Në shumë zona të Shqipërisë banorët protestojnë për mungesën e ujit apo për ta mbrojtur atë. Në të gjitha qytete e vendit, tarracat e pallateve janë mbushur me depozita metalike për të siguruar rezerva uji. Në shumë fshatra tokat nuk vaditen, pasi në kanale nuk rrjedh ujë.
Këto skena nuk ndodhin në ndonjë vend që vuan për burime ujore dhe ku lufta për ujin është lufta për jetën, por në Shqipëri, një nga vendet më të pasura në Evropë për burime ujore.
Kjo është panorama që sjell në serinë e radhës programi i Euronews Albania, “Përse”, i titulluar “Të etur në mes të ujit”.
Gazetari Mentor Kikia sjell një vëzhgim mbi rezervën ujore të Shqipërisë, në krahasim edhe me vende të tjera të Evropës.
Me 248 liqene natyrale, 650 liqene-ujëmbledhës artificialë, 152 lumenj, nga të cilët 12 kryesore që e përshkojnë territorin e Shqipërisë në çdo 40 kilometra, vendi ynë është ndër pesë vendet me rezerva më të mëdha ujore për frymë në Evropë. Sipas studiuesve, çdo shtetasi shqiptar, nga kjo rezervë ujore, i takon rreth 14 mijë metër kub ujë në vit.
Me një territor prej 28 mijë kilometra katrorë, Shqipëria ka privilegjin të ketë një pellg ujëmbledhës rreth 44 mijë kilometra katrorë, 16 mijë kilometra katrorë më shumë se hapësira e saj gjeografike. Disa prej lumenjve tanë kanë fillesat në vendet fqinjë, duke bërë që të sjellin në Shqipëri edhe ujërat e mbledhur jashtë territorit tonë.
Ndriçim Shani, kryetar i Entit Rregullator të Ujit, thotë se në Shqipëri prodhohen aktualisht në burime të rrjeteve ujësjellës, rreth 400 metër kub ujë për person, por si pasojë e rrjetit të amortizuar, në banesa nuk shkojnë më shumë se 100. Disa qytete sipas zotit Shani, furnizohen maksimalisht me ujë, por shumë të tjerë furnizohen me orare fare të ulëta.
“Ne jemi një vend i privilegjuar, në kemi burime ujore nëntokësore të mrekullueshme, si nga sasia ashtu dhe nga cilësia, por duhet ta menaxhojmë mirë ujin,” – pohoi z.Shani.
I ftuar në studio, inxhinieri i ujërave Fitim Ballo, theksoi nevojën për të mirëmenaxhuar këtë pasuri të madhe ujore, në mënyrë që ta shndërrojmë atë në burim ekonomie dhe mirëqenieje për popullsinë.
Ndërsa drejtori i politikave dhe zhvillimit të ujitje-kullimit në Ministrinë e Bujqësisë Arben Muka, flet për aksesin e ujitjes së tokave bujqësore sot.
“Infrastruktura ujitëse e ndërtuara para viteve ’90 është dëmtuar dhe në disa raste është shkatërruar fare, duke nxjerrë nga sistemi i ujitjes qindra mijëra hektarë tokë,” – theksoi ai.
Qindra ujëmbledhës, diga dhe kanale gjigante u ndërtuan në periudhën e komunizmit, me djersën dhe gjakun e punëtorëve, aksionistëve dhe ish-të përndjekurve politikë që punonin pa pagesë.
Qeverive post-komuniste u ra për detyrë t’i ruanin këto investime. Por e gjithë kjo pasuri iu dorëzua kaosit, barbarisë dhe shkatërrimit në emër të “luftës kundër komunizmit”.
Në tri dekada asnjë vepër e re nuk është ndërtuar dhe sot zyrtarë lokalë, ministra e deputetë shfaqen nëpër ekrane, ndërsa fadromat pastrojnë për herë të parë ndonjë kanal të ndërtuar 50 apo 60 vjet më parë.
LEXONI GJITHASHTU:
- Përse | Vjosa, e egër apo e zbutur?
- Përse | Nikla, turizëm dhe biznes në fshatin ku strehohen kriminelët
- Përse | “Nudo kundër përdhunuesve”, aktivistet analizojnë rebelimin kundër dhunës seksuale
- Përse | Zgjedhjet dhe demokracia – Përse jemi 100 vjet pas?