Peshqit e mëdhenj të drejtësisë, Gerti Shella: Ende s’janë dhënë prova që drejtësia e re funksionon
Për drejtuesin e Qendrës për Çështjet e Informimit Publik (INFOÇIP), Gerti Shella drejtësia e re nuk i ka dhënë ende provat se funksionon, pavarësisht se tashmë me Adriatik Llallën kemi të parin ish-zyrtar të lartë të drejtësisë që ballafaqohet me akuza.
Duke komentuar për Euronews Albania çështjen, Shella tha se ndaj Llallës fillimisht në vitin 2018 u ngritën më shumë akuza, por që tashmë në gjykatë kanë shkuar vetëm ato që lidhen me pasurinë.
“Tre vite më pas, vetëm një nga katër akuzat ka shkuar në formën e një pretence ku gjykata pritet të marrë vendim dhe ku tre të tjerat janë lëshuar rrugës,” – u shpreh Shella, i cili kujtoi se ish-kryeprokurori është i pari zyrtar i lartë i drejtësisë, së cilit SHBA i ka ndaluar pajisjen me vizë.
Eksperti theksoi se për të folur për drejtësi duhet pritur edhe apeli, por e konsideroi si “të reduktuar” akuzën me të cilën prokuroria e nisi pretencën në gjykatë.
“Ka elementë inkurajues [nga çështja], por më shumë dekurajues teksa flasim,” – tha Shella.
“Nëse do të kishim [në pretencë] qëndrimin e katër arsyeve specifike që rëndojnë mbi prokurorin Llalla dhe ku steka është ngritur realisht, për herë të parë do të kishim një zyrtar të lartë që do të ballafaqoheshim me një ndëshkim penal, por është tepër herët të flasim,” – u shpreh Shella.
Eksperti kujtoi rastet e shkuara të zyrtarëve të lartë si ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, numrin dy të “Operacionit Forca e Ligjit” Artan Shkëmbi që janë përballur me Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion, për të cilët në fund gjykata vendosi që dënimet ndaj tyre të ktheheshin në “punë të detyruar”. Këtë Shella e konsideroi si dekurajuese për qytetarët, të cilët presin më shumë nga drejtësia e re.
“Burgu është ende larg [për Llallën], le të presim më të mirën e gjykimit, por nuk do të ishte herezi të përgatiteshim edhe për një dekurajim të radhës,” – theksoi Shella.
Drejtuesi i qendrës INFOÇIP, e cila e ka monitoruar çështjen e Llallës tha se përveç pretencës aktuale të komunikuar në gjykatë, “ndaj tij vijon edhe një hetim paralel për justifikimin e një pasurie prej rreth 20 mijë metrash katrorë tokë në periferi të Tiranës dhe në Durrës”. Ky hetim paralel, sipas Shellës “të bën të mendosh se për prokurorin Llalla ka filluar vërtetë një kohë e vështirë”.
“[…] është çështja e mos-justifikimit të të ardhurave dhe deklarimeve të rreme për një apartament në Durrës, janë diku te 7,500 dollarë shpenzime të bëra në SHBA dhe çështja e shkollimit të fëmijëve në Gjermani, që sipas prokurorisë ka qenë diku te 40 mijë euro plus, që nuk justifikohen nga të ardhurat,” – renditi akuzat për pasurinë Shella, teksa kujtoi se si për ironi Llalla ka punuar më parë pikërisht në inspektoratin e deklarimit të pasurisë.
Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta