Të paktën tre fshatra të njësisë administrative të Sukthit në Durrës janë përfshirë nga përmbytjet ndërkohë që autoritetet lokale kanë shpërngulur tre familje të cilat rrezikoheshin nga uji.
“Aktualisht bëhet fjalë për rreth 200 hektarë toka të përmbytura nga reshjet dhe prurjet e lumit Erzen,” – raportoi gazetari Merin Maçi nga terreni teksa theksoi se gjatë së dielës ka pasur një qetësim të lehtë të situatës.
I vendosur në një rrugë kryesore të fshatit Përlat, ku kalimi i makinave është vështirësuar ndjeshëm, Maçi pati mundësinë të intervistonte inspektorin e emergjencave civile, Aurel Aliamdhi.
Ky tha se fshatrat Vadardhë, Përlat dhe Rrushkull janë aktualisht në gjendje më të rëndë edhe pse momentalisht situata ka ardhur drejt qetësimit.
“Për momentin, në ditën e sotme niveli i lumit Erzen ka rënë në dy pikat që ne i kontrollojmë në urën e Vadardhës dhe urën e Surgolemit. Deri dje kemi pasur rreth 200 hektarë tokë të përmbytura sidomos në zonat ku niveli është më i ulët dhe del uji nga kanali i Tonës dhe Erzenit, rreth 100 familje i kemi problematike të cilat i kemi evidentuar, tre familje me rreth 10 persona i kemi larguar dhe të tjerët i mbajmë nën vëzhgim,” – tha Alimadhi.
Tre familjet që janë shpërngulur aktualisht janë vendosur në zonën e Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes, njohur si Kavalishenca në Durrës.
Alimadhi tha se në rast të përkeqësimit të situatës dhe rrezikshmërisë që do të paraqitet, shpërngulja e familjeve do të bëhet e detyrueshme. Megjithëse ai tha se disa toka nuk ishin të mbjella, paralelisht po punohet me evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet dhe përmbytjet.
Autoritetet parashikojnë që deri të mërkurën, datë 13 janar shirat të vijojnë, por me intensitet më të ulët.
Lexoni gjithashtu:
Situata e përmbytjeve në Shkodër, mbi 1500 hektarë tokë nën ujë