khushnudit shfaq një trend më të gjerë, teksa shumë taxhikë thonë se vendimet lidhur me veshjen, dukjen dhe besimin janë bërë të ndërthurura me pritjet zyrtare.

Taxhikistani, shtet në Azinë Qendrore me mbi 10 milionë banorë, ka popullsi kryesisht myslimane dhe islami mbetet i rrënjosur thellë në shoqëri.

Por, në vitet e fundit autoritetet kanë vendosur masa që kufizojnë veshjen dhe forma të tjera të dukjes që ata e vlerësojnë se janë në mospërputhje me kulturën kombëtare taxhike.

Fshat më fshat

Fushata e Dushanbes kundër hixhabit islamik, ose shamisë së kokës, arriti kulmin në vitin 2024, kur vendi ndryshoi ligjin për “traditat dhe festimet”, duke ndaluar zyrtarisht “veshjet e huaja për kulturën taxhike”, një formulim që gjerësisht kuptohet se i referohet veshjeve islame.

Kufizime ndaj hixhabit veçse aplikoheshin në shkolla, universitete dhe institucione qeveritare.

Në Taxhikistan, hixhabi i grave dhe mjekra e burrave shpesh trajtohen nga autoritetet si shenja të jashtme të ekstremizmit të mundshëm fetar.

Zyrtarët kanë thënë vazhdimisht se nuk e kanë në shënjestër shaminë islame të kokës dhe se nuk synojnë të kufizojnë liritë fetare të qytetarëve. Megjithatë, për disa besimtarë, këto ndryshime i kanë bërë që të jenë më të kujdesshëm për mënyrën se si paraqiten në publik.

“Kur shkova te mjeku muajin e kaluar, një punonjës më ndaloi te dera dhe më tha ta rregulloja shaminë e kokës në mënyrë që të më dukeshin nofulla dhe qafa”, tha për Radion Evropa e Lirë më 20 korrik, Mohira, një 35-vjeçare nga provinca Katlon, në jug të Taxhikistanit.

Mohira, e cila kërkoi të identifikohej vetëm me emrin e saj për shkak të shqetësimeve të sigurisë, tha se tani e zgjedh me kujdes veshjen sa herë që shkon në institucione shtetërore, qendra shëndetësore ose në shkollën e fëmijëve të saj.

“Unë ende e mbaj shaminë e kokës, por zgjedh ngjyra të ndezura, motive me lule ose shamia me xhixha”, tha ajo.

Mohira tha se shmang ngjyrat “e bardha apo të zeza”, pasi këto ngjyra kanë më shumë gjasa të konsiderohen si të ngjashme me veshjet fetare, të lidhura me vende të tjera myslimane.

Në maj, Komiteti për Çështjet e Grave në qarkun Rudaki, në periferi jugore të Dushanbes, publikoi fotografi nga fushata e tij me titull “Fshat më fshat”, i cili tha se synon të promovojë veshjet tradicionale taxhike dhe të dekurajojë përdorimin e veshjeve të huaja.

Fotografitë e shpërndara nga ky komitet shfaqën zyrtare që bisedonin në rrugë me gra që mbanin shami koke dhe kishin të veshura rroba të gjata e të gjera. Postimi u fshi më vonë, pasi shkaktoi reagime të ashpra në rrjetet sociale.

Një raport i publikuar në maj nga Komisioni i Shteteve të Bashkuara për Lirinë Fetare Ndërkombëtare (USCIRF) tha se Qeveria taxhike ka vazhduar përpjekjet për të “kontrolluar të gjitha aspektet e jetës fetare në Taxhikistan”, duke përmendur kufizimet ndaj organizatave fetare, mënyrës së veshjes, arsimit dhe praktikimit të fesë në publik.

Në raport u tha po ashtu se autoritetet kanë vazhduar ta zbatojnë ndalimin e vitit 2024 përmes fushatave që dekurajojnë veshjet e konsideruara “të huaja për kulturën kombëtare”.

Sipas raportit, zyrtarët vizituan shkollat në muajin shkurt për të diskutuar për atë që e përshkruan si “imitim i kulturës së huaj”.

Qeveria e Taxhikistanit i ka mbrojtur këto politika, duke i cilësuar si përpjekje për të ruajtur traditat kombëtare dhe për të parandaluar ekstremizmin, dhe vazhdimisht mohon se po kufizon liritë fetare të qytetarëve.

Çdo rast regjistrohet

Për dallim nga ndalimi i hixhabit, në Taxhikistan nuk ekziston asnjë ligj që shprehimisht ndalon mbajtjen e mjekrës. Megjithatë, qytetarë taxhikë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se burrat janë ndaluar nga autoritetet për shkak të qimeve në fytyrë, që autoritetet mund t’i konsiderojnë si shenjë të ekstremizmit të mundshëm fetar.

Dy burra, të cilët u ndaluan nga policia për shkak të mjekrës së tyre, i thanë Radios Evropa e Lirë se oficerët i liruan pa ngritur akuza, por vetëm pasi ua rruan me forcë mjekrën. Ata thanë se kishin njohuri edhe për incidente të tjera të ngjashme.

Në disa raste, thanë ata, autoritetet i kanë akuzuar burrat për vepra administrative, si prishje të rendit publik ose pirje e duhanit në vende ku është e ndaluar.

Amini, një 37-vjeçar nga provinca Katlon, tha se policia së fundi “ma hoqi mjekrën” para se ta lironte vetëm me një vërejtje gojore. E gjithë kjo ngjarje ndodhi në sytë e djalit të tij gjashtë vjeç.

“Nuk jam as fetar. E rrita mjekrën pasi filluan të më binin flokët”, tha Amini. “Ishte thjesht një zgjedhje e stilit”.

Duke folur në kushte anonimiteti, një zyrtar në një zyrë të pasaportave në provincën Katlon i tha Radios Evropa e Lirë se aplikuesit që kanë mjekër rregullisht u kërkohet ta rruajnë atë përpara se të marrin dokumentet e tyre.

“Çdo rast regjistrohet dhe emrat u raportohen autoriteteve më të larta”, tha zyrtari.

Ai shtoi se këto të dhëna përfshihen në raportet mujore që monitorojnë mjekrat e burrave dhe veshjet fetare të grave./ REL

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Trump kërcënon se do të përdorë asetet iraniane për të paguar dëmet ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit

Presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi se çdo dëm i shkaktuar ndaj anijeve ose anijeve të mallrave, në mes të tensioneve në Ngushticën e Hormuzit, do...
09:03 | 24/07/2026

Sulmet amerikane vrasin 4 persona në Iran, ndërsa sirenat bien në Jordani dhe Kuvajt

Sulmet amerikane në zonat pranë qytetit jugperëndimor iranian të Ahvazit vranë katër persona dhe plagosën pesë të tjerë, ndërsa sirenat e sulmeve ajrore u dëgjuan...
08:33 | 24/07/2026

Momente paniku në SHBA, hidroavioni shpërthen në flakë pas uljes emergjente në det. Shpëtojnë të 11 personat në bord (VIDEO)

Një hidroavion i Kenmore Air që transportonte 11 persona bëri një ulje emergjente pranë ishullit Sushia, Uashington, dhe më pas shpërtheu në flakë, tha të...
08:25 | 24/07/2026