Policia gjermane ka zbuluar dhe neutralizuar një komplot për rrëmbimin e ministrit gjerman të Shëndetësisë dhe shkatërrimin e objekteve të furnizimit me energji elektrike të vendit.
Prokurorët në zyrën e policisë kriminale shtetërore të Koblenz dhe Rheinland-Pfalz thanë se u kryen bastisje në 20 prona në të gjithë Gjermaninë pas një hetimi të nisur në tetor.
Të dyshuarit ishin anëtarë të një grupi të quajtur “Patriotët e Bashkuar” të cilët komunikonin mes tyre përmes shërbimit të mesazheve Telegram.
Grupi dyshohet se kishte planifikuar të rrëmbente personazhe të njohur publikë. Hetuesit thanë se mes tyre ishte edhe ministri i shëndetësisë Karl Lauterbach.
Hetuesit thanë se të dyshuarit ishin të lidhur me lëvizjen protestuese kundër kufizimeve të coronavirusit dhe me lëvizjen Qytetarët e Rajhut, e cila kundërshton legjitimitetin e kushtetutës gjermane të pas Luftës së Dytë Botërore dhe si rrjedhojë, qeverisë aktuale. Gjithsej 12 persona janë nën hetim.
Autoritetet thanë se qëllimi i grupit ishte të shkatërronte objektet e furnizimit me energji elektrike dhe të shkaktonte një ndërprerje të gjatë në të gjithë vendin, me synimin për të krijuar kushte të ngjashme me luftën civile dhe përfundimisht për të përmbysur sistemin demokratik të vendit.
Policia sekuestroi 22 armë zjarri, përfshirë një kallashnikov, së bashku me qindra fishekë, mijëra euro kesh si dhe shufra ari dhe monedha argjendi. Ata gjetën gjithashtu certifikata të falsifikuara të vaksinimit dhe testeve për COVID-19.
LEXONI GJITHASHTU:
- Nënshkruhet marrëveshja mes Gjermanisë dhe Shqipërisë për njohjen e patentave
- Rusët protestojnë në Gjermani: Ndihemi të diskriminuar