Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se Komisioni Evropian u ka dërguar edhe një rikonfirmim të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian rreth kritereve për viza, duke vlerësuar edhe reformat e ndërmarra në një vit e gjysmë.
Gjithashtu, ajo tha se për Asociacionin e Komunave Serbe vlen vetëm vendimi i Kushtetutës dhe nuk është në të mirën e askujt ngritja e një “Republike Srpska” në Kosovë, shkruan KosovaPress.
Osmani mori pjesë në takimin e parë të Komunitetit Politik Evropian, i quajtur ndryshe si Samiti i Pragës, dhe pas takimeve të së enjtes ajo mbajti edhe një konferencë për media në të cilën tregoi edhe për takimet që kishte zhvilluar në Çeki.
Presidentja nuk e takoi homologun serb, Aleksandër Vuçiç, për të cilin tha se kësaj radhe nuk ishin në tryezën e njëjtë porse Kosova ishte në tryezën që vërtet e meritonte, aty ku u fol për paqen dhe sigurinë.
“Nuk e kam takuar presidentin Vuçiç, sepse ka një platformë të re për dialog politik në baza të barabarta, ku të gjithë diskutuam si të barabartë. Ishte iniciuar me idenë ku ne kemi diskutime të hapura me grupe më të vogla dhe kemi qenë në grupe të ndryshme kësaj radhe; unë isha tek tryeza e ‘Paqes dhe sigurisë’. Nuk e di se ku ishte presidenti Vuçiç, por Kosova vërtetë e meritonte të ishte në tryezën për paqen dhe sigurinë, sepse është një shtet që vërtetë kontribuon për paqen dhe sigurinë”, deklaroi Osmani.
Megjithatë, Osmani u takua me presidentin francez Emmanuel Macron si dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz, me të cilët është diskutuar çështja e liberalizimit të vizave dhe ajo e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
“Aty, në radhë të parë, kam ngritur çështjen e shtyrjes përpara të liberalizimit të vizave dhe së dyti, çështjen e anëtarësimit në Këshillin e Evropës; si dy tema që domosdoshmërisht duhet të shtyhen përpara në mënyrë që Kosova të ketë progres konkret, dhe pastaj natyrisht kemi diskutuar edhe për dialogun. Ju e dini që Franca dhe Gjermania në nivele më të larta janë duke bërë përpjekje për intensifikimin e dialogut dhe natyrisht ne nuk kemi asgjë kundër që të intensifikohen përpjekjet për një zgjidhje, por si përfaqësuese e Republikës së Kosovës, para presidentit Macron dhe kancelarit Scholz kam paraqitur cilat janë vijat tona të kuqe që kanë të bëjnë me mbrojtjen e integritetit territorial, sovranitetin e vendit, kushtetutshmërinë dhe gjithashtu rëndësinë e jashtëzakonshme që Kosova të mbetet shtet funksional, të mos lejojmë zgjidhje që më shumë shkaktojnë probleme sesa sjellin më shumë paqe e stabilitet në rajon”, tha Osmani.
Duke u ndalur te Asociacioni i Komunave Serbe, Osmani tha se Kushtetua është e qartë në vendimin e saj dhe se një “Republika Srpska” në Kosovë do të ishte e dëmshme për vetë Bashkimin Evropian.
LEXONI GJITHASHTU: