English

Përse | Vjosa, e egër apo e zbutur?

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Vjosa është lumi i fundit i egër në Europë, ndaj dhe ata që kërkojnë mbrojtjen e saj janë të shumtë.

- Advertisement -

Përse të gjithë janë vënë në mbrojtje të Vjosës? Çfarë ka ky lumë që ka mobilizuar aktivistë dhe studiues nga shumë vende të Evropës që kërkojnë të mos ndërtohen hidrocentrale në rrjedhën e këtij lumi?

Gazetari, Mentor Kikia sjell të gjitha këndvështrimet dhe opinionet mbi fatin e lumit të vetëm në Europë që konsiderohet tërësisht i egër.

Për studiuesin Fritz Shimer, Vjosa është i vetmi rast kur kemi një lumë të pamodifikuar masivisht.

“Ai është pranë natyrales dhe situatë të tillë nuk e gjeni në asnjë lumë të Evropës Qendrore, ndoshta në Rusi mund të ketë ndonjë. Vjosa për Evropën Qendrore është unik, kjo e bën kaq tërheqës nga pikëpamja shkencore,” – thotë studiuesi austriak, Fritz Shimer.

Ai e ka kthyer në kauzë promovimin dhe mbrojtjen e lumit Vjosa nga dëmtimi që do i bënte atij ndërtimi i hidrocentraleve. Së bashku me 30 shkencëtarë të tjerë, Fritz Shimer, ka si mision degët e Vjosës, të cilat janë njësoj të rrezikuara në prishjen e ekosistemit. Sipas tyre, pesë HEC-e janë parashikuar në Shushicë, ndërsa lumi Bënça kërcënohet nga jo më pak se tetë vepra të tilla energjetike.

Por, çfarë dëmi i shkakton një hidrocentral një lumi? Sipas profesor Aleks Miho, nëse vazhdojmë me ndërtimet, do prishen shumë habitate.

“Ti ndërton, por nuk e di çfarë dëmton. Nëse vazhdojmë me ndërtim do prishim shumë habitate të listuar në “Konventën Ndërkombëtare” apo “Konventën e Bernës’. Këto gjëra do dalin dhe për Shushicën dhe Bënçën. Lumi funksionon si një i tërë nuk është vetëm lumi Vjosë, por edhe degët janë gjithashtu të rëndësishme,” – u shpreh profesor Aleks Miho.

Avokati, Dorian Matila shprehet për emisionin “Përse”, se janë duke vazhduar betejat ligjore, për ta kthyer lumin Vjosa në park kombëtar.

“Ka plan për ta kthyer në park natyror, por ne kërkojmë të jetë Park Kombëtar. Deri tani ende nuk ka një VKM, që ta kthejë zonë të mbrojtur. Sipas ligjit për zonat e mbrojtura nuk lejohen hidrocentralet dhe po qenë ndërtuar duhet të anulohen dhe kthehen si më parë,” – tha avokati Dorian Matila për emisionin “Përse” në Euronews Albania.

Por pse shkencëtarët dhe mbrojtësit e Vjosës këmbëngulin në marrjen e statusit Park Kombëtar?

“Ka shumë lloje statusesh për ruajtjen dhe mendoj se Vjosa meriton më të lartin. Statusi i Parkut Kombëtar duhet parë si një mundësi, pasi sjell vizitorë. Mund të jetë njësoj si Gjirokastra, pasuri kombëtare, por me rëndësi ndërkombëtare,” – thotë studiuesi austriak, Gabriel Singer.

Qeveria ka vendosur ta shpallë zonë të mbrojtur, por ambientalistët nuk mjaftohen me kaq. Ata duan që lugina e këtij lumi të shpallet Park Kombëtar, si garanci më e madhe për ta mbrojtur. Por, si mund të jetojnë mbi 60 mijë njerëz brenda një parku kombëtar, ku ka rregulla të rrepta në marrëdhëniet me natyrën?

“Menaxhimet e parqeve moderne kombëtare kanë rregulla të qarta sesi gjerat mund të përdoren nga komuniteti lokal. Kundërshtia nuk është me aktivitetet e përditshme të banorëve të zonës, por me gërmimet masive. Nuk mund t’i merrni zallin lumit, pasi ai është identiteti i tij, pjesë e habitatit të një lumi,” – thotë Gabriel Singer studiues austriak.

Avokati, Dorian Matila shprehet se deri tani kanë arritur të bllokojnë disa projekte në fazën administrative, por duhet një zgjidhje finale, për ta kthyer në Park Kombëtar lumin Vjosa.

“Gjyqtarët janë treguar dashamirës deri tani dhe janë bllokuar disa projekte të lumit Shushicë në fazën administrative. Kjo ka ndodhur se ne kemi treguar problemet në kontrata. Shanse për ta mbrojtur ka, por duhet gjetur një zgjidhje finale,” – thotë ai.

Zv.ministrja e mjedisit Ornela Çuçi thotë se janë të gjitha mundësitë që në një zonë të mbrojtur edhe natyra të ruhet edhe njerëzit të jetojnë.

“A duhet që Vjosa të futet në tub këtë duhet ta thonë ekspertët. Unë nuk po flas për ekspertë që kanë pasion mjedisin. Unë jam që Vjosa do duhet të studiohet dhe vlerësohet sipas asaj që ekspertët do të thonë. Për këtë janë mbledhur ekspertë edhe nga jashtë shtetit të cilët do nxjerrin kostot oportune të Vjosës,” – shprehet znj. Çuçi.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?