Presidenti i Nikaraguas: Nuk do të ketë më zgjedhje në vend
Presidenti i Nikaraguas, Daniel Ortega, ka deklaruar se vendi nuk do të mbajë më zgjedhje, duke sinjalizuar një tjetër hap drejt konsolidimit të pushtetit të tij.
Ortega, 80 vjeç, është në pushtet që nga viti 2007 dhe e drejton vendin së bashku me bashkëshorten e tij, Rosario Murillo. Ai kishte mbajtur më parë edhe një mandat presidencial gjatë viteve 1980, ndërsa mandati aktual, i zgjatur disa herë, pritej të përfundonte vitin e ardhshëm.
Kombet e Bashkuara e kanë akuzuar çiftin se po e shndërrojnë Nikaraguanë në një “shtet autoritar”, duke vlerësuar se pothuajse të gjitha institucionet kryesore, përfshirë ushtrinë dhe sistemin gjyqësor, janë nën kontrollin e tyre.
Ortega ka zgjatur mandatin presidencial në gjashtë vjet, ndërsa zgjedhjet e vitit 2021 u shoqëruan me arrestimin e kundërshtarëve politikë dhe sipërmarrësve, si edhe me kriminalizimin e mospajtimit. Grupet për të drejtat e njeriut kanë deklaruar se edhe zgjedhjet e viteve 2011 dhe 2016 u zhvilluan pa një opozitë reale, pasi partitë kundërshtare u shtypën.
Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Ortegën një diktator dhe kanë vendosur sanksione ndaj mijëra zyrtarëve të administratës së tij.
Deklaratën e tij Ortega e bëri gjatë ceremonive për përkujtimin e Revolucionit Sandinist të vitit 1979, në të cilin ai mori pjesë në rrëzimin e diktaturës së Anastasio Somozës.
“Nuk do të ketë më zgjedhje këtu që ata të përpiqen të marrin qeverinë dhe pushtetin. Ditët kur partitë e mbështetura nga amerikanët dhe somozistët do të ktheheshin në pushtet kanë mbaruar, kurrë më”, deklaroi Ortega.
Ky ishte edhe dalja e tij e parë publike pas dy muajsh.
Nga ana tjetër, lideri i opozitës, Felix Maradiaga, i cili u burgos në Nikaragua nga viti 2021 deri në vitin 2023 dhe më pas u dëbua në Shtetet e Bashkuara, e cilësoi deklaratën e presidentit si “një rrëfim frike”. Ai tha për Reuters se Ortega po përpiqet të shmangë rrezikun e një humbjeje zgjedhore, pasi, sipas tij, “e di që populli e refuzon”.
Në vitin 2018, qeveria e Ortegës reagoi me forcë ndaj protestave masive antiqeveritare, ku, sipas të dhënave ndërkombëtare, humbën jetën mbi 300 persona.
Teherani akuzon SHBA-në: Po përdorin çështjen bërthamore si pretekst për të na shkatërruar
Nolan thyen rekord personal me “The Odyssey”, arkëton 264 milionë dollarë në fundjavën e parë
Qeveria e re britanike nis punën me uljen e faturave, Burnham heq tarifën shtesë mbi energjinë elektrike
- 19:39 Shtrëngatat rikthehen të premten, Anira Gjoni: Përplasja e masave të ajrit shkaktoi stuhitë në rajon
- 19:18 Aksidenti tek Unaza e Madhe, ndërron jetë edhe i plagosuri tjetër, policia me njoftim zyrtar
- 19:12 Teherani akuzon SHBA-në: Po përdorin çështjen bërthamore si pretekst për të na shkatërruar
- 18:59 Franca regjistron 5,764 vdekje shtesë gjatë valës së të nxehtit të qershorit
- 18:58 SHBA dhe Izraeli diskutojnë për një takimi mes Trump dhe Netanyahu në Zyrën Ovale
- 18:16 Stuhitë godasin Ballkanin, miliona euro dëme në bujqësi, mbi 100 automjete të dëmtuara në Shkup