Policia boliviane arreston liderin e grushtit të dështuar të shtetit

27 Qershor 2024 | 08:30

Forcat e Armatosura të Bolivisë u tërhoqën nga pallati presidencial në La Paz të mërkurën në mbrëmje dhe policia e arrestoi gjeneralin në krye të një grusht shteti të dështuar.

Të mërkurën gjatë ditës, njësi ushtarake, të udhëhequra nga gjenerali Juan Jose Zuniga, ishin mbledhur në sheshin qendror Plaza Murillo, ku ndodhen pallati presidencial dhe Kongresi.

Presidenti bolivian Luis Arce e dënoi tentim-puçin dhe i bëri thirrje popullit për mbështetje.

“Sot, vendi po përballet me një përpjekje për grusht shtet. Ne i bëjmë thirrje popullit bolivian të mblidhet sot. Ne kemi nevojë që populli bolivian të organizohet dhe të mobilizohet kundër grusht shtetit dhe në të mirë të demokracisë”, tha presidenti Luis Arce nga pallati presidencial.

Më vonë, ushtarët, së bashku me një varg automjetesh ushtarake, u tërhoqën nga sheshi, duke i dhënë fund rebelimit pas vetëm tri orëve.

Qindra mbështetës të Arces u mblodhën pastaj në sheshin pranë pallatit, duke valëvitur flamuj bolivianë, duke kënduar himnin kombëtar dhe duke brohoritur.

Pas tërheqjes së ushtrisë, policia e arrestoi gjeneralin Juan Jose Zuniga, pasi prokurori i përgjithshëm nisi një hetim.

Ministri qeveritar Eduardo del Castillo tha se përveç Zunigas, u arrestua edhe ish- zëvendësadmirali i marinës, Juan Arnez Salvador.

“Cili ishte synimi i këtij grupi? Synimi ishte rrëzimi i autoriteteve të zgjedhur në mënyrë demokratike”, tha Del Castillo për gazetarë pas arrestimeve.

Më vonë të mërkurën, ministri i Mbrojtjes Edmundo Novillo tha se “gjithçka është nën kontroll tani”.

I rrethuar nga shefat e rinj të ushtrisë, të emëruar nga Arce, Novillo theksoi se Bolivia e përjetoi një “grusht shtet të dështuar”.

Përpjekja për puç ndodhi në një kohë kur vendi po përballet me tensione dhe me grindje politike mes Arces dhe dikur aleatit të tij, ish-presidentit majtist, Evo Morales, për atë se kush duhet ta kontrollojë partinë në pushtet. Bolivia po përballet gjithashtu me një krizë të madhe ekonomike.

Mospajtimet e tyre kanë bërë që Qeveria të mos jetë në gjendje ta luftojë krizën ekonomike. Për shembull, aleatët e Morales në Kongres ia kanë pamundësuar vazhdimisht Arces të marrë borxh për ta luftuar krizën.

Arce dhe Morales kanë luftuar për të ardhmen Lëvizjes për Socializëm të Bolivisë, e njohur si MAS, para zgjedhjeve të vitit 2025.

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Vrasja e emigrantëve meksikanë nga agjentët e ICE, Sheinbaum: Do të paraqesim padi penale

Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum njoftoi të hënën se Meksika do të paraqesë padi penale në SHBA për vdekjen e disa emigrantëve meksikanë në paraburgimin e emigracionit dhe të...
17:57 | 14/07/2026

Starmer, kryeministri i parë i Mbretërisë së Bashkuar që merr medaljen “Legion d’Honneur” të Francës

Keir Starmer është bërë kryeministri i parë i Mbretërisë së Bashkuar që i është dhënë medalja e Legjionit të Nderit nga një president francez, në...
17:46 | 14/07/2026

Nga 38 në 27 gradë në pak minuta, stuhia e rërës godet brigjet franceze! Shkakton panik te pushuesit (VIDEO)

Një fenomen moti që u zhvillua me shpejtësi të madhe befasoi pushuesit në brigjet jugperëndimore të Francës, të cilët kërkonin “pak freski” nga temperaturat e...
17:44 | 14/07/2026