Opozita në Kosovë i kërkon sqarime Kurtit për takimin me Vuçiçin

6 Maj 2022 | 16:21

Të mërkurën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte mysafir i kancelarit gjerman Olaf Sholz. Tema kryesore mes dy liderëve u tha se ishte lufta në Ukrianë dhe dialogu me Serbinë.

Por, vetëm pak orë pas këtij takimi, Kurti pati një takim tjetër joformal me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç në praninë e emisarit të BE-së për dialog, Miroslav Lajcak. Gjatë kësaj darke tema kryesore, e ndoshta e vetmja, ishte dialogu Prishtinë-Beograd.

Opozita në Kosovë kërkon transparencë nga Kurti në këtë proces.

“Nuk di se çfarë duhet të komentojmë, kur nuk dimë asgjë dhe nuk jemi të informuar si deputetë të Kuvendit të Kosovës se cila ka qenë agjenda e asaj darke”, thotë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

“Duhet të raportohet në Kuvend, pas asaj që kemi marrë vesh që nga qeveria e kaluar që pas çdo takimi që mbahet në Bruksel, në lidhje me bisedimet me Serbinë duhet të raportohet në Kuvend”, u shpreh shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

“Ky proces duhet të jetë transparent. Ne kërkojmë nga qeveria e Republikës së Kosovës, që pas çdo raundi bisedimesh që do të mbahen, të vijë të raportojë në Kuvend sepse duhet të jetë transparent”, sipas deputetes së AAK-së, Time Kadriaj.

Përveç transparencës, ata kërkojnë edhe sqarime për ndryshim të qëndrimeve të Kurtit mbi dialogun dhe bashkëpunimin me opozitën.

“Kemi një ndryshim drastik në qasjen politike të Kurtit. Këto 15 vitet e fundit kushdo që ka marrë pjesë në këto bisedime është quajtur tradhtar”, deklaroi Gashi.

“Qeveria e Kurtit duhet t’i ftojë liderët opozitarë në një takim ku do të bisedohen hapat të cilët do të ndërmerren në procesin e dialogut”, tha Kadriaj.

Se kur do të raportojë Kurti para deputetëve të Kuvendit te Kosovës dhe a do t’i ftojë liderët opozitarë për bashkëpunimin mbetet të shihet. Ajo që dihet deri tani, është se dallimi në qëndrimet e Kosovës dhe Serbisë vazhdon të jetë i madh.

LEXONI GJITHASHTU

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rubio: Anëtarësimi i Kosovës në NATO tani nuk është në krye të agjendës së aleatëve

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se zgjerimi i NATO-s për të përfshirë Kosovën aktualisht nuk është në krye të agjendës së aleatëve, por...
08:17 | 04/06/2026

Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të mërkurë është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë....
16:28 | 03/06/2026

Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Zyra e Kurtit ka zbuluar detaje...
15:30 | 03/06/2026