Partitë shqiptare në Serbi, bashkojnë forcat për herë të parë
Partitë shqiptare në Serbi do të shkojnë për herë të parë thuajse të bashkuara në një proces zgjedhor parlamentar. Pesë nga gjashtë partitë e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës janë bashkuar në koalicionin “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”.
Aktualisht në Parlamentin serb, shqiptarët përfaqësohen nga vetëm një deputet, ndërsa në këto zgjedhje synojnë që të marrin tre vende. Krahas votës për zgjedhjen e qeverisë së re, në Serbi këtë të diel do të votohet edhe për pushtetin lokal. Por, për këtë aspekt partitë shqiptare do të jenë në garë me njëra-tjetrën në zonat shqipfolëse.
“Uroj nesër pjesëmarrja të lartë në zgjedhje dhe mbështetje masive për Listën e Luginës së Bashkuar! Bashkimi i votës për Luginën e Bashkuar fuqizon zërin e shqiptarëve dhe i jep forcë përfaqësuese një bashkësie që meriton shumë më shumë. Forca vëllezër, bashkimi bën fuqinë”, ka bërë thirrje kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një postimi në Twitter.
Uroj nesër pjesëmarrja të lartë në zgjedhje dhe mbështetje masive për Listën e Luginës së Bashkuar! Bashkimi i votës për Luginën e Bashkuar fuqizon zërin e shqiptarëve dhe i jep forcë përfaqësuese një bashkësie që meriton shumë më shumë? Forca vëllezër, bashkimi bën fuqinë??
— Edi Rama (@ediramaal) June 20, 2020
Për pjesëmarrje masive në zgjedhje dhe votë të unifikuar ka bërë thirrje dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili thekson se vetëm duke qëndruar të bashkuar për të drejtat dhe lirinë kombëtare, zëri i shqiptarëve do të dëgjohet.
“Jam i lumtur që i gjithë spektri politik shqiptar në Luginën e Preshevës është bashkuar dhe në procesin zgjedhor atje po garojnë me Listën e Përbashkët të Shqiptarëve. Të gjithë bashkëkombësve shqiptarë në komunën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës u bëj thirrje që të dalin masivisht në zgjedhjet e nesërme dhe të votojnë për platformën e unifikuar politike të partive shqiptare”, thotë Thaçi.
Ndërsa, Gent Cakaj, ministër në detyrë për Punët e Jashtme, i cili është një nga aktorët që ka punuar për bashkimin e parive shqiptare, e ka cilësuar bashkimin si pikë fillimin e një ndërmarrje të përbashkët për Luginën e Preshevës. “Edhe njëherë: Pjesëmarrja e lartë e mbështetja masive në zgjedhjet për listën e Luginës së Bashkuar është e një rëndësie të patjetërsueshme! PO, PO: ekzistojnë edhe mendime ndryshe edhe shumë parti politike, por duhet të ketë vetëm një faktor politik në Luginën e Preshevës! Kjo listë gëzon mbështetjen e plotë të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës: kjo duhet të jetë pikëfillimi i një ndërmarrje të përbashkët për Luginën! Forca vëllezër – bashkimi bën fuqinë”, shkruan Cakaj.
Sondazhet tregojnë se, dy partitë që janë aktualisht në pushtet, koalicionin i Aleksandër Vuçiç dhe koalicioni i Ivica Daçiç do të marrin shumicën dërrmuese të votave, respektivisht 50% dhe 10%, më shumë se sa në zgjedhjet e kaluara. Vendi me një popullsi prej 7.2 milionë banorë, do të bëhet vendi i parë në Evropë që mban zgjedhje pas pandemisë së COVID-19 që në Serbi ka shkaktuar deri tani 258 të vdekur dhe mbi 12 mijë të infektuar. Asambleja Kombëtare e Serbisë përbëhet nga 250 vende dhe përfaqësuesit zgjidhen nga listat e mbyllura proporcionale, kombëtare. Shpërndarja e deputetëve bëhet përmes metodës d’Hondt, ku pragu për hyrjen është 3%.
Rreth 90 serbë dëbohen nga aeroporti i Tivatit, policia malazeze i cilëson rrezik për sigurinë
Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian
PZAP gjobit Vetëvendosjen me 5,100 euro për përfshirjen e një fëmije në fushatë zgjedhore
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta