Emisioni “Përse” në Euronews Albania sjell një vëzhgim mbi protestat kundër dhunës seksuale dhe sloganin e gjuhën e përdorur në to.
Gazetari Mentor Kikia zhvilloi një diskutimi me aktivisten Mirela Arqimandrit dhe poeten Rita Petro mbi mesazhet që përcollën protestat, mënyrën e organizimit dhe rëndësinë që ka zhvillimi i këtyre protestave.
Aktivistja Mirela Arqimandriti shprehet se protestat kundër dhunës seksuale ishin madhështore dhe se treguan një nivel ndërgjegjësimi.
“Protesta që pamë ishte më madhështorja kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave. Në fillimet tona mezi mblidheshin 15-20 veta dhe nuk kishte burra në protesta. Kjo protestë tregoi niveli ndërgjegjësimi dhe secili zgjodhi mesazhe të ndryshme për t’iu drejtuar përdhunuesve”, shprehet ajo.
Edhe poetja Rita Petro mbështet organizimin e protestave kundër dhunës seksuale.
“Jam me atë që protestat ishin shumë të mira dhe sa mirë që njerëzit dalin pa arsye politike. Këto protesta i kanë nxitur njerëzit të dalin me vetëdije”, thotë poetja.
Sipas Mirela Arqimandrit shkollat duhet të vendosin protokolle dhe të ketë edukim ligjor për nxënësit.
“Në shkolla duhet të vendosin protokolle dhe nuk ka edukim ligjor të nxënësve. Edukimi ligjor do të thotë që gjimnazistët duhet të edukohen se nëse përdhunon dënohesh e futesh në burg. Ata gjithashtu nuk e dinë që nëse ti bën shantazh me video dënohesh me burg. Këto kalohen thjesht si njohuri”, shprehet aktivistja.
Provokimi inteligjent në protestat kundër dhunës seksuale, për poeten Rita Petro janë diçka e mirë, por nuk duhet të bëhen banale.
“Deri në momentin që kanë një provokim inteligjent, unë mendoj që është mirë sepse këto e tronditin pjesën patriarkale të shoqërisë. Në momentin që bëhet vulgare fare është acaruese. Tronditja është hapi i parë që t’i të ndryshosh e emancipohesh, acarimi nuk është hap i mirë”, tha ajo.
Sipas Mirela Arqimandriti protestat duhet të jenë të mirë organizuar dhe se së bashku mund të arrijmë më shumë.
“Mesazhet vulgare nuk arrijnë ndonjë gjë të madhe, por protestat duhet të jenë të mirë organizuara. Së bashku mund të arrijmë që Ministria e Arsimit t’i vendosë gishtin kokës dhe duhet të bëjmë një planifikim e protestë me mesazhe të rëndësishme për qytetarët”- tha znj. Arqimandriti.
Aktivistja Zhaklin Lekatari e sheh protestën si një ndërgjegjësim, që ka ardhur si pasojë e një mirë organizimi. Ajo shtoi se po mendojnë të çojnë një ndryshim konkret në projektligj.
“Kemi menduar që kjo protestë mos të shuhet kështu, por të ketë disa kërkesa konkrete drejtuar Erion Barçes dhe Elisa Spiropalit, duke parë që ata janë distancuar nga këto ngjarje dhe kanë bërë disa deklarata. Po mendojmë të çojmë një ndryshim konkret të projektligjit”, tha ajo.