Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç tha se policët në veri të Kosovës nuk do të zbatojnë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletave qortuese, për shoferët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia.
“Ne nuk mund ta zbatojmë atë vendim sepse ai është politik dhe i drejtuar kryesisht kundër komunitetit serb, të cilit i përkasim edhe ne vetë”, tha Gjuriç më 2 nëntor dhe shtoi se “patrulla të njësive të trafikut nga Prishtina janë dërguar në veri, për të ushtruar presion”.
Gjuriç i bëri këto deklarata pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë dhe katër kryetarëve të komunave në veri, të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok), shkruan REL.
Ai tha se me këtë vendim paraprakisht është informuar edhe drejtoria e përgjithshme në Prishtinë si dhe të gjithë akterët ndërkombëtarë.
Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë makina me targa ilegale (KM), do të marrin fleta qortuese. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të makinave në targat RKS (Republika e Kosovës).
Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë makina me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i makinave që nuk kanë targa RKS.
LEXONI GJITHASHTU
- A pritet të ndërhyjë ushtria serbe në Kosovë? Përgjigjet ministri Sveçla
-
Rreziku për destabilitet në veri, Sveçla: Ka prani të shtuar të KFOR-it dhe EULEX-it
- Sveçla për vendimin për targat: SHBA-të nuk janë zhgënjyer me Kosovën