Partitë në Kosovë larg konsensusit për të zgjedhur presidentin e ri
Partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje për postin e presidentit, megjithëse sot bëhen një muaj, që Kosova është me ushtrues detyre të presidentit.
“Betonimi” i qëndrimeve të partive parlamentare po konsiderohet si arsye se kjo gjendje do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm, përkundër paralajmërimeve të kryeministrit Avdullah Hoti për tryezë politike.
Ndërkohë partitë nuk shprehen as të gatshme që të iniciojnë procedurat në Kuvend për zgjedhjen e presidentit.
Deputeti i LDK-së, Faton Bislimi për KosovaPress thotë se koalicioni qeverisës nuk ka ende një kandidat për president të vendit, por shpreson se do të gjendet një zgjidhje.
“Koalicioni qeverisës ende nuk ka kandidat për president. Ju e dini që ekziston tanimë një ftesë e kryeministrit Hoti për një tryezë me liderët partiak në mënyrë që të dakordohen për mundësinë e zgjedhjes së presidentit. Shpresoj që liderët politikë të vendit do të gjejnë mundësinë më të mirë të mundshme që zgjidhja e presidentit të kryhet. E mandej nëse ka nevojë të shkohet në zgjedhje ne si LDK nuk i frikësohemi zgjedhjeve në asnjë moment”, deklaron ai.
Pavarësisht se ka muaj që AAK-ja ka propozuar Ramush Haradinaj për president të vendit, ata ende nuk e shohin të arsyeshme të mbledhin nënshkrime për të proceduar në Kuvend kandidaturën e tij.
Deputeti Pal Lekaj thotë se procedurat në Kuvend mund të nisen posa të ketë pajtueshmëri të gjerë. Por në rastin e kundërt, Lekaj thotë se 14 deputetët e AAK-së nuk votojnë asnjë kandidat përveç liderit të tyre.
“Sa i përket procedurave është kushtetuese të merren tridhjetë nënshkrime. Por ne ende nuk kemi filluar, pasi nuk kemi një pajtueshmëri me subjektet tjera politike që janë në parlament. Pasi të dakordohemi dhe merremi vesh për kandidimin e zotit Haradinaj për president ne do t’i mbledhim edhe nënshkrimet. Ne e kemi bërë të qartë që në fillim, ne 14 deputetët e AAK-së nuk votojnë asnjë kandidatë tjetër për president…do të vijë edhe koha kur do të ulemi dhe dakordohemi”, thotë ai.
Mosinteresim për këtë çështje shprehën në Lëvizjen Vetëvendosje. Deputeti, Artan Abrashi thotë se në këtë legjislaturë nuk mendojnë të procedojnë një kandidat për president.
“Ne besojmë që Kuvendi si autoritet që bënë përzgjedhjen e presidentit nuk mund të procedojë këtë çështje. Unë besoj që ky formacion i kuvendit ka devijuar nga vullneti i qytetarëve që ka dalë nga vota e 6 tetorit. Rrjedhimisht e konsiderojmë të papërshtatshëm votimin e presidentit në këto rrethana”, tha ai. Qëndrim të njëjtë, mban edhe zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, i cili thotë se aktualisht në parti nuk kanë diskutuar për këtë post dhe rrjedhimisht nuk mund të procedojnë kandidat të tyre për president në Kuvend.
Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar takim me liderët e partive politike javën e ardhshme për të gjetur një zgjidhje për postin presidentin.
Që nga 5 nëntori në krye të shtetit si ushtruese e detyrës është Vjosa Osmani.
Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian
Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së
Haxhiu gjatë takimit me Costan: Rruga drejt BE-së, interes strategjik i Kosovës
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta