Përfundon pa zgjidhje takimi i Ramës me naftëtarët e Ballshit

9 Nëntor 2020 | 19:16

Pas rreth dy orësh diskutime, naftëtarët kanë dalë pa një vendim rreth “ofertës” së përcjellë nga Kryeministri Edi Rama për zgjidhjen e situatës.

Propozimi i qeverisë duket të jetë për një mbështetje financiare dhe jo shlyerje pagash të prapambetura, çështje të cilën sërish kryeministri Rama e ka cilësuar “private”.

“Pas një diskutimi të gjatë asnjë nga palët nuk ka rënë dakord për pagat, është hedhur në tavolinë ideja për muajt në vazhdim për dhënien e një page, jo asistence, një pagë e ndërmjetme midis pagës që ne marrim në rafineri… një pagë e pranueshme, ky është një vendim që do të merret nga naftëtarët ditën e nesërme,” – u shpreh Sokol Dautaj, kryetar i Sindikatës së Naftëtarëve të Bashkuar.

Përfaqësuesi i naftëtarëve tha se nuk ka pasur një përgjigje përfundimtare dhe se vendimi për këtë do të merret ditën e nesërme. Dautaj refuzoi ta cilësoi “të kënaqur” daljen nga këto bisedime, por shtoi se “asaj i duhet dhënë kohë”.

“Risjellja e një kompanie serioze dhe dhënia e një page,” – kjo është “oferta” që sipas Dautajt ka bërë kryeministri Edi Rama gjatë ditës së sotme.

“Vendimin për vazhdimin apo jo të grevës do ta marrin 900 naftëtarët, s’mund ta marrim ne përfaqësuesit, ne kemi një pikë kryesore nga ku nuk heqim dorë, pagat,” – këmbënguli Dautaj.

“Kemi ndarë kohën, në sensin që çfarë janë çështje që lidhen me marrëdhënien private, janë çështje që nuk i takojnë qeverisë, por çështja e këtyre njerëzve sot është një çështje që na takon ne, që ta adresojmë së bashku me ta, me mirëkuptimin e tyre, pasi rruga e thjeshtë ligjore do të ishte që të drejtoheshin në zyrat e punës për të marrë asistencën, ,” – tha për mediat në një dalje të mëvonë për shtyp kryeministri Rama.

“I kemi propozuar që qeveria të marrë përsipër një mbështetje financiare në kohë për gjithë punëtorë, nuk mund të jetë paga e punës së tyre, sepse faktikisht rafineria është e fikur. Nuk është çështja jonë paga e prapambetur, ajo është një çështje që ka të bëjë me marrëdhënien e tyre me kompaninë. Vendimi gjyqësor për të cilin ata flasin lidhet me detyrimet e kompanisë, jo me të qeverisë,” – shtoi më tej kryeministri.

Kreu i qeverisë tha se naftëtarët gjenden në këtë situatë sot për shkak të “një lojë kriminale financiare në kohë kur u bë privatizimi nga qeveria e mëparshme”, por ai shtoi se po shikohet mundësia që rafineria t’i kalohet një kompanie të re pasi rafineria “nuk është për skrap”.

“Nuk kemi ende një investitor që është gati të nisë punën. Marrim përsipër që të paguajmë që ata të rrinë në shtëpi. Do të vendosim një mbështetje financiare nuk do të jetë sa paga por as sa asistenca financiare,” – përfundoi Rama.

Takimi i mbajtur në mjediset e Bashkisë së Fierit, nisi rreth orës 18:20 dhe zgjati rreth dy orë. Ai qe thirrur gjatë së dielës pasi gratë naftëtare vendosën të mirëprisnin ftesën e kryeministrit Rama për të ndërprerë grevën e urisë dhe për t’u ulur në diskutime.

Naftëtarët kishin nisur grevën prej muajit shtator, dhe 25 ditët e fundit atë e kishin vijuar gratë. Pretendimet kryesore të tyre mbeten shlyerja e dhjetëra pagave të prapambetura dhe rivënia në punë e rafinerisë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026