Partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut janë bashkuar në kërkesën për heqjen e përkufizimit të gjuhës shqipe në Kushtetutën e vendit si gjuha që e flasin të paktën 20 përqind e popullatës.
Partitë shqiptare kërkojnë që ndryshimi të bëhet gjatë hapjes së Kushtetutës për futjen e pakicës bullgare si etni, që është parakusht për vazhdimin e rrugëtimit të Maqedonisë së Veriut në BE.
Ushtruesi i detyrës kryetar i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, kërkon takim liderësh mes partive shqiptarëve për të bërë një kërkesë të përbashkët zyrtare.
“Konsiderojmë se për momentin duhet të bisedojmë me ekspertë, njerëz kompetentë dhe ambasadorët, të merren mendime. Kemi kohë deri në ndryshimet kushtetuese , votimin, dhe do ti prezantojmë kur të mendojmë se do të jetë më e arsyeshme”, tha Taravari.
Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, mbështet kërkesën për ndryshime kushteteuse, por është skeptik për shkak të numrave të pamjaftueshme të mazhorancës për t’i votuar në Parlament.
“20% është një kompromis që është bërë në vitin 2001, me qëllim që të mos cenohet substanca e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit. Të gjithë ata që përpiqeshin të kontribuojnë për paqen dhe arritjen e kësaj Marrëveshje, na siguruan por edhe ne ishim të vetëdijshëm, por edhe partitë politike me të cilat kam qenë aso kohe në komunikim të përhershëm se nuk cenohet substanca e marrëveshjes dhe nuk cenohen të drejtat dhe avancimi i shqiptarëve”, theksoi ai.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se Kushtetuta po hapet për të përshpejtuar rrugën drejt BE-së, dhe nuk qartësoi nëse mbështet kërkesën e partive shqiptare.
Për hapjen e Kushtetutës në përputhje me Marrëveshjen me Bullgarinë, nevojiten 80 vota, numrat të cilët për momentin shumica parlamentare dhe opozita shqiptare nuk i kanë. Ndryshimet Kushtetuese i bllokon VMRO DPMNE-ja dhe E Majta të cilat kundërshtojnë pa marrë më parë garanci nga BE-ja se Bullgaria nuk do të nxjerrë kushte të reja për Maqedoninë e Veriut.
LEXONI GJITHASHTU
- Institucionet shtetërore në RMV kursyen 20% të energjisë elektrike në muajin shtator
- RMV në BE brenda 8 viteve, Tanja Fajon shprehet optimiste gjatë vizitës në Shkup