Presidenti Ilir Meta ka reaguar për situatën e krijuar në vend pas reshjeve intensive të ditëve të fundit. Për Kreun e Shtetit është papërgjegjshmëri që nuk po merren masa nga institucionet shtetërore, duke vënë në rrezik jetën, shëndetin dhe pronat e qytetarëve.
“Është papërgjegjshmëri ekstreme dhe e dënueshme ligjërisht, që alarmi i Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit mbi rrezikun e përmbytjeve në vend, me pasoja tepër të rënda, nuk po merret seriozisht nga institucionet shtetërore, duke vënë në rrezik jetën, shëndetin dhe pronat e mijëra qytetarëve në mbarë vendin, qartësisht të braktisur në mëshirë të fatit”, shprehet z. Meta.
Presidenti kërkon që shteti të ngrihet në këmbë dhe të merren masa nga ministritë përgjegjëse, prefekturat dhe bashkitë. Po ashtu, Presidenti Meta i bën thirrje prokurorisë që të jetë e vëmendshme për çdo rast të shpërdorimit të detyrës nga funksionarët publikë.
“Të gjitha strukturave shtetërore të ngarkuara me përgjegjësi për menaxhimin e situatës duhet të veprojnë pa zvarritje. I kërkoj publikisht Prokurorisë të jetë e vëmendshme për çdo raste të shpërdorimit të detyrës nga funksionarët publikë. Jeta, shëndeti dhe pronat e qytetarëve, duke patur në konsideratë edhe pasojat e rënda të pandemisë COVID-19, duhet të jenë prioritet absolut”, ka shtuar z. Meta.