Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho u shpreh në Euronews Albania se problematika për shkak të reshjeve ka më shumë në zonën jugore të vendit.
“Problematika më të mëdha kanë qenë në pjesën jugore të vendit, për shkak se reshjet e shumta kanë bërë të mundur rënien e gurëve në rrugë. Kontraktorët janë ne vendet e punës”, u shpreh ai.
Ai theksoi se në vend ka pasur përmbytje për shkak të fluksit të madh të shirave në vend, duke përjashtuar mungesën e keqmenaxhimit të situatës.
“Duke parë që fluksi i shirave në kohët e fundit është tej normave të caktuara për milimetër shi, rrugët kanë kanalet e tyre që pastrohen, kanë pusetat dhe gjithë elementët që përballojnë këto shira. Kapacitetet e madha të prurjeve në këto moment kanë dhënë problematika të tilla”, u shpreh ai më tej.
Sipas zotit Verdho aktualisht situata është problematike në akset Skuraj- Peshkopi, Këlcyrë-Përmet dhe Hani i Hotit-Tamarë.
“Zona të cilat kanë problematika janë Skuraj- Peshkopi, Këlcyrë-Përmet, aksi Hani i Hotit-Tamarë. Masa shtesë për përballimin e situatës , ne jemi 24 orë në dispozicion në përballimin e saj”, tha ai më tej.
“Deri të mërkurën do të kemi reshje, i sinjalizoj të gjithë përdoruesit e mjeteve që të marrin goma dimri. Në zonat ku ka dëborë të marrin edhe zinxhirë me vete. Policia të jetë pranë rrugëve, për të demonstruar se kjo është një situatë e jashtëzakonshme atmosferike”, përfundoi ai.
Lexoni gjithashtu:
Moti i keq përfshin vendin, ARRSH njoftim për situatën e rrugëve