Inspektorati Ndërtimor dhe Policia Bashkiake u paraqiten për kontroll në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit për të parë punimet që po kryhen në ndërtimin e fushave dhe dokumentacionin përkates.
Kjo situatë vjen pasi prokuroria e Tiranës ka regjistruar një procedim penal ndaj presidentit të Federatës së Futbollit Armand Duka, lidhur me administrimin e një fondi prej 1.3 milion eurosh që UEFA ia ka kaluar asaj për llogari të Klubit të futbollit të Tiranës.
Prokuroria ka ngritur akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe Vjedhje përmes shpërdorimit të detyrës ndaj Dukës.
Pak ditë më parë kontrolle të inspektorëve të Tatimeve ka pasur edhe në bizneset e familjes Duka në Durrës.
Administratori i FSHF-së, Hasan Gurabardhi tha për mediat se ishin dy inspektorë që kontrolluan lejet e ndërtimit të godinës.
Ai theksoi se është e çuditshme që kontrollet u bënë pikërisht sot pasi leja e ndërtimit është dhënë që në 2017-N.
Si nisi përplasja Duka – Veliaj?
Zgjedhjet e 2 Marsit për presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit kanë nxitur përplasje të forta mes presidentit aktual të FSHF, Armand Duka dhe kreut të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj.
Cfarë ka ndodhur dhe përse vjen kjo përplasje?
Më 2 mars, Armand Duka kandidon për një mandat të gjashtë si president i Federatës Shqiptare të Futbollit.
Kjo për Erion Veliajn është e papranueshme. Ndaj u investua për ta zëvendësuar atë.
Bashkia Tiranë ka 34% aksione të Klubit të Futbollit të Tiranës, pjesë e Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranës. Kjo e fundit ka dhe numrin më të madh të votave për president të FSHF.
Veliaj nisi përpjekjet për largimin e Dukës nga FSHF, duke i kërkuar antarëve të Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, të votojnë Eduard Prodanin për kryetarin e saj.
“Aty është noteri. Firmosim. Jo FIFA dhe UEFA, po Jezusi me Muhamedin të zbresin, nuk e ndalin dot këtë”, tha Veliaj.
FSHF publikoi një audiopërgjim të takimit, të cilin Veliaj e konfirmoi pa asnjë problem.
“Jeni në këtë sallë 40 vota, nga 56 që janë nesër. Unë me këtë sallë fitoj Tiranën dhe gjithë Shqipërinë jo më marr një shoqatë të vogël”, shtoi ai.
Në 23 Janar, një ditë përpara zgjedhjeve të Shoqatës Rajonale të Tiranës, Bashkia Tiranë njoftoi angazhimin e një grupi juristësh, për të denoncuar në SPAK dhe ndërkombëtarisht Armando Dukën.
Një ditë më vonë, kur mbaheshin votimet për kreun e Shoqatës, Prokuroria e Tiranës njoftoi nisjen e hetimit për Dukën, me akuzën për vjedhje dhe shpërdorim detyre.
Zgjedhjet u zhvilluan. Kandidati i mbështetur nga Veliaj humbi. Votimet i quajti të manipuluara.
Ndërkohë përplasja mes presidentit të FSHF dhe kreut të Bashkisë Tiranë vijon. Veliaj paralajmëroi kallëzim penal për funksionarë të FSHF. Kjo e fundit u ankua tek FIFA për ndërhyrje dhe kërcënime nga politika.
LEXONI GJITHASHTU:
- Ekskluzive/ Euronews Albania siguron foton e personit të maskuar që vuri tritolin tek banesa e Dukës
- Shpërthim tritoli në shtëpinë e Armand Dukës